Kulturë

Ngjarjet e çakorduara kulturore në mungesë kalendari

koordinim

Në fillimgushtin e këtij viti ngjau që tri ngjarje të mëdha të zhvillojnë programet e tyre në të njëjtat data. Dy festivalet mbase më të mëdhatë në skenën vendore sa i përket namit ndërkombëtar e numrit të publikut, ai i filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest”, si dhe “Sunny Hill”, nisën në të njëjtën ditë, më 1 gusht. E ditën pasuese erdhi edhe gala-koncerti i festivalit ndërkombëtar të operës “Rame Lahaj”, me të cilin kulmon secili edicion i kësaj ngjarjeje

Ka vjet që përmendet një kalendar i përbashkët kulturor, e të përvitshme janë “përplasjet” e ngjarjeve të mëdha me data. Sivjet qe një prej rasteve konkrete, kur tri ngjarje qendrore në skenën kulturore të vendit kishin një datë. Organizatorët dhe akterët e skenës kulturore, teksa përsërisin se kalendari është i domosdoshëm, numërojnë pasojat dhe ndikimin e çakordimit. Disa prej tyre theksojnë se Ministria e Kulturës duhet ta marrë përsipër hartimin e kalendarit, përderisa disa prej tyre theksojnë se as në mesin e komunitetit artistik nuk ka vullnet për të

Skena kulturore e vendit çdo vit sjell ngjarje që për herë të parë organizohen e deri në ato që janë me traditë të gjatë e me nam në skenën ndërkombëtare. Publiku është përherë aty, por ngjan shpesh që ta ketë të vështirë të ndajë mendjen për njërën a tjetër, kur ato zhvillohen në të njëjtën kohë. Mungon një kalendar kulturor në nivelin qendror, i cili konsiderohet i rëndësishëm nga organizatorë ngjarjesh, të cilët shprehen se megjithëse tentojnë të bëjnë kompromis me data, kjo gjë në raste të caktuara është e pamundur.

Tri ngjarje të mëdha, një datë

Në fillimgushtin e këtij viti ngjau që tri ngjarje të mëdha të zhvillojnë programet e tyre në të njëjtat data. Dy festivalet mbase më të mëdhatë në skenën vendore sa i përket namit ndërkombëtar e numrit të publikut, ai i filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest”, si dhe “Sunny Hill”, nisën në të njëjtën ditë, më 1 gusht. E ditën pasuese erdhi edhe gala-koncerti i festivalit ndërkombëtar të operës “Rame Lahaj”, me të cilin kulmon secili edicion i kësaj ngjarjeje. Audienca në këto ngjarje nuk është krejt e ndryshme, aq sa janë edhe mediumet që u dedikohen. 

Por ky është veç një ilustrim, ngase të tilla raste ngjajnë përherë në skenën kulturore në vend. 

Eroll Bilibani, pjesë e ekipit organizativ të festivalit ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest”, ka thënë se do të ishte e rrugës të kishte koordinim të ngjarjeve kulturore. 

“Secili organizim dhe iniciativë i ka politikat e veta në aspektin e sigurimit të datave, siç është ‘Sunny Hill’, normalisht që dirigjohet edhe nga turnetë e artistëve ndërkombëtarë. Janë disa faktorë më të mëdhenj që ndikojnë në këtë praktikë të caktimit të datave, për atë ne e kemi këtë politike, që gjithmonë është vikendi i parë i gushtit. Vitin tjetër do të jetë më 7 gusht, dhe e dimë që më 2027 do ta kemi me 6 gusht dhe tutje, përpos nëse ndodh diçka shumë e madhe me festivalet e tjera ndërkombëtare e që ndikon me sjelljen e autorëve e kineastëve me reputacion ndërkombëtar”, është shprehur ai në një bisedë me KOHËN. 

Ka nja dhjetë vjet që “DokuFesti” tradicionalisht e hap edicionin mbrëmjen e së premtes së parë të gushtit dhe e mbyll atë në të shtunën e dytë të këtij muaji. Si rrjedhojë, datat e edicionit të 25-të veçse dihen: 7 deri më 15 gusht. Kjo, sipas Bilibanit, vjen si rrjedhojë e politikës së Festivalit në raport me datat e festivaleve të rëndësishme ndërkombëtare përkrah të cilave, në bazë të rëndësisë, qëndron edhe “DokuFesti”. 

“Ne, meqë jemi festival ndërkombëtar i filmit, ndërlidhemi shumë me elemente të tjera si Festivali i Filmit në Locarno, ai në Sarajevë dhe për shkak të dispozicionit të mysafirëve të festivalit, pra profesionistë të filmit, për ne është shumë me rëndësi të jenë këto të organizuara në një periudhë shumë më të gjatë. Nuk ndikohemi nga praktikat lokale, por e kemi një reputacion ndërkombëtar dhe varemi nga pjesëmarrja e profesionistëve të filmit”, ka thënë Bilibani.

Mungesa e hapësirave në mesin e faktorëve

Ajo çfarë ngjau me edicionin e 24-t qe që në ditën e parë të festivalit, më 1 gusht, iu pamundësua zhvillimi i një pjese të programit, atij muzikor, si rrjedhojë se hapësira në Kala, ku organizohen këto ngjarje, u dha në shfrytëzim të një tjetër organizimi. Duke marrë shembull këtë rast, Eroll Bilibani ka thënë se jo veç në nivelin qendror, por edhe në atë lokal, nevojitet një kalendar kulturor që do ta koordinonte skenën kulturore. 

“Në veçanti në Prizren është me rëndësi të ketë një kalendar ku koordinohemi me aktivitete, sepse Prizreni nuk ka shumë hapësira për organizim të aktiviteteve dhe shpesh ndodhin gjëra, siç kanë ndodhur këtë vit, kur Komuna ia ka dhënë hapësirën një organizimi krejt tjetër duke e lënë anash ditën e parë të Festivalit, ku nuk kemi pasur mundësi të kemi ndonjë performancë, sepse hapësira e Kalasë i ishte dhënë dikujt tjetër. Në këtë aspekt duhet të ketë një politikë të mirë, të koordinuar të datave dhe të lejeve që jepen për hapësira të ndryshme që shfrytëzohen për aktivitete kulturore”, ka konsideruar ai. 

Drejtoresha artistike e festivalit ndërkombëtar të pianos “Chopin Fest” e profesoresha e muzikës, Besa Luzha, ka konsideruar se Ministria e Kulturës do të duhej ta bënte planin për aktivitetet kulturore brenda vitit. 

“Pasi edhe shumica e ngjarjeve mbështeten nga Ministria e Kulturës do të duhej të kishte njëfarë planifikimi, sepse ne secili mundohemi të koordinohemi. Ne me festivalet e muzikës i kemi datat e sakta dhe në program koordinohemi, për shembull jemi koordinuar me ‘ReMusican’. Ne e kemi në maj, ata një herë e mbajtën në prill e më pas në shtator. Me pajtueshmëri e kemi marrë majin”, është shprehur ajo.

Pasojat që rrezikojnë anulim koncertesh

Moskoordinimi i ngjarjeve për pak e anuloi njërin prej koncerteve të edicionit të 15-të të festivalit. Më 3 qershor, në të njëjtin orar do të mbahej koncerti dedikuar muzikantëve të rinj, si dhe ai kushtuar kompozitorit Musa Piperku, me titullin “Kanga jonë”. 

“E patëm marrë vesh gjatë festivalit dhe të paktën u munduam ta ndërrojmë orën, sepse studentët tanë që do të luanin në koncert, do të luanin edhe atje. Gati na u prish edhe koncerti, që të mbërrijnë solistët të vijnë edhe te ne. Problemi është që te ne audienca është e vogël, në kuptimin që një pjesë e madhe e tyre sillet gjithandej, ndërsa në vendet e tjera nuk do të kishte problem”, ka treguar profesoresha Luzha. 

Artisti i muzikës elektronike, Adrian Berisha, ka thënë se një kalendar kulturor i përbashkët kombëtar është më shumë sesa një listë ngjarjesh. 

“Është një lloj pasqyre e jetës sonë qytetare. Mendoj se kur organizatat dhe artistët bashkohen rreth një kalendari unik, më së shumti do të përfitojnë qytetarët duke e marrë parasysh se kanë qasje më të lehtë në aspektin e aktiviteteve kulturore, pastaj vizitorët mund të shohin aktivitetet kulturore në mënyrë më të gjallë dhe më të organizuar. Është një lloj kohezioni shoqëror. Kjo edhe do të na ndihmonte jo vetëm për të planifikuar më mirë, por edhe për të krijuar një lloj bashkëpunimi ndërinstitucional”, ka thënë DJ Adrian Berisha.

Problemi që trashëgohet

Duke iu referuar tri ngjarjeve që nisën në të njëjtën kohë, në fillimgusht, ka thënë se mungojnë kohezioni shoqëror dhe një lloj katalizatori që do të ndihmonte në koordinim në këtë aspekt. 

“E kemi parë që këtë vit shumica e festivaleve janë mbajtur për një ditë dhe ka qenë një lloj ndjenje jo e mirë për vizitorët e aktiviteteve kulturore, sepse unë do të kisha dëshirë të shkoja edhe në ‘Sunny Hill’, edhe në koncertin e Ramë Lahaj, edhe në ‘DokuFest’. Por ka qenë e pamundur, sepse që të tria kanë ndodhur përnjëherë. Kjo po ndodh tash e sa vjet dhe mendoj se është shumë e rëndësishme të krijohet kjo ndërlidhje midis institucioneve publike dhe iniciativave të pavarura e projekteve që ndodhin në vendin tonë”, është shprehur Berisha më tej.

Drejtoresha e festivalit ndërkombëtar të artisteve dhe aktivisteve “FemArt”, Zana Hoxha, ka thënë se nuk ka interes që të bëhet koordinimi i ngjarjeve kulturore. 

“Unë pata propozuar edhe më herët që të bëhet një koordinim midis ngjarjeve, në veçanti midis festivaleve, por siç duket nuk ka një interes të sinqertë për ta bërë një gjë të tillë. Është një punë e lehtë që mund të facilitohet edhe nga vetë organizatorët, por mundet që këtë rol ta marrë edhe Ministria e Kulturës, duke qenë se përkrah shumicën e festivaleve të rëndësishme në Kosovë. Ka mënyra se si bëhet një gjë e tillë, nuk është diçka e pamundur”, ka thënë ajo. 

Ka konsideruar se mungesa e koordinimit e ka lënduar organizimin e festivaleve, duke ndikuar në pjesëmarrjen e publikut. 

“Kosova është një vend i vogël dhe në rastin më të mirë i kemi nja një milion e gjysmë në kohën kur vijnë mërgimtarët. Në veçanti për periudhën qershor-shtator duhet të ketë një koordinim më të mirë. Për shembull, ‘FemArt’ në të kaluarën, para se t’i vendosë datat, i kemi shikuar edhe festivalet e tjera që kanë qenë afër dhe jemi munduar të mos krijojmë një kohë të njëjtë ose të ketë disa ditë ndërmjet festivaleve, në mënyrë që publiku të ketë mundësi të shkojë edhe te festivali tjetër”, është shprehur regjisorja Zana Hoxha.