Fondet e pafundme të Arkivit Qendror të Shtetit kanë përzgjedhur materiale të rralla arkivore që kronikojnë mbi një shekull histori të përpjekjeve për shtet shqiptar. Prej fotografive të delegatëve që vunë nënshkrimet në Deklaratën e Pavarësisë në Vlorë, vendimeve të parësive të krahinave të ndryshme që përkrahën Ismail Qemalin e deri te përvjetorët e ndryshëm të pavarësisë ndër vite, ekspozita e hapur në Lapidariumin e Muzeut të Kosovës është vlerësuar si një mundësi e mirë për të parë përpjekjet që shqiptarët të frymojnë bashkë
Rexhep Mitrovica e Sali Gjuka si përfaqësues të Plavës e Gucisë, Spiro Ilo si delegat i Korçës, dhe Shefqet Daiu, delegat i Elbasanit, janë vetëm disa prej portreteve bardhezi të atyre që bënë histori duke e vënë nënshkrimin e tyre në aktin që e pavarësoi Shqipërinë nga Perandoria Osmane.
Është një galeri që nga njëri skaj në tjetrin ecën tok me historinë e lindjes së shtetit shqiptar, me vendime të parësive të krahinave të ndryshme shqiptare, herë me germa latine e herë me arabe, që përkrahin Deklaratën “që Shqipëria më sot të bâhet në vehte, e lirë e e mosvarme”.
Dhjetëra materiale arkivore në fotografi e dokumente janë shpalosur të martën në ekspozitën “Nga nëntorët vijmë në nëntorë shkojmë” të hapur në lapidariumin e Muzeut Kombëtar të Kosovës për nder të Ditës së Flamurit.
E bashkorganizuar nga Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës dhe Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shqipërisë, ekspozita vjen si homazh në kohë për historinë e përpjekjeve për një shtet shqiptar.
Në fjalën e tij hyrëse, kryeshefi ekzekutiv i ASHAK-ut, Bedri Zyberaj, ka thënë se ekspozita në mjediset komode të Muzeut të Kosovës u ofron qytetarëve të dhëna me dokumente e fotografi të nxjerra nga fondet e Arkivit të Shqipërisë.
“Nëntori, si asnjë muaj tjetër i vitit, është ai që përmbledh datat më të rëndësishme të historisë qindravjeçare të kombit shqiptar, sepse ka qenë momenti kur kanë filluar epokat”, ka thënë Zyberaj.
Në këtë muaj, sipas tij, shënohen nëntore epokash që nga koha e Skënderbeut e deri te ai i para 22 vjetëve, kur ishte krijuar Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
“Ne, me këtë ekspozitë, shënojmë festën e flamurit, por në të njëjtën kohë shfrytëzojnë rastin që, në pajtim me konceptet më të reja për arkivistikën, materialet arkivore t’ia ofrojmë më afër qytetarit”, ka theksuar Zyberaj duke shtuar se ekspozitat janë një mjet i përshtatshëm për një gjë të tillë.
Kurse drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë, Ardit Bido, ndërsa ka falënderuar institucionin homolog në Kosovë, ka thënë se ekspozita të tilla mundësojnë që shqiptarët të frymojnë si një.
“Shqiptarët duhet të ndajnë mendjen nëse duan të krijojnë identitete Labërie, Kosove a Iliride, nëse duan të bëjnë përralla mediatike e nacionalizma folklorike, apo të bashkohen aty ku kanë të drejtë të bashkohen”, ka thënë Bido.
Sipas tij, bashkëpunimi i arkivave të Shqipërisë dhe Kosovës, ashtu sikundër edhe ai mes Instituteve të Historisë dhe Akademive, duhet të integrohet brenda “maksimumit të mundshëm”.
Drejtori i DPA-së ka thënë se ndihet mirë që në ekspozitë sheh të rinj nga një brez që është i rritur në normalitetin e lirisë.
“Ne, nga brezi im e lart, nuk jemi ‘normalë’. Jemi rritur në oshtimën e armëve kur në rininë time, në moshën 10-vjeçare, preka një kallashnikov në çmendurinë e komunizmit”, ka treguar Bido.
Sipas tij, këta breza të rritur nën komunizmin me specifika të ndryshme, siç ishte ai në Kosovë e Shqipëri, i kanë të pashmangshme fiksimet psikologjike që vijë nga realitetet e përjetuara.
“Por ne kemi mundësinë e artë që të krijojmë ato premisa që studentët, e lindur dhe të rritur në normalitet lirie, ta çojnë para kombin tonë”, ka shtuar Bido.
Në këtë ekspozitë, që do të qëndrojë e hapur deri të shtunën, në Ditën e Flamurit, janë shpalosur edhe materiale të tjera arkivore si nga përvjetorë të pavarësisë të mbajtur ndër vite.
Ndryshe, duke përvijuar një projekt të mëhershëm të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave (DPA), ky institucion të hënën ka hapur një kënd arkivor në Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës. Kështu, kjo do ta bëjë të mundur për komunitetin e studiuesve dhe të hulumtuesve shfletimin e dokumenteve arkivore pa shkuar domosdoshmërisht në Tiranë.
Pas Gjirokastrës, Shkupit e Prishtinës, dy institucionet më të mëdha arkivore synojnë që këtë praktikë ta shtrijnë në njëqind qytete shqiptare në Kosovë, Maqedoni të Veriut, Mal të Zi, si dhe në komunat arbëreshe në jug të Italisë.
Sipas zyrtarëve të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë, deri më tani janë digjitalizuar mbi dhjetë milionë dokumente, kurse në vitet në vazhdim do të bëhet digjitalizimi i miliona dokumenteve të tjera në përputhje me interesimet e studiuesve.
