Kulturë

“NEVER SAY NEVER” universalizon thënien e Demaçit për liri e barazi

“Kurrë mos thuaj kurrë”, deklarata e famshme e Adem Demaçit në një studio televizive në Beograd më 1998, prej së martës është shndërruar në vepër arti në hyrje-daljen jugore të kryeqytetit, pikërisht në sheshin që mban edhe emrin e tij. Ajo përthekohet si thirrje universale për liri e barazi, shndërrohet në nderim jo vetëm për Demaçin. “Kemi menduar se është një vepër që u dedikohet të gjithë të burgosurve politikë. Demaçi luftonte për pavarësinë dhe lirinë të cilën e gëzojmë sot”, ka thënë Alban Muja, autor i veprës

Adem Demaçi citohet shpesh kur përmendet rezistenca e shqiptarëve të Kosovës kundër ish-Jugosllavisë e Serbisë. Shkrimtari i ri i cili do të bëhej simbol i kundërshtimit të regjimit jugosllav, kaloi gati tri dekada të jetës së tij në burg. Qe prej idealistëve që lirinë nuk e shihte si diçka që duhet ta kenë veç shqiptarët, por edhe serbët e mbarë shoqëritë e tjera.

Në një prej debateve televizive do t’i binte të përballej me politikanin serb Vuk Drashkoviq, zëvendëskryeministër i ish-Jugosllavisë e ministër i Punëve të Jashtme i atij që ishte Unioni Serbi – Mal i Zi.

“I nderuar koleg, në politikë kurrë mos thuaj kurrë”, do t’i drejtohej ai Drashkoviqit më 1998 në Beograd. Pjesa më përmbajtjesore e fjalisë së tij, “Kurrë mos thuaj kurrë” prej të martës është shndërruar në vepër arti në hyrjen-daljen jugore të kryeqytetit, pikërisht në sheshin që mban edhe emrin e Adem Demaçit, i cili vdiq më 2018.

E konceptuar si vepër arti për hapësirë publike, “NEVER SAY NEVER” me autor artistin Alban Muja qëndron vertikalisht në sheshin “Adem Demaçi”.

Në inaugurimin e veprës, autori i saj, Alban Muja, ka thënë se shprehja e Demaçit ishte inspirim që vjen nga një politikan e disident shqiptar, kontributi i të cilit dihet nga të gjithë.

“Kemi menduar se është një vepër që u dedikohet të gjithë të burgosurve politikë. Demaçi luftonte për pavarësinë dhe lirinë të cilën e gëzojmë sot”, ka thënë Muja. Sipas tij, si vepër arti, “NEVER SAY NEVER” nuk ka për qëllim vetëm të kujtojë të kaluarën në Kosovë, por të theksojë luftën për drejtësi.

“’NEVER SAY NEVER’ është gjithashtu një thirrje për të mos hequr dorë nga drejtësia, liria dhe pavarësia. Drejtësia për një popull të shtypur dhe lufta për liri dhe barazi duhet të jenë themelore dhe vepra do të jetë një monument që proklamon ketë dhe do të jetë një thirrje e vërtetë për një gjë të tillë”, ka shpjeguar ai konceptin mbi të cilin është bërë vepra. Te “NEVER SAY NEVER”, sipas tij mund ta gjejnë veten të gjithë në thirrjet dhe apelet ndaj problemeve të mundshme apo edhe ndaj porosive për të mos u dorëzuar asnjëherë në kërkesa të ligjshme, për të drejta të barabarta, për një jetë më të mirë.

“’NEVER SAY NEVER’ është një vepër e re në hapësirën publike në Prishtinë, që do të kujtojë të kaluarën dhe sakrificën e popullit tonë për liri dhe thirrje globale për barazi”, ka sqaruar ai projektin e përkrahur nga Komuna e Prishtinës dhe siç ka marrë vesh KOHA, kap shumën rreth 20 mijë euro. Vepra u dedikohet të burgosurve politikë në vitet ‘80 dhe ‘90 në Kosovë dhe të gjithë atyre që punuan dhe sakrifikuan për liri.

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka thënë se inaugurimi lidhet me dy çështje. Ka përmendur kontributin e pamohueshëm të Demaçit dhe të të burgosurve të tjerë politikë.

“Sot po e shtojmë edhe një pikë në Prishtinë për të memorializuar gjithë atë aktivitet e rezistencë kombëtare që e ka udhëhequr Demaçi edhe të tjerët”, ka thënë ministri Çeku. Ka shtuar se, po ashtu, Prishtinës po i shtohet një vepër arti në hapësira publike. E, sipas tij, projektet e tilla duhet të vazhdojnë.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se është përjetësuar shprehja e famshme e Adem Demaçit e thënë në Beograd, kur shumë pak veta do të kishin guxim të shpreheshin lirshëm për shqiptarët në ish-Jugosllavi

“E këtë e ka thënë me zëmër e shpirt midis Beogradit dhe kjo duhet të merret edhe si pikënisje, sepse me të vërtetët ne duhet të besojmë se mund të arrijmë synimet e qytetarëve. Është një fjalë që e ngrit vetëbesimin, vetëbesimin në rininë tonë, popullin tonë, një fjalë që i përmend ose i kujton të gjithë ata të burgosur politikë që kanë besuar që po, mund të jemi të lirë dhe të barabartë”, ka thënë kryetari Rama.

Shprehja e Demaçit do të jetë vepër e përhershme në një prej hapësirave publike shumë të frekuentueshme të Prishtinës. Përtej mesazhit që lidhet me kontekstin e kohës dhe rrethanave kur është thënë, “NEVER SAY NEVER” – e lartë 12 metra dhe e gjerë një metër, punuar në beton – vjen edhe si mesazh universal për liri e drejtësi.

Pikërisht në atë vend kishte iniciativë që të vendosej një shtatore e Demaçit. Në korrik të vitit 2019, tri ditë pasi ishte bërë e ditur se do të vihej guri themeltar, Zyra e kryeministrit asokohe në dorëheqje, Ramush Haradinaj, i kishte anuluar procedurat për shtatoren. Qeveria ishte përcaktuar edhe për modelin e shtatores ende pa përfunduar procedurat. Ishte paralajmëruar se shtatorja do të përurohej më 28 nëntor. Por qe anuluar “aktiviteti i prokurimit” në konkursin ku aplikuan shtatë propozime ose “operatorë ekonomikë”. Juria e kishte vlerësuar me 61.60 pikë propozimin me numrin identifikues 6669, që kishte për autor skulptorin Gëzim Muriqi. Në ceremoni ky bocet nëpërmjet projektorit qe paraqitur si modeli nga i cili do të skulpturohej shtatorja e veprimtarit të shquar, ani pse ende nuk ishte bërë vlerësimi financiar e që ishte hapi i fundit. Një javë më pas, gjatë ceremonisë, i biri i veprimtarit, Shqiptar Demaçi, në emër të familjes, kishte shprehur pakënaqësinë me zgjedhjen e modelit ideor për shtatoren e ardhshme.

“Para se të falënderoj kryeministrin dhe krejt strukturat politike dhe bashkëveprimtarët, desha ta shpreh si shqetësim publik se ne si familje nuk jemi pajtuar që ky model i shtatores të jetë model ideor për shtatoren. Mendojmë se ka zgjidhje shumë më të mira në projektin për shtatoren e Bacës Adem”, kishte thënë Shqiptar Demaçi.

E kjo pakënaqësi duket se ka qenë vendimtare që Zyra e kryeministrit ta anulojë konkursin. Të martën, familjarët e Demaçit nuk janë parë në inaugurimin e veprës së Alban Mujës.

Adem Demaçi, i lindur më 1936, kishte vdekur në korrik të vitit të kaluar. Shkrimtari do të përjetonte tri dënime me burgim, duke qëndruar në burgjet e ish-Jugosllavisë për 28 vjet. Qëndrimet e tij kundër politikës jugosllave dhe pro bashkimit me Shqipërinë kishin bërë që ai të njihej ndërkombëtarisht si njeri që luftonte për liri. Për këtë, më 1991, nga Parlamenti Evropian do ta merrte çmimin “Sakharov” për lirinë e mendimit.