Shyqri Nimani ka kohë që ka marrë epitetin si artist me nam në arte pamore. Të enjten mbrëma u rikthye edhe ana tjetër artistike e tij. Këngë të shkruara gjatë viteve të rinisë, erdhën me një frymë më moderne, duke zbuluar kështu këtë thesar të Nimanit
Ka diçka të jashtëzakonshme në krijimtarinë e Shyqri Nimanit. Sa më shumë që dikush gjurmon për të, në pah del çdoherë e më shumë profili i tij multidimensional. I njohur në botën e artit për pikturë, grafikë, dizajn dhe disiplina të tjera të arteve figurative, Nimani në rrugëtimin e tij artistik ka lënë gjumë edhe si kantautor.
Pikërisht kjo anë e tij, në koncertin që shënoi 80-vjetorin e artistit, është rizbuluar si një thesar i fshehur.
Emra të njohur, si Inva Mula, Vesa Luma, Edona Reshitaj, Mariza Ikonomi, Dren Abazi, Genc Salihu, Shpat Deda, Art Lokaj, Alban Nimani – e instrumentistët Armend Xhaferi dhe Agron Peni në kitarë, Nesim Maxhuni në bateri, Mateos Gjipi në piano, Rajkard Bardhi në trumpetë, Ilir Vorpsi trombon e Brikel Guga në saksofon – interpretuan disa këngë të Nimanit, duke rikthyer kështu në jetë këto vepra që i kishte mbuluar pluhuri.
Koncerti nisi me “Janë të rinj” interpretuar nga Shpat Deda, që i dha koncertit një pamje mjuziklli për të kaluar tek “Adriana” e interpretuar nga Genc Salihu.
“Lulëzoi pranvera, tani erdh vera. Erdhi dhe vjeshta, por ajo nuk erdh, o Adriana, vogëlushja ime, o Adriana, unë ty të dua”, ishin vargjet e këngës që Nimani e këndoi në Radio Televizionin e Kroacisë në Zagreb, si i ftuar i këngëtarit të famshëm kroat, Krunosllav Kiço Sllabinac.
Genc Salihu ka thënë se ka kohë që është i interesuar në kulturën muzikore të vendit dhe ruajtjen e vlerave të së kaluarës, dhe kështu kishte hasur edhe në krijimtarinë e Nimanit.
“Për mua këto lloj ngjarjeje janë shumë të rëndësishme pasi që e rinjoftojnë publikun tonë me materiale kulturore, të cilat praktikisht i kemi humbur për shkak të këtij 10-vjeçari të të 90-ve kur nuk kemi pasur institucione dhe mediume që munden me u marrë me atë material”, ka thënë ai. Ka shtuar se është i lumtur që “kanë arritur ta nxjerrin nga naftalina këtë program”.
“Të gjithë e dimë se çfarë ndodh tani, këto këngë shndërrohen në ortek. Janë topa të vegjël njëherë, por kanë dalë dhe tani e pushtojnë botën dhe mezi po pres me i pa njerëzit duke i bërë ‘share’ dhe duke i mësuar”, ka thënë ai.

Këngët e Nimanit me freskinë që ua dhanë muzikantët, vërtetuan se janë akoma sharmante dhe rezonojnë mirë me të tashmen.
Sopranoja e njohur, Inva Mula, ka thënë se ka kohë që e njeh Nimanin si akademik dhe njeri të artit figurativ, por dimensionet e muzikës, sipas saj, ishin po ashtu një surprizë e jashtëzakonshme.
“Sonte, pasi që kam qenë edhe në publik, si të gjithë artistët e tjerë, kam ndier një emocion të veçantë. Nuk janë këngë, janë krijime që qëndrojnë shumë fortë në të gjithë atë krijimtarinë shqiptare”, ka thënë ajo. Ka shtuar se kompozitorët dhe këngëtarët duhet ta kthejnë kokën prapa dhe të shikojnë këtë artist të madh, i cili ka lënë një krijimtari të shkëlqyer.
Kantautori Shyqri Nimani, gjatë karrierës së tij muzikore të viteve ’60, ’70 dhe ’80, ka realizuar rreth 100 këngë në Radio Televizionin e Prishtinës, si dhe ka botuar tri albume me Jazz Orkestrën e Radio Televizionit të Beogradit.
Këngët, si “Adriatiku”, “Ilirjana” dhe “Adriana”, të kënduara nga Nimani, dikur ishin në top-listat muzikore të Jugosllavisë .
Mariza Ikonomi solli këngën “Pikniku në liqen”, një këngë nostalgjike që sjell një rrëfim dashurie në Liqenin e Bledit në Slloveni. E Art Lokaj, solli “Fëllënza mban unazën time”. Kurse këngën “Studenti dhe dashunija”, këngë me të cilën Nimani fitoi shpërblimin e parë të publikut në festivalin e parë muzikor “Akordet e Kosovës” më 1963, e interpretoi Edona Reshitaj. Njashtu si kjo këngë, gati si gjithë mbrëmja pati nuanca world jazz.
Këngëtarja Edona Reshitaj ka thënë se nuk ishte në dijeni që Nimani kishte një krijimtari kaq të bujshme muzikore.
“Aq shumë më kanë pëlqyer këngët, aq shumë i ngazëlleva me krejt këtë repertor, pasi që është një repertor që e pasuron edhe repertorin tonë dhe ishte diçka e jashtëzakonshme”, ka thënë ajo, gjersa ka falënderuar Nimanin për krijimtarinë që ka lënë.
Shumë prej këngëve i takonin epokës së artë të “Akordeve të Kosovës”, ku Nimani kishte rrëmbyer edhe çmime. Nga artistët, këngët u vlerësuan edhe për fuqinë e tyre emocionale.
“Brenga ime, do të shuhet kur të kthehem në vendlindje, n’fshatin tim përsëri”, ishin vargjet e këngës “Dashuria e mërgimtarit” që e solli Vesa Luma.
“Kam dëgjuar dy-tri këngë, por nuk kam qenë në dijeni që ka një krijimtari kaq të madhe të muzikës. Përderisa po i përzgjidhnim këngët me Albanin (Nimanin v.j.) hyra bash në botën e tij dhe e kuptova shumë më shumë edhe kohën kur ata kanë jetuar dhe muzika ishte e jashtëzakonshme”, ka thënë Luma. Ka falënderuar edhe bendin, i cili e ka transformuar muzikën duke i dhënë një nuancë më jazz e duke e bërë më të kapshme edhe për publikun.

Ishte i biri i tij, këngëtari e artisti Alban Nimani, ai që kishte bërë bashkë këta artistë. Si muzikant, ai e dinte vlerën e këngëve të të atit dhe synonte që këtë pjesë të së kaluarës ta rikthente në të tashmen, duke ua dhënë këngëve një mundësi të re për t’u jetësuar përsëri në skenë.
“Për mua ishte shumë e rëndësishme pasi që kisha dëshirë me e lidh të kaluarën me të tashmen, sepse ne kemi muzikantë tepër të mirë e që nuk i dimë. Po ashtu, kemi edhe muzikë në të kaluarën që nuk e njohim shumë. Prandaj, kam dashur që të lidh traditën pra trashëgiminë e kohës së Radio Televizionit të Prishtinës me artistët e rinj”, ka thënë ai. Sipas tij, e rëndësishme është që të vihet në pah krijimtaria e artistëve të mëhershëm.
“Duhet krijuar një vazhdimësi të respektit ndaj njerëzve që kanë punuar përpara, kështu besoj që rriten niveli, kultura dhe e krijojmë një histori shumë të mirë tonën, pra të Kosovës”, ka thënë ai.
Alban Nimani, po ashtu, solli këngët “Ilirjana” dhe “Adriatiku”, që hyri në 12 këngët më të kërkuara në ish-Jugosllavi sipas të së përjavshmes kroate “Plavi Vjesnik”, e njohur edhe si “Plavac” që u botua prej vitit 1954 deri më 1973.
“Nëpër gjemba drejt yjeve”, titulli i koncertit, sipas vetë kryeprotagonistit të mbrëmjes Shyqri Nimanit, vjen si përshkrim i jetës së tij të vështirë.
“Unë mendoj se sonte është thënë gjithçka që është dashur që të thuhet dhe është thënë në mënyrën më të bukur, e mënyrë më të bukur se muzika nuk ekziston. Unë jam marrë me 12 fusha të ndryshme dhe me arte, por dua ta pranojmë se muzika është arti i parë për arsye se depërton në shpirtin e njeriut dhe e ngashënjen. Dhe unë sa herë që e dëgjoj sot muzikën çlodhem nga puna ime”, ka thënë ai. Ka shtuar se ka lënë pas muzikën për t’u fokusuar në shkollimin e brezave të ardhshëm.
Në vitin 1978, Nimani do të kthehej në Kosovë pas qëndrimit për dy vjet në Japoni si bursist i Qeverisë japoneze për hulumtim artistik. Atë vit e përmbylli karrierën e tij si muzikant. E fundit këngë ishte “Kupa e ndarjes”. “Sytë e zi, sytë e ty të zi, e shoh që s’kanë më dashuri”, ishin vargjet e këngës që u interpretua nga Dren Abazi, dhe përmbylli edhe koncerti.
“Nëpër gjemba drejt yjeve”, së shpejti do të transmetohet i plotë edhe në KTV.
