Janë 25 vepra që zënë vend në galerinë “Paper” në Prishtinë, por nëpërmjet tyre vizitori ka mundësi të “zhvendoset” në atelienë e maestros Nusret Salihamixhiqi të shohë se si merrte formë vepra e tij, e të rrugëtojë nëpër kapitujt e krijimtarisë së tij. Ekspozita ka për titull nënshkrimin e tij dhe një gjetje si kjo merr tjetër kuptim: Nusret Salihamixhiqi nuk i ka nënshkruar vetëm veprat e tij, por edhe artin modern në Kosovë. Thesari që ka lënë pas është vulë e trashëgimisë së këtij vendi
Janë 25 vepra të cilat publikut ia mundësojnë të futet në botën e maestros Nusret Salihamixhiqi, tek ofrojnë ndjesinë e vizitës në atelienë e tij, si një rrëfim intim për mënyrën se si ai i jepte formë një vepre. Ekspozita ka për titull nënshkrimin e tij dhe shpalos kronologjikisht evoluimin e veprave nga skica te loja me pikturë. Ndonëse koleksioni i ekspozuar përfshin edhe krijimtarinë e hershme të tij, i përshtaten mahnitshëm dhe vijnë si paraprirje e skenës moderne artistike. Stili, teknikat e artistit janë unike dhe ato që e identifikojnë artistin, pionier i modernizmit në këto anë.
Muret e njërës dhomë në galerinë “Paper” në kryeqytet ngjajnë ndryshe të veshura me artin e Salihamixhiqit. Duken kontrast tri sipërfaqet mes vete. Veprat vijnë si intensifikim i pikturës së tij. Një vështrim ndër vite në krijimtari është si leksion nga nisja deri në përfundimin e veprës.
Duket i papërfunduar njëri punim që bëhet e ditur të jetë i vitit 1950. Janë figura të veçanta njerëzish, kokat e disa prej të cilëve janë më të theksuara. Një tjetër e po asaj kohe, që i ngjan goxha, vjen edhe më e theksuar, derisa me veprën e vitit 1953 sikur kthehet pas në kohë. Është lojë me teknikën e tij ku vepra unike i ngjan një skice të thjeshtë të punuar me laps.
Jo fort i dallueshëm është njeriu kur shënjohet veç me vija lapsi derisa loja me ngjyra është ajo që bie e para në sy. Është një rrugëtim në gjashtë dekada të krijimtarisë së këtij emri të përveçëm të artit. Nusret Salihamixhiqi vdiq në fund të tetorit të vitit 2011. Secila ekspozitë me veprat e tij është rihapje e kapitujve të trashëgimisë artistike.

Figurën e njeriut e sjell në dimension modern që i përafrohet abstraktes. Me sfondin e tyre i çon ato në horizonte të panjohura derisa me botën imagjinare distancohet prej reales.
Me njërën pikturë të vitit 1970 përball njerëzit mes tyre dhe i lidh me krijesa mistike. Veprat më të vonshme duken më të perfeksionuara dhe të kompletuara. Vijat e zgjatura të deformuara me ngjyra ngjajnë në labirinte dhe krejt ekspozita në përgjithësi është narrativë retrospektive e artistit.
Vjetërsia e pikturës dallohet prej gjendjes së kornizave origjinale e në disa prej tyre edhe prej ngjyrave që koha i ka zbehur. Veprat e artistit modernist shtjellojnë si primitiven, ndryshimet e figurave e peizazheve.
Koordinatori i galerisë “Paper”, Vullnet Jakupi, ka thënë se ekspozita është ndërtuar me veprat që Salihamixhiqi i ka punuar ndër dekada.
“Në murin e majtë të galerisë kemi vendosur pikturat që datojnë prej viteve ’50, fillon me skica, mandej skica me tush të zi dhe me ngjyra. Në pjesën ballore kemi vepra të cilat janë prej vitit 1945 deri në vitet ’50. Mund edhe të vërehet vjetërsia e pikturës prej kornizës së saj dhe ngjyrës së zbehtë që është bërë ndër vite. Punimet që janë të instaluara në anën e djathtë janë kulmi i stilit të artistit”, ka thënë Jakupi.
Nënshkrimi i artistit Nusret Salihamixhiqi në titullin e ekspozitës është simboli i shenjave të tij në skenën e artit bashkëkohor në vend.
“Kjo përzgjedhje ka qenë interesante pasi pas shumë bisedave që kemi pasur me familjarët na kanë treguar që pak para vdekjes ka nisur të nënshkruante edhe disa prej pikturave që nuk i ka pasur të firmosura, mirëpo në disa prej tyre i ka dy deri në tri nënshkrime. Për ne kjo ka qenë shumë sinjifikante për shkak se njëlloj sikur nënshkrimi që ka bërë në veprat e tij, ka lënë një nënshkrim të madh në artin bashkëkohor të Kosovës”, ka shpjeguar Jakupi derisa ka thënë se “Paper” kishte përzgjedhur ta paraqesë një lloj evolucioni të veprave prej skicës, në tush të zi, më pas në skicë me ngjyrë dhe përfundimisht në veprën finale.
Muzikanti Arsim Salihamixhiqi, i biri i artistit të ndjerë Nusret Salihamixhiq, ka thënë se shumë prej pikturave e rikthejnë në kohën kur maestroja punonte në to.
“Shoh këtu disa prej veprave të tij që i ka punuar në vitet ’70, ’80 e shumë më herët. Ai në fakt ka dominuar, në të njëjtin stil, por në një frymë krejtësisht të re e ato janë këto miniaturat që janë punuar viteve të fundit para se të ndërronte jetë. Ka prej pikturave që më kthejnë në atë nostalgjinë dhe në fëmijërinë time kur kam qenë i vogël dhe e shihja atë duke punuar. Ka qenë kënaqësi e madhe”, ka thënë Salihamixhiqi.
Veprat e ekspozuara janë lloj leksioni për artistët e rinj. Sipas grafistit Enver Rakovica, pak njerëz i kanë parë ato.
“Janë vepra të papara dhe janë frymëzim për studentët e artit të cilët i kisha ftuar të gjithë t’i shohin këto vepra. Secili do ta gjente veten në to. Të gjitha veprat janë shumë të mira, fenomenale. Ka qenë shembull i origjinalitetit të tij. Asnjë kritik i artit artdashës nuk mund t’i dallojë veprat e tij të thotë se kjo është më e mirë se tjetra, të gjitha janë shumë të mira”, ka thënë grafisti Rakovica.
Ekspozita retrospektive me veprat e Salihamixhiqit do të qëndrojë e hapur deri më 21 dhjetor. Gjatë kësaj kohe ajo do të pasurohet me materiale shtesë nga arkiva e tij si skica e publikime të hershme. Një qasje e tillë, sipas koordinatorit të “Paper Gallery”, Vullnet Jakupi, bëhet “për t’i treguar gjeneratës së re për kontribuuesit e ndërtimit të identitetit artistik të Kosovës”.
Nusret Salihamixhiqi (1931-2011) shkollën fillore e kreu në vendlindje në Zhabar të Mitrovicës, Shkollën e Mesme të Artit në Pejë, ndërsa studimet në Akademinë e Arteve Aplikative në Beograd, drejtimi i pikturës monumentale në vitin 1959. Një kohë punoi si ilustrues në “Rilindje”, më pas në Gjakovë si mësimdhënës i artit në Shkollë të Mesme, ndërsa më 1970 në Shkollën Normale në Prishtinë. Në vitin 1975 nisi të punonte në Akademinë e Arteve në Prishtinë. Ishte anëtar i Shoqatës së Artistëve Aplikativë të Kosovës. Ishte fitues i disa çmimeve publike dhe profesionale dhe i mirënjohjeve të ndryshme: çmimi i fundit “Mosha Pijade” (1967), i Sallonit IV Pranveror të Kosovës (1977), i Bienales II të Vizatimit në Prishtinë e të tjera.
Punimet e Salihamixhiqit ishin ekspozuar në vitin 2011 në ekspozitë personale në Galerinë Kombëtare të Kosovës. Qe një përzgjedhje prej 120 veprash prej vitit 1958 deri më 2011. Veprat e tij ishin ekspozuar edhe në ekspozitën retrospektive “Loja” në maj të vitit të kaluar në Galerinë e Ministrisë së Kulturës, me kurator artistin Jakup Ferri. Rreth 50 punime të piktorit të njohur kapnin një periudhë kohore prek viteve ‘60 deri në vitet e fundit të jetës së tij.