Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Nënkalimi tek “Agim Ramadani” është “rrezik për trashëgiminë”, projekti refuzohet për së dyti

Imazh i projektit ideor të Komunës së Prishtinës për nënkalim tek “Agim Ramadani”

Imazh i projektit ideor të Komunës së Prishtinës për nënkalim tek “Agim Ramadani”

“Rrezikon autenticitetin dhe integritetin e trashëgimisë kulturore; rrezikon në zhdukjen ose dëmtimin e gjurmëve arkeologjike dhe arkitektonike të periudhave të zhvillimit historik të qytetit të Prishtinës, nga periudhat parahistorike deri në kohën bashkëkohore”, janë konstatimet që ka nxjerrë Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve kur ka refuzuar projektin për nënkalim midis Kuvendit të Kosovës dhe Xhamisë së Çarshisë në rrugën “Agim Ramadani”. Për më tepër, sipas IKMM-së, projekti “nuk i plotëson kushtet profesionale dhe teknike për dhënien e pëlqimit dhe paraqet ndërhyrje me ndikim të lartë në integritetin urban dhe vlerat kulturore të zonës”. Zyrtarët komunalë të martën kanë heshtur për vendimin i cili e konfirmon refuzimin e projektit

Me arsyetimin se projekti rrezikon autenticitetin e trashëgimisë kulturore të asaj zone, Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve ka refuzuar për të dytën herë projektin për nënkalim midis Kuvendit të Kosovës dhe Xhamisë së Çarshisë në rrugën “Agim Ramadani”. Projekti, i cili është prej zotimeve kryesore të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, sipas institucioneve të trashëgimisë kulturore mund të cenojë shtatë monumente që gjenden përreth. 

Në ditën 25 të shkurtit, vendimi ia mbyll rrugën edhe një herë tunelit të planifikuar në qendër të Prishtinës. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Refuzohet kërkesa e parashtruar nga Komuna e Prishtinës, projekti ideor i ‘nënkalimit në rrugën Agim Ramadani’, i cili shtrihet në perimetrin e Qendrës Historike të Prishtinës, aset i listuar në Mbrojtje Ligjore, Kategori Arkitekturore, Nënkategori Fushë e Konservimit Arkitekturor dhe si i tillë ndikon në tjetërsimin e tipareve të ndërtuara dhe atyre natyrore që gjenden brenda bërthamës së sipërfaqes së mbrojtur të Qendrës Historike të Prishtinës”, shkruhet në pikën e parë të vendimit të nënshkruar nga zëvendësuesja e drejtorit të IKMM-së, Rreze Loxha-Vitaku. Po nëpërmjet këtij vendimi urdhërohet Drejtoria për Urbanizëm, Planifikim dhe Mbrojtje të Mjedisit në Komunën e Prishtinës, si dhe çdo organ tjetër ta zbatojë vendimin.

“Ndërhyrje substanciale në bërthamën e Qendrës Historike të Prishtinës”

Në këtë dokument tregohet se Komisioni Profesional Shqyrtues i IKMM-së në takimin e datës 20.2.2025 ka shqyrtuar kërkesën e Komunës së Prishtinës të bërë me 12.2.2026. Në arsyetim shkruhet se projekti i propozuar për nënkalim paraqet ndërhyrje substanciale në bërthamën e Qendrës Historike të Prishtinës që përmban asete të trashëgimisë kulturore arkitekturore dhe arkeologjike me vlera të veçanta historike. 

“KPSH-IKMM vlerëson se zgjidhja e propozuar: Ndikon në ndryshimin e gjendjes urbane dhe strukturës historike të zonës – ndryshim i profilit natyror; Rrezikon autenticitetin dhe integritetin e trashëgimisë kulturore; Rrezikon në zhdukjen ose dëmtimin e gjurmëve arkeologjike dhe arkitektonike të periudhave të zhvillimit historik të qytetit të Prishtinës, nga periudhat parahistorike deri në kohën bashkëkohore”, shkruhet në arsyetim. Bëhet e ditur se në dokumentacionin e paraqitur nuk ofrohet studim dhe analizë e detajuar rreth ndikimit dhe rrezikut që këto punime mund t’ua shkaktojnë monumenteve. Xhamia e Gurit, Xhamia e Jashar Pashës, Muzeu Kombëtar i Kosovës, Teatri Kombëtar i Kosovës, Hotel Unioni, ish-Kadastra, ish-Gjykata e Qarkut janë monumente që rrethojnë zonën. Sipas IKMM-së, në planet e Komunës po ashtu mungon vlerësimi i ndikimit në strukturën rrugore historike urbane të Qendrës Historike të Prishtinës dhe në marrëdhëniet hapësinore midis monumenteve.

“Të dhënat e paraqitura në dokumentacionin teknik nuk ofrojnë informacion të mjaftueshëm lidhur me: Metodologjinë e ndërtimit dhe fazat e ekzekutimit; Analizën e ndikimit në strukturat ekzistuese mbi dhe nën tokë; Mungon një studim i mirëfilltë i ndikimit në trashëgiminë kulturore (Heritage Impact Assessment), si parakusht thelbësor për projekte të kësaj natyre brenda perimetrit të QHP-së dhe zonave të mbrojtura të monumenteve; Mungon analiza e nivelit dhe ndikimit të ujërave nëntokësorë”, shkruhet në arsyetim. Komisioni po ashtu ka shtuar se edhe pse projekti synon reduktimin e qarkullimit mbitokësor të automjeteve në bërthamën e QHP-së, nuk është paraqitur një studim i plotë i fizibilitetit të trafikut dhe mobilitetit urban, i harmonizuar me dokumentin strategjik që është në hartim si “Studimi i fizibilitetit” dhe “Plani i menaxhimit për QHP”. Instituti ka ardhur në përfundim se projekti i ofruar nuk e eviton komplet komunikacionin mbi sipërfaqe, por ofron dy lloje të komunikacionit, atë nëntokësor dhe mbitokësor. Sipas leximit që IKMM ia ka bërë projektit, sipërfaqja mbi nënkalim nuk është dizajnuar si hapësirë publike e nivelit të lartë, por është thjesht një hapësirë boshe ku lejohen edhe makinat dhe njerëzit, gjë që e bën mjedisin të pasigurt për prezencën e këmbësorëve dhe nuk e justifikon nënkalimin.

Për Institutin e Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve, “projekti i propozuar për nënkalim paraqet ndërhyrje substanciale në bërthamën e Qendrës Historike të Prishtinës, që përmban asete të trashëgimisë kulturore arkitekturore dhe arkeologjike me vlera të veçanta historike”

“Duke u bazuar në konstatimet e mësipërme, KPSH-IKMM vlerëson se projekti i propozuar për ‘nënkalimin në rrugën Agim Ramadani’ nuk i plotëson kushtet profesionale dhe teknike për dhënien e pëlqimit dhe paraqet ndërhyrje me ndikim të lartë në integritetin urban dhe vlerat kulturore të zonës”, shkruhet në arsyetim. Sipas vendimit, zgjidhja e propozuar me laura të gjata hyrëse dhe dalëse brenda QHP-së krijon barriera fizike dhe vizuale që fragmentojnë strukturën urbane ekzistuese dhe shkëpusin lidhjen funksionale ndërmjet dy qendrave. 

“Duke qenë që është në bërthamën e qytetit të vjetër, ekziston potencial i lartë për ndikim në shtresat arkeologjike, duke qenë se nëntoka e zonave historike përmban shpesh struktura dhe gjurmë të periudhave të mëhershme. Gërmimet e thella për realizimin e nënkalimit përbëjnë rrezik për dëmtim të pakthyeshëm të këtyre vlerave. Për këtë pjesë duhet të bëhen analiza jo-invazive dhe të kushtueshme arkeologjike”, shkruhet në arsyetim. IKMM pas shqyrtimit të të gjitha shkresave të lëndës, në referencë të legjislacionit në fuqi, Ligjit për trashëgiminë kulturore ka ardhur në përfundim se projekti i Komunës ndikon në ndryshimin e gjendjes urbane të bërthamës të Qendrës Historike të Prishtinës dhe ka ndikim negativ në asetet e trashëgimisë kulturore duke kontribuar në zhdukjen e gjurmëve të trashëgimisë kulturore dhe në strukturën rrugore urbane. Po ashtu është konstatuar se projekti, ashtu siç është, ndërpret harmoninë historike midis hapësirës urbane dhe trashëgimisë kulturore. Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve është institucion që gëzon të drejtën e vetos për projekte që prekin zonat e mbrojtura të trashëgimisë kulturore.

Refuzimi “i paralajmëruar” qysh në janarin e vjetëm

Projekti për nënkalim në atë zonë, Komunës i është refuzuar edhe në janar të vitit të kaluar. Zyrtarët komunalë të martën nuk kanë dashur ta komentojnë vendimin e ri të IKMM-së. Kanë rekomanduar që t’i drejtohen pyetje Zyrës për informim. 

Në majin e vitit të kaluar, Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore do të ndalonte punimet e nisura nga një kontraktor i Kompanisë për Distribuimin e Energjisë Elektrike (KEDS) me leje të Komunës së Prishtinës dhe pa miratim të institucioneve të trashëgimisë kulturore. Në gropën e hapur afër Xhamisë së Çarshisë – me shpimet nën trasenë e rrugës “Agim Ramadani” –  kishte dalë në pah një strukturë muri, i ndërtuar me gurë të lidhur me llaç gëlqeror me dimensione të dokumentuara prej rreth 90 centimetra gjerësi dhe 1 metër e 80 centimetra lartësi. “Muri në fjalë shtrihet në drejtim veri-jug, por duhet theksuar se ky orientim nuk përkon me orientimin e vetë objektit të Xhamisë, duke sugjeruar që mund t’i përkasë një ndërtese të mëvonshme dhe të pavarur nga struktura e xhamisë”, shkruhej në raportin e hartuar nga arkeologët e Institutit Arkeologjik të Kosovës. Komuna e Prishtinës në këtë fillimvit ka marrë leje për punime në rrugën “Qamil Hoxha”, e cila kryqëzohet me “Agim Ramadanin”. Por janë dashur tetë muaj që debate, deklarata, “stand-up-e” në rrjete sociale, kryesisht të zyrtarëve komunalë të Komunës së Prishtinës, për të marrë rrugën e duhur implementimi i projektit që ndërhyn në atë rrugë. Prej mesit të majit të vitit të kaluar ajo rrugë, që lidhet me Bulevardin qendror të qytetit, është shndërruar në vendpunishte ku s’është punuar asgjë dhe duket hapësirë e shëmtuar në zemër të Prishtinës. IKMM-ja ka ardhur në përfundim se projekti i plotëson kushtet për implementim. Punimet qenë ndërprerë nga Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore, pasi po punohej pa leje në zonën e mbrojtur të Qendrës Historike të Prishtinës dhe po ashtu në afërsi gjendet monumenti “Shtëpi banimi – Ismail Sahatçiu”. Telashet e Komunës vazhdojnë te sheshi “Xhorxh Bush”. 

Projekti për ndërhyrje tek “Agim Ramadani” është prej zotimeve kryesore të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama

Tri tentime të Komunës së Prishtinës për të zhvilluar punimet pa leje në sheshin “Xhorxh Bush”, që për Ministrinë e Kulturës është zonë nën mbrojtje e Qendrës Historike të Prishtinës, ishin bërë lëndë e mjaftueshme për Policinë e Kosovës që ta hetojë këtë rast. 

Zyrtarë të Inspektoratit dhe të Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore kishin intervistuar për këtë rast. Komunës në këtë projekt i janë ndalur punimet tri herë. Punimet i ishin ndalur më 12 mars të vitit të kaluar. Më pas më 15 prill. Dhe për të tretën herë më 29 prill. Herën e fundit edhe me ndërhyrje të Policisë së Kosovës, pasi Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore pengohej nga vetë kryetari i Komunës, Përparim Rama, dhe një pjesë e kabinetit të tij. Për këtë projekt Komuna ka nënshkruar kontratë 18.4 milionë euroshe. Pas ndaljes së punimeve për herë të parë Komuna ka kërkuar leje, por Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve ka lëshuar rekomandime duke kërkuar plotësim të dosjes. E pas një takimi sivjet midis zyrtarëve institucionalë për këtë çështje, Komunës i është propozuar që të dërgohet për miratim projekti në faza. Por një gjë e tillë nuk është bërë ende, megjithëse të martën në “Xhorxh Bush” janë parë lëvizje. Rrethojat janë “zgjatur” në drejtim të “Hotel Grandit” Në vjeshtën e vitit 2024 Komunës i janë ndalur punimet edhe për projektin e “Ishullit Urban Arbëri – Pallat i Rinisë”, me arsyetimin se një pjesë e projektit hyn në zonën e mbrojtur të QHP-së e po ashtu prek edhe Pallatin e Rinisë dhe Sportit, që është monument. Komuna ka kërkuar leje, por i është refuzuar. Kontrata për implementimin e këtij projekti peshon 6.5 milionë euro.