Filmi që e futi Kosovën për herë të parë në garën për “Palmën e Artë”, sot (e premte) do të jepet premierë në programin e dhjetëshes që nis prej orës 11:00. Regjisori Samir Karahoda të enjten ka thënë se filmi veçse ka nisur të marrë kritika pozitive. Producenti Eroll Bilibani ka thënë se përveç filmit po flitet edhe për kinematografinë vendore. “Është duke u folur shumë për kinemanë e Kosovës dhe për sukseset e fundit të kinemasë së Kosovës. Është duke u konsideruar si një nga shtetet që ka pasur një zhvillim më të shpejtë dhe me të mirë të filmit në këto vitet e fundit”, ka thënë ai
Mesdita e së enjtes regjisorin Samir Karahoda e ka gjetur në “Buñue”. Është një nga sallat kryesore në Pallatin e Festivaleve e të Kongreseve ku mbahet Festivali i Filmit në Cannes. Ka përfunduar një kontroll teknik të filmit në kinemanë që mori emrin sipas regjisorit të njohur spanjoll Luis Buñuel.
“Gjithçka është gati për nesër”, ka thënë ai për KOHËN. Të premten prej orës 11:00 do të shfaqen filmi “Pa Vend” i Karahodës bashkë me dhjetë filmat që janë pjesë e garës për “Palmën e Artë” për film të shkurtër.
bëri bujë duke dërguar për herë ta parë një film nga Kosova në garë zyrtare në atë që njihet si një nga festivalet më prestigjioze të filmit në vend. Në edicionin e 74-t të Festivalit, Karahoda ka dërguar filmin e zhanrit docu-fiction që përcjell përpjekjet e vazhdueshme të Jeton Mazrekut dhe Ermegan Kazazit, të udhëhequr nga trajneri i tyre Rifat Rifati, që të mbajnë gjallë sportin e pingpongut duke zhvilluar gjenerata të reja sportistësh.
Karahoda një ditë para premierës së filmit ka thënë se kanë shkuar në Cannes për të prezantuat punën e bërë.
“Arritja e filmit tonë për të qenë në një konkurrencë të tillë mendoj që duhet të konsiderohet si një sukses i madh”, ka thënë ai. Ka shtuar se nuk ka dëshirë që të flasë për pritjet karshi garës pasi që i takon jurisë që ta vlerësojë më të mirin. Ka theksuar se mendon se të gjithë dhjetë filmat që janë në program, kanë ardhur me meritë pas një seleksionimi rigoroz nga dhjetë anëtarët e Festivalit.
Nga gjithsej 3.739 sa synuan garën për në kategorinë e filmave të shkurtër. Në edicionin e sivjetmë të Festivalit, “Pa Vend” do të ketë konkurrencë filmin “North Pole” nga Maqedonia e Veriut, “In the Soil” nga Danimarka, “Orthodontics” nga Irani, “The Right Words” nga Franca, “Through the Haze” nga Portugalia, “Sideral” bashkëprodhim braziliano-francez, “All The Crows In The World” nga Hong-Kongu, “August Sky” bashkëprodhim braziliano-islandez dhe “Absence” nga Kina. Filmat e shkëlqimi i Festivalit të Filmit në Cannes i kanë rënë në sy edhe Federatës Ndërkombëtare të Pingpongut. Pasditen e së mërkurës pikërisht kjo federatë pati në qendër të vëmendjes filmin e shkurtër “Pa Vend”.
“Prania e filmit ‘Pa Vend” në Festivalin e Filmit në Cannes është një moment krenarie për pingpongun në skenën ndërkombëtare dhe Federata u uron fat të gjithëve që janë të përfshirë në këtë projekt”, është urimi me të cilin kishte përmbyllur Federata shkrimin e saj. E Karahoda ka thënë se urime të ngjashme e kritika pozitive tashmë kanë marrë edhe nga profesionistë të filmit.
“Deri më tani kanë marrë komente jashtëzakonisht të mira nga profesionistët e filmit dhe kritika, pasi që ata kanë mundur ta shohin filmin më herët dhe mendoj që edhe publiku do të ndahet i kënaqur pasi që me të vërtetë mendoj se është një film i mirë”, ka thënë ai. Por mbetet për të parë sesi do të jetë mbrëmja e së shtunës për ekipin kosovar, atëherë kur do të ndahen çmimet.
“Pa Vend” është filmi i dytë i regjisorit nga Prizreni. Samir Karahoda debutoi si regjisor me dokumentarin e tij “Në mes”. Me këtë projekt ai për herë të parë e vuri emrin e Kosovës në konkurrencën zyrtare të “Berlinales”, një prej festivaleve të shquara të Kategorisë A.
E pasditen e së enjtes, regjisori bashkë me producentin Eroll Bilibani, dy personazhet kryesore Kazazi dhe Mazreku, si dhe montazheri Enis Saraçi kanë qenë të pranishëm në një koktej të përgatitur nga televizioni franko-gjerman “ARTE”, i cili i ka blerë të drejtat për transmetimin e filmit në territorin e Francës dhe të Gjermanisë. Aty ekipi pati mundësinë që të takonte përfaqësues të televizionit, si dhe mysafirë të tjerë të ftuar. Pas ndejës, producenti Eroll Bilibani ka thënë se shpreson që pas premierës të kenë lajme të mira për të gjithë.
“Për filmin është duke u folur mjaft këtu. Ata që e kanë parë janë duke e cilësuar si një film të kualitetit shumë të lartë. Po shpresoj që pasi që të përfundojë premiera në Festivalin e Cannes të fillojmë të mendojmë edhe për distribuim të filmit në festivale të tjera e në pjesë të tjera të botës”, ka thënë ai. Ka theksuar se tani në fokus kanë të bëjnë me një prezantim dinjitoz të Kosovës.
“Të kinematografisë kosovare pasi që këtu është duke u folur shumë për kinemanë e Kosovës dhe për sukseset e fundit të kinemasë së Kosovës. Është duke u konsideruar si një nga shtetet që ka pasur një zhvillim më të shpejtë dhe më të mirë të filmit në këto vitet e fundit”, ka treguar Bilibani.
Ka thënë se i bën krenar fakti se puna si produksion, por edhe si përfaqësues të festivalit “DokuFest” në Kosovë kanë pasur mundësinë që të japin kontribut në zhvillimin e kinematografisë.
“Në zhvillimin e regjisorëve të rinj në zhvillimin e kineastëve që premtojnë dhe mendoj se e ardhmja është e ndritshme për kinematografinë e Kosovës, dhe që tani për tani mund të them pa modesti, jemi një superfuqi e filmit në veçanti në Evropë, por edhe më gjerë”, ka thënë ai. Ka shtuar se tani vjen pjesa më e vështirë .
“Suksesi ndoshta është i lehtë për t’u arritur, mirëpo është vështirë pastaj për ta mbajtur atë kualitet dhe atë standard me të cilin e kemi mësuar audiencën ndërkombëtare e festivalet e ndryshme ndërkombëtare”, ka thënë ai.
Në këtë festival prestigjioz, nga Kosova vëmendje ka marrë edhe Luana Bajrami. 20-vjeçarja nga Kosova është bërë regjisorja më e re që në një hark gjysmëshekullor të historisë së “Director's Fortnight”, organizim paralel brenda Festivalit të Cannes, shfaqi filmin e saj. “Luaneshat...” pati premierën të enjten e javës së kaluar. Tema e filmit ka të bëjë me ëndrrat, rebelimin e ngulmimin në arritje të qëllimit. Mbi të gjitha, me energjinë rinore. Por, paralelisht, ekipi i “Luaneshat e kodrës” e dëshmon një gjë të tillë edhe në jetën reale, e këtë energji e ka çuar edhe në ngjarjen e madhe ku pos regjisores të pranishëm ishin edhe aktorët Flaka Latifi, Uratë Shabani, Era Balaj e Andi Bajgora.