Shoqata “Kosova për Sanxhakun” me përkrahjen e Ministrisë së Kulturës mbajti sot simpoziumin shkencor “Lahutarët e Sanxhakut të Pazarit të ri”, ku u tha se do të ofrohen të dhëna të reja për pasardhësit e lahutarëve të njohur.
Kryetari i kësaj shoqate, Ismet Azizi tha se ky aktivitet shënon një hap të rëndësishëm në shkencën folkloristike, pasi është ndër simpoziumet e rralla të kësaj natyre.
Azizi tha se kjo shoqatë do të vazhdojë veprimtarinë e saj me qëllim të kultivimit dhe ndriçimit të elementeve kulturore.
“Ky aktivitet i cili zhvillohet nën organizimin e shoqatës “Kosova për Sanxhakun”, me mbështetjen e çmuar të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, shënon një hap të rëndësishëm në fushën e shkencës së folkloristikës sonë, sepse mëton të vlerësojë drejt e në mënyrë shkencore rezultatet e arritura deri më sot nga shkencëtarë shqiptarë e boshnjakë, do të hedhë dritë mbi kulturën tonë në përgjithësi dhe mbi çështjen e epikës legjendare në veçanti”, ka thënë Azizi.
Kurse përfaqësuesi i MKRS-së, Valon Kashtanjeva, drejtor për të drejtat autoriale, tha se kjo ministri do të jetë gjithmonë e gatshme të mbështesë ngjarje të tilla kulturore. Ai në emër të ministrit Kujtim Gashi, i përgëzoi hulumtuesit dhe tha se kanë bërë një punë madhore.
“Një organizim shumë i rëndësishëm në përgjithësi për kulturën tonë. Ministri Gashi ka dërguar një përshëndetje të veçantë për këtë ngjarje të rëndësishme, duke përshëndetur edhe hulumtuesit dhe gjithë ata që kanë bërë një punë shkencore me qëllim që të dale në dritë kjo pjesë e rëndësishme e kulturës shpirtërore shqiptare, e cila është pjesë e kulturës, që natyrisht lidhë popujt që jetojnë dhe kanë një jetë, traditë dhe histori të përbashkët”, ka thënë Kashtanjeva.
Profesori Adem Zejnullahu, në fjalën e hapjes së këtij simpoziumi, tregoi se ky simpozium i cili kushtohet lahutarëve të sanxhakut të ri.
Sipas tij, rapsodia është një nga zhanret më të rëndësishme të poezisë shqiptare popullore.
Ai tha se eposi shqiptar dhe ai boshnjak kanë ngjashmëri si në aspektin krijues, edhe në atë interpretues.
“Një numër i rapsodëve të quajtur boshnjakë, sipas të dhënave që disponojmë kanë origjinë shqiptare, të cilët kanë menduar dhe kanë kënduar shqip. Mbajtja e këtij simpoziumi ka për qëllim kryesor që të vë në spikamë gjendjen e këngës epike sot dhe në të kaluarën tek të dy popujt. Në këtë manifestim të rëndësishëm kulturor, referuesit me kumtesat e tyre do të paraqesin kontributin e tyre. Ata do të ofrojnë të dhëna të reja për pasardhësit e lahutarëve të njohur”, ka thënë Zejnullahu.
Kryesia e punës së këtij simpoziumi përbëhet nga profesorët Zymer Neziri, Sabahajdin Cena, Ismet Azizi dhe Redzhep Shkrijelj.
Ky simpozium do të mbahet gjatë gjithë ditës ku do të lexohen kumtesa të shumta nga kryesia e punës dhe studiues të tjerë.