Emri i Zejnullah Halilit zë vend në krye të listës së poetëve e shkrimtarëve me kontributin e pakontestueshëm për letërsinë shqipe. Harta e tij letrare ka një shtrirje të gjerë duke kontribuar si në shkrimet për dashurinë, atdheun e dhimbjen, por veçohet veprimtaria e tij kushtuar botës së fëmijëve. Kjo veprimtari kolosale e tij u rikujtua në 20-vjetorin e vdekjes së tij
Dashamirë të fjalës së shkruar, veçmas të poezisë i ka mbledhur kujtimi për jetën dhe veprën e Zejnullah Halilit. Në Qendrën “BogdaniPolis” në kryeqytet, pikërisht njëzet vjet pas vdekjes së tij, shkrimtari e studiuesi, Vilson Culaj, ka sjellë librin me përmbledhje shkrimesh e dedikimesh për të. “Në parajsën (po)etike të Zejnullah Halilit”, është titulli i librit dhe zbërthehet në disa kuptime. Aty theksohet mjeshtëria e tij letrare, distilohet karakteri i tij duke kujtuar virtytet e shumta të Halilit. Urtësia, altruizmi, empatia, atdhetarizmi, etja për letërsi, shërbejnë si emërues të përbashkët të poezive kushtuar atij, shkrimeve e eseve të bazuara në kujtimet me të.
Përurimi i librit të shtunën ka bashkuar edhe ata të cilët e kanë takuar Halilin, qoftë drejtpërdrejt, qoftë në ndonjë takim me shkrimet e tij. Ngjarja nisi me interpretim vargut poetik.
Aktori Xhevat Limani ka recituar “Ti nuk vdes, poeti ynë” të Luljeta Thaçi-Osmanit si përkushtim poetik për Zejnullah Halilin.
Dom Lush Gjergji, redaktor i librit e ka vlerësuar figurën e Halilit duke theksuar se në veprimtarinë e tij vërehet qartazi se përtej ushqyerjes së mendjes poezitë frymëzojnë edhe shpirtin.
“Zejna ynë ka qenë urë lidhëse dhe frymëzues për të gjithë, pjesëmarrja e tij nëpër karvanët e ndryshme poetike sidomos me fëmijët, e bënte çdokënd të ngazëllehet e të emocionohet me lot gëzimi teksa fëmijët me shkrimet e tij i bënte të lumtur”, ka thënë ai, duke shtuar se komunikimin me të nuk e ka ndërprerë as vjet pas vdekjes së tij, se këtë e vazhdon nëpërmjet lutjeve dhe uratave për të.

Zejnullah Halili i lindur më 5 nëntor 1945, fëmijërinë e tij e kishte të vështirë, nisur nga fakti se vinte nga një familje e varfër. Por ky fakt nuk e ndaloi atë që të ndiqte ëndrrat e tij me përkushtim, e të bëhej lumturia e shumë fëmijëve të tjerë, me shkrimet e tij. Shkollën e mesme normale e kreu në Gjilan, aty ku filloi të dallohej me krijimet letrare. Ndërsa studimet për letërsi shqipe i kreu në Prishtinë. Sipas jetëshkrimit, punoi si mësues në shumë shkolla të fshatrave të Gjilanit, ndërsa më vonë u punësua në Radio Prishtinë, ku udhëhoqi emisionet për fëmijë, e më vonë redaktoi revistën letrare për fëmijë “Pionieri”. Por, veç shkrimeve për fëmijë, ai ka publikuar edhe për të rritur. Në manifestimin tradicional “Karvani i shkrimtarëve për fëmijë” ishte njeri prej anëtarëve më aktivë dhe të dashur për fëmijë. Për disa vjet ai do të punonte dhe si gazetar, redaktor, udhëheqës i emisioneve për fëmije të RTV Prishtinës, sikur edhe në redaksinë e botimeve të revistave të “Rilindjes”. Vdiq më 24 shkurt të vitit 2004 në moshën 58-vjeçare duke lënë pas vetes një opus letrar prej 26 veprave të ndryshme letrare për fëmijë dhe të rritur.
“Në parajsën (po)etike…” bën bashkë shkrime për Zejnullah Halilin nga Hajro Ulqinaku, Engjëll Berisha, Ramadan Mehmeti, Sabit Jaha, Martin Çuni, Ali Daci, Shaqir Foniqi e shumë emra të tjerë. Shpalosen mendime, kujtime, refleksione, intervista, vlerësime, recensione dhe anekdota nga takimet personale të shkrimtarit të ndjerë me personalitete të ndryshme.
Në listën e këtyre takimeve të shkruara e dokumentuara zë vend dhe takimi i Sabit Jahës me Zejnullah Halilin.
Zejnullah Halilin dhe veprën e tij, shkrimtari Jaha, që është redaktor i librit, e ka cilësuar të pavdekshme. Sipas tij, poetët nuk vdesin.
“Takimi im i parë ishte në vitin 1982, një emër i njohur por nuk kisha pasur rastin më parë të ia shtrija dorën atij njeriu. U takova me të në bufenë e ‘Rilindjes’, fillova me çapitjet e para me të dhe m’u duk sikur ta kisha njohur njëqind vjet më parë. Aq i afërt dhe zemërgjerë që ishte”, është shprehur Jaha në një fjalë rasti në përurimin e librit.
Vilson Culaj, shkrimtar i cili është meritor për përgatitjen e këtij botimi, ka thënë puna intensive tremujore për këtë libër kishte lindur si rezultat i frymëzimit nga kontributi i madh i Halilit në letërsinë shqipe.
“Zejna sa ka qenë gjallë ka luftuar me jetën me dinjitet, sepse ai nuk ka qenë as materialist, e as oportunist. Sot ai na rikujton betejën ndaj vdekjes, përmes veprimtarisë së tij ai na tregon se beson në pavdekësinë e shpirtit”, është shprehur Culaj.
Këtë takim e bija e shkrimtarit të ndjerë, Ylberza Halili, studiuese në Institutin Albanologjik të Prishtinës, plot emocione e vlerësoi si një akt të ringjalljes së shpirtit të Zejnullah Halilit.
“Jeta e tij e ndritshme ka qenë sfiduese dhe për ne si familje, ai ka kaluar në shumë peripeci por ai ia doli duke e dashur dritën, diellin dhe gjithçka që shndriste, e mbi të gjitha e donte Zotin. Ai na ka mësuar se si të jemi njerëz të thjeshtë, si t’i duam njerëzit. Sot kur kujtojmë 20-vjetorin e kalimit në amshim të babait tonë dhimbja e kujtesa na shndërrohen në krenari sepse shpirti i tij po kthehet. Të japësh do të thotë të marrësh andaj jeta e tij vetëm po shndërrohet dhe nuk po asgjësohet, ai është mes nesh dhe gjithmonë do ta kemi mes nesh ashtu siç i shndriste aureola ngado që shkonte”, ka përfunduar Halili.