Me fotografi në katedrën e oratorit, thashë para Bundestagut: “A duhet të injorohet plotësisht gjithçka çka tregojnë me qindra e mijëra gra, fëmijë e pleq të traumatizuar? A duhet të injorohen të gjitha kasaphanat që ekzistojnë atje? A është kjo që na e rrëfejnë njerëzit vetëm trillim dhe propagandë: që kufomat bëhen copë-copë me shkopinj bejsbolli, që ua shkëpusin atyre gjymtyrët dhe ua presin kokat? A është e tërë kjo vetëm propagandë, kur gratë e kalojnë kufirin me një fëmijë të vdekur në krahë? Sa cinizëm duhet të ketë njeriu që të flasë kaq ftohtë për çështje ligjore, në vend që të flasë për njerëzit që kanë rënë viktima të një makine vrasëse? I mllefosur, i inatosur, i egërsuar e indinjuar siç isha, megjithatë, ia dola ta përmbaja veten
7 prill 1999
Në një konferencë të përbashkët për shtyp, së bashku me George Robertsonin, shpjegojmë politikën tonë. Pas telefonatës së djeshme energjike me Brukselin, unë më në fund munda t`i prezantoja publikisht fotografitë e fillimit të marsit dhe të dëshmoja me to se si ka vepruar armata jugosllave në Kosovë: tanket u vendosen përreth një katundi, snajperistët zunë pozicionet, popullsia u ndoq bashkërisht në një shesh, burrat u ndanë nga gratë, fëmijët dhe njerëzit e moshuar. Gratë, fëmijët dhe pleqtë pastaj u vunë përpara në automjete ose këmbë, drejt kufirit. Se çka ndodhi me burrat, nëse ata u keqpërdoren si mburoja njerëzore, u dërguan në fabrika municioni si punëtorë të detyruar, u internuan ose u vranë, mjaft shpesh nuk mund të sqarohej; mirëpo, asnjëra prej këtyre ngjarjeve të tmerrshme nuk mund të përjashtohej.(...)
Në SHBA kishte marrë flakë një diskutim mbi futjen në veprim të trupave tokësore. Ne në Gjermani megjithëkëtë nuk pamë ndonjë shkak për ndryshim të qëndrimit tonë, por në mënyrë interne mbështesnim një rritje të mëtejme të presionit politik dhe ushtarak kundër Milosheviqit, para së gjithash, edhe më tutje sulme të përforcuara ajrore. Zëvendësshefi i Qeverisë serbe, Vuk Drashkoviq, bëri një ofertë për armëpushim, ne e hodhëm poshtë atë si veprim mashtrues të Qeverisë së Beogradit. Me këtë ofertë dallohet që synohej vetëm minimi i përkrahjes së publikut në Perëndim, dhe gjithashtu, siç pritej, kjo ofertë nuk u bë nga Milosheviqi, por nga zëvendësi i tij Drashkoviq, i cili, si ish-njeri i opozitës, për shumë veta konsiderohej gabimisht edhe më tutje si relativisht i pavarur.
Dëshmi për planifikimin e spastrimit të Kosovës
Vlerësimi i planit operativ “Patkoi” është gati. Më në fund e kemi një dëshmi për atë se që në dhjetor të vitit 1998 kishte qenë planifikuar një spastrim sistematik i Kosovës dhe dëbimi i shqiptarëve të Kosovës, me të gjitha hollësitë dhe duke përmendur të gjitha njësitë jugosllave të vëna në përdorim për këtë.
Para pak ditësh, gjatë një bisede private, Joschka Fischer m’i kishte dhënë dokumentet përkatëse me lutjen që të vlerësohen. Informacionet vinin nga një burim i besueshëm i shërbimit sekret. Vlerësimi rezultoi një fotografi tmerrësisht të qartë. Unë vendosa që plani “Patkoi” të paraqitet publikisht ditën e ardhshme.
“Përballë publikut perëndimor Beogradi shtirej se ka vullnet bisedimesh...”
8 prill 1999
(...) Inspektori i përgjithshëm i Bundesverit, gjenerali Von Kirchbach, paraqiti në konferencën për shtyp rezultatet më të reja të vlerësimit të planit “Patkoi”. Ky plan parashihte që, në fazën e parë, pas ndërrimit të moteve 1998/1999, popullsia shqiptare e Kosovës të dëbohej nga veriu i Kosovës dhe përgjatë një brezi të gjerë në të dyja anët e rrugëve kryesore lidhëse. Kjo përputhej me informacionet tona, prapavijën e saktë të të cilave deri tash ne ende nuk kishim mundur ta vlerësonim. Pastaj, në janar të vitit 1999 forcat e armatosura dhe të sigurisë jugosllave në Veri filluan në masë të shtuar me sulme në rajonin rreth qyteteve Podujevë dhe Mitrovicë. Për këtë u përgatit një njësi e fortë sulmuese tankiste. Në një fazë të dytë këto operacione u shtrinë sistematikisht drejt jugut dhe kështu njëkohësisht ishin forcuar shumë forcat jugosllave. Atje pra, derisa ne bisedonim në Rambouillet (e më vonë në Paris), u fillua një politikë dëbuese sistematike në bazë të një plani preciz operativ ushtarak. Përballë publikut perëndimor Beogradi shtirej se ka vullnet bisedimesh, në Kosovë milicët serbë plaçkitnin dhe vrisnin. Një fazë tjetër të operacionit ishte në rrjedhë gjatë bisedimeve në Paris, pra në mars 1999: luftimet në mes të Kosovës, në malet e Drenicës e gjithashtu në Veri të Kosovës, si dhe në rrethinën e Pejës, u bënë gjithnjë e më intensive. Realizimi shkallë-shkallë i këtij plani operativ shkoi tok me zëvendësimin e atyre ushtarakëve që iu kundërvinin vënies në përdorim të ushtarëve kundër civilëve. Në mesin e tyre edhe shefi i gjeneralshtabit të Armatës Jugosllave, gjenerali Perishiq.
“Shpresa jonë ishte që të binte ngadalë morali i forcave ushtarake jugosllave”
9 prill 1999
(...) Përmes transferimit të mëtutjeshëm të aeroplanëve për mbushje me karburant në ajër, të aeroplanëve luftarakë të vënë në veprim, u përmirësuan njëkohësisht mundësitë operative ushtarake. Duke përfshirë edhe aeroplanët që niseshin nga aeroplanbartëset amerikane, tash ishin pothuajse 550 aeroplanë në veprim. Disa prej tyre bartnin transmetues me të cilët mund të transmetoheshin programe televizive radioje në Jugosllavi. Për aq sa lejonte gjendja ushtarake, mbi Kosovë u gjuajtën shtesë trakte me paralajmërime për njësitë jugosllave; mbi 2 milionë trakte: shpresa jonë ishte që të binte ngadalë morali i forcave ushtarake jugosllave, edhe nëse jo ajo e udhëheqjes së tyre. Tek më vonë, informatat e përgjuara nga transmetimet valore të forcave ushtarake jugosllave treguan se shpresa kishte qenë e bazuar, për shkak të sulmeve të vazhdueshme e jo për shkak të takteve.
Lufta në Kosovë dhe ndihma humanitare
15 prill 1999

Debati i sotëm i Bundestagut më ka lënduar. Fillimisht u duk të shkonte gjithçka në binarë të zakonshëm. Po të lihen jashtë vëmendjes disa vërejtje, zotëronte pajtim i madh për politikën kundër Milosheviqit.
Në ditët e mëhershme Gregor Gysi (PDS - partia me orientim të majtë ekstrem dhe trashëgimtare e ish-partisë komuniste prosovjetike gjermano-lindore: shënim S.U.) )kishte vizituar Beogradin dhe ia kishte tundur dorën kriminelit të luftës. Ky njeri lejoi vërtet të bëhet top loje i propagandës së një diktatori dhe i krimit. Pastaj ai flet para Bundestagut, me logjikën e ftohtë të një teknokrati, mbi të drejtën e vetëvendosjes. Ndoshta ai mendon se çdo diktator ka të drejtë vetë të vendosë se kush guxon të mbijetojë e kush duhet vrarë.
Joschka Fischer fillimisht i kishte reaguar me inat Gysit dhe i kishte thënë: “Unë ju pyes juve se ku është e drejta e të vrarëve në varre masive tek ju? Ku është e drejta e grave të dhunuara? Ku është e drejta e të dëbuarve?“. Fischer foli për një “formë të vrazhdë të fashizmit ‘dhe që PDS-ja e bënte veten larëse rrobash të bardha’ për një politikë të një fashizmi të ri, i cili angazhohet për dëbim, pastërti etnike dhe për një politikë të madhe serbe”.
Ende më kujtohet se si merrja shënime ulur në bankën e Qeverisë, duke menduar përherë në njoftimet e bollshme dhe fotografitë e tmerrshme. Përse nuk kishte provuar një herë Gysi të shkonte së paku një ose dy orë në Kosovë? A nuk i interesojnë atij rrethanat atje? Përse nuk e ka bërë ai këtë si përfundim për udhëtimin e tij? Siç shihet, ky njeri është i sunduar vetëm nga përpjekja për të shtuar kapital brenda politik nga debatimet rreth ndërhyrjes së NATO-s.
Menjëherë pas kësaj, me fotografi në katedrën e oratorit, thashë para Bundestagut: “A duhet të injorohet plotësisht gjithçka çka tregojnë me qindra e mijëra gra, fëmijë e pleq të traumatizuar? A duhet të injorohen të gjitha kasaphanat që ekzistojnë atje? A është kjo që na e rrëfejnë njerëzit vetëm trillim dhe propagandë: që kufomat bëhen copë-copë me shkopinj bejsbolli, që ua shkëpusin atyre gjymtyrët dhe ua presin kokat? A është e tërë kjo vetëm propagandë, kur gratë e kalojnë kufirin me një fëmijë të vdekur në krahë? Sa cinizëm duhet të ketë njeriu që të flasë kaq ftohtë për çështje ligjore, në vend që të flasë për njerëzit që kanë rënë viktima të një makine vrasëse? I mllefosur, i inatosur, i egërsuar e indinjuar siç isha, megjithatë, ia dola ta përmbaja veten: Unë e di gjithashtu se zemërimi nuk është mjet i politikës; mirëpo, një shtytje edhe mund të jetë”.
19 prill 1999
Në mëngjes u takova me Loise Arbour, kryeprokurore e Tribunalit të Hagës; ia dorëzova asaj planin “Patkoi”, të gjitha incizimet e fluturimeve të brumbujve dhe protokollet komplete të marrjeve të deritashme në pyetje. Edhe vetë kisha vështirësi të madhe për t`i rilexuar edhe një herë protokollet, për të përgatitur bisedën.
27 prill 1999
Gjatë diskutimit ditor të situatës politike e ushtarake m`u shpjegua se diku 30 për qind e mbrojtjes kundërajrore jugosllave ishte shkatërruar, rreth 50 për qind e infrastrukturës ushtarake, pra institucione udhëheqëse, depo municioni, fabrika municioni, bunkerë.
Lufta duket se po zhvillohet në dy rrafshe të ndryshme. NATO-ja lufton nga ajri ushtrinë jugosllave, për të thyer dhunën e saj vrasëse. Por, pavarësisht nga kjo, në tokë tërbohet kjo dhunë, kundër shqiptarëve të Kosovës. Kjo kontradiktë është shumë rënduese. Fotografitë e bëra nga satelitët tregojnë varreza masive, gratë njoftojnë OSBE-në për dhunime sistematike, UNHCR-i merr informata për gra të reja e fëmijë, të cilat i kishin keqpërdorur si mburoja njerëzore për një depo municioni në Prizren. Në “Berliner Tageszeitung” lexoj një intervistë me gjinekologen Monika Hauser mbi represionin mbi shqiptarë të Kosovës dhe mund ta përfytyroj atë që ajo e thotë: “Kur kam shkuar në vitin 1992 në Bosnjë, unë kam qenë një feministe pacifiste. Mirëpo, në këtë situatë unë kam parë se pacifizmi është një artikull luksi. Unë mendoj se, nëse nuk shkohet më tutje me mjete demokratike, atëherë nuk ka rrugëdalje tjetër më. Milosheviqi duhet të dërgohet në Hagë. Ky regjim duhet të largohet”.
Ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian mbajnë mbledhje në Luksemburg. Iniciativat e Qeverisë federale dhe të ministrit të Jashtëm të saj përpunojnë. Në vendimet e ministrave të jashtëm përkiste edhe një embargo e madhe me kufizime udhëtimesh, kufizime të transferit financiar dhe stopimi i importimit për çdo formë të mallrave që mund të përdoreshin ushtarakisht. Këto vendime ishin dashur të bëheshin kaherë. Siç morëm vesh më vonë, ato patën një ndikim të drejtpërdrejtë edhe brenda botës afariste serbe. Nganjëherë megjithatë ndikon pak, nëse i refuzohet hyrja në një vend perëndimor ose i bllokohen kontot një njeriu si Kariqit dhe gruas së tij, afarist ky me ndikim dhe i afërt me Milosheviqin.
Rudolf Scharping, i lindur me 1947, një politikan i njohur socialdemokrat gjerman, ndërsa në periudhën e luftës së Kosovës ai mbante postin e ministrit të Mbrojtjes dhe zëvendëskryetarit të SPD-së. Në ditarin e tij “Wir dürfen nich wegsehen: Der Kosovo-Krieg und Europa” (“Nuk guxojmë të shikojmë mënjanë: Lufta e Kosovës dhe Evropa”) pasqyron ngjarjet e vjeshtës së vitit 1998 dhe të gjysmës së parë të vitit 1999 dhe gjithashtu shpjegon sfondin politik dhe diplomatik të misionit luftarak. Përgatiti: Sylë Ukshini
Pas Marrëveshjes Holbrooke-Milosheviq më 13 tetor 1998. Përqendrimi i formacioneve ushtarake dhe njësive policore serbe dhe dëbimi i shqiptarëve brenda Kosovës
Pamja e Kosovës në fillim të Misionit mbikëqyrës të OSBE-së, 25 tetor 1998
Pamje në kohën e bisedimeve në Konferencën e Rambouilletit, 23 shkurt 1999