Në Gjilan sot është bërë promovimi i librit “Idriz Seferi, një jetë për Shqipëri” i cili është monografi e përgatitur nga punimet shkencore të 20 studiuesve dhe punëtorëve shkencorë të historisë, përgatitur nga Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” nga Gjilani.
Siç bën me dija njoftimi nga Komuna e Gjilanit, kryetari Lutfi Haziri, që ka mbështetur këtë botim, ka thënë se “figura e Idriz Seferit është një mburojë gjigante e lirisë së shqiptarëve dhe emër që na obligon të punohet më shumë që ideali i shqiptarëve të jetë sipas projeksionit që heronjtë dhe të rënëve ndër breza”.
Ai më tej ka potencuar se edhe kjo festë e Flamurit Kombëtar po i gjenë shqiptarët të ndarë padrejtësisht në shumë pjesë.
“Edhe ky nëntor shqiptarët i gjen të ndarë në shumë territore dhe në dy shtete. Sot me shumë vështirësi mund të shkohet në vendlindjen e Isa Boletinit, kurse për vendlindjen e të parëve të Idriz Seferit pothuajse është e pamundur të vizitohet. Është koha që Prishtina, Tirana dhe fqinjët tanë, ta kuptojnë se bashkimi i shqiptarëve askënd nuk e pengon dhe bashkimi është i natyrshëm herdokur”, ka thënë ai, thuhet në komunikatën për media.
Kurse, Fehmi Rexhepi, kryetar i Lidhjes së Historianëve të Kosovës “Ali Hadri”, ka thënë se libri është me një përmbajtje trë veçantë të jetës, punës, luftës dhe angazhimit të madh që ka dhënë Idriz Seferi deri në vdekje.
Edhe
Haziri: Ka ardhur koha që shqiptarët e Kosovës Lindore t’i bashkohen atdheut të tyre
Gjithnjë sipas njoftimit nga Komuna e Gjilanit, Naim Musliu, kryetar LHK “Ali Hadri” në Gjilan, ka thënë se ky libër ka ardhur deri në dokumentim të tij pas simpoziumit shkencor të mbajtur në marsin e vitit 2017, ku punimet shkencore të lexuara në këtë event, sot janë të botuara në këtë libër, i cili është mundësuar të shtypet me mbështetjen financiare të Komunës së Gjilanit.
Me referimet e tyre janë paraqitur edhe Nexhmedin Sejdiu dhe Blerim Haziri, të cilët kanë përmbledhur aspektin shkencor, profesional dhe përmbajtjesor të librit që sot është promovuar në kuadër të festës së flamurit kombëtar.