Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Në dokun e Smirnit

Për t’u habitur ishte, tha, se si sokëllinin përnatë në mesnatë. Nuk di të them se pse sokëllinin pikërisht në mesnatë. Ne ishim në skelë ndërsa ata ishin mbi mol dhe në mesnatë ia nisnin sokëllimës. Zakonisht ua drejtonim fanarët, në mënyrë që të qetësoheshin. Pothuajse gjithnjë ia dilnim. Lëviznim fanarët dy-tre herë, lart e poshtë, e ata pushonin, shkruan sot Koha Ditore.

Njëherë ndodhi që isha me detyrë mbi mol, kur një oficer turk m’u afrua tërë egërsi duke thënë se njëri prej marinarëve tanë e paskësh fyer rëndë. Kështu që i thashë se ai djalosh do të çohej menjëherë në anije e atje do të dënohej rëndë. E pyeta pra që të ma tregonte se për cilin bëhej fjalë. Më diktoi njërin ndër topçinjtë, një ndër më fjalëpakët.

Turku më tha se ai e kishte fyer tmerrësisht, madje disa herë rresht; e m’i thoshte këto nëpërmjet gojës së një përkthyesi, gjë që më vinte në dyshim se si do ta kishte fyer vallë topçiu i zi që nuk dinte llaf turqisht. Nejse, e thirra dhe iu drejtova: - Dhe në rast se i ke dhënë muhabet ndonjërit prej oficerëve turq… - Nuk i kam dhënë muhabet askujt prej tyre, komandant. - E di fort mirë, - ia bëra - gjithsesi hip në anije dhe mos zbrit prej andej për sot. Pastaj njoftova oficerin turk se marinari qe çuar në anije, ku do të dënohej në mënyrë shembullore; aq sa nuk e merrte dot me mend! Ai u duk i kënaqur.

U bëmë miq për kokë. Më vështirë, tha, është kur ke të bësh me gra që u kanë vdekur foshnjat. As që bëhet fjalë që t’i lëshojnë ato kufoma foshnjash. I mbajnë ashtu, me vete, edhe gjashtë ditë me radhë. Nuk të lënë t’ua marrësh kurrsesi, sado që të përpiqesh. Kështu që detyrohesh t’ua rrëmbesh. Rasti që më bëri më shumë përshtypje ishte ai i një gruaje të moshuar. Ia kam treguar edhe një doktori që nuk deshi të më besonte.

(Shkrimin e plotë mund ta lexoni sot në gazetën “Koha Ditore”)