Përkundër premtimeve ende nuk u është gjetur çareja e vazhdimit të punimeve për ndërtimin e Muzeut të Historisë së Natyrës që janë ndërprerë në dhjetor të vitit 2019. S’ka as afat për këtë. Vitin e kaluar e vetmja “punë” qe një vizitë e ca fotografi në korrikun e atij viti, kur punëtorët dolën në vendpunishte në ditën e vizitës së ministres së Kulturës, Vlora Dumoshi
Ministria e Kulturës vazhdimisht ka çaluar në realizimin e prekjeve kapitale. Ky problem është evidentuar në secilin Raport vjetor të Zyrës Kombëtare të Auditimit. Njësoj është duke vazhduar edhe me projektin më të madh kapital të trashëgimisë kulturore: ndërtimin e Muzeut të Historisë së Natyrës. Ende nuk u është gjetur çareja vazhdimit të punimeve që janë ndërprerë në dhjetor të vitit 2019. Por, pos kësaj, ende nuk ka një afat se kur do të rinisin ato. Për kompaninë punëkryerëse problem mbetet ndërtimi i një pjese të njërit prej objekteve shkaku i statikës. Kompania që ka hartuar projektin e sheh atë si të realizueshme. E Ministria e Kulturës ka mbetur ta bëjë një zgjidhje se si të veprohet në këtë rast.
Gjatë vitit të kaluar, Ministria e Kulturës nxori në punë punonjësit më 16 korrik në ditën kur vendpunishtja në Sllatinë të Fushë-Kosovës ishte vizituar nga ministrja Vlora Dumoshi. Por, realisht aty më nuk janë parë të tjerë pos rojtarit.
Problemet me projekt janë pengesa e parë. Por, edhe ndarja e buxhetit për këtë investim nuk ka qenë asnjëherë në masën e planifikuar. Në maj të vitit 2019, kur ishte vënë guri themeltar, llogaritej që punimet të zgjasnin tre vjet. Ashtu e përcakton edhe kontrata e MKRS-së me punëkryerësin. Por është bërë më shumë se një vit prej kur puna është ndërprerë dhe me këtë ritëm të punës dhe ndarjes së buxhetit, objekti do të marrë të paktën nja tri dekada për të përfunduar së ndërtuari.
Ndërtimi i Muzeut të Historisë së Natyrës bëhet nga konsorciumi “NNR – Rukolli shpk” dhe “Call Home electronics shpk”. Konsorciumi ishte ankuar se një pllakë që në gjuhën e arkitekturës është konzollë, me katër metra gjatësi, nuk mund të vendosej siç është paraparë. Është pllakë betoni në anën veriore, që në formë ballkoni zgjatet katër metra, gjë që, sipas kompanive punëkryerë se, paraqet problem për statikën pasi nuk janë paraparë shtylla mbajtëse apo ndonjë formë tjetër që do të siguronte qëndrimin. Ky problem daton tash e më shumë se një vit.
Ardiana Qorraj, arkitekte në Ministrinë e Kulturës që është mbikëqyrëse e punimeve, ka thënë se aktualisht janë duke diskutuar propozimet e marra pasi janë dy variante.
“Një nga hartuesit e projektit të fazës së arkitekturës dhe një nga operatori ekonomik. Besoj javën tjetër e konkretizojmë dhe e fusim në rrugë të duhur për vazhdim të punimeve”, ka thënë ajo. Problemin në projekt e kishte përmendur edhe ministrja e Kulturës në detyrë, Vlora Dumoshi. Sipas saj, MKRS-ja do ta ndërtojë Muzeun.
Muzeu i Historisë së Natyrës është projektuar nga kompania “Hidroing-DK SHPK”.
Eta Morina, e cila drejton këtë kompani, ka thënë se është paraparë që konzolla të vendoset ashtu siç është në projekt. Sipas saj, inxhinieri i kompanisë së tyre ka konstatuar se një gjë e tillë mund të bëhet. Ajo ka treguar se MKRS-së i kanë propozuar që të veprohet sipas projektit.
“Por tash mbetet që Ministria e Kulturës të vendosë se si t’ia bëjë”, ka thënë Morina.
Problemet e MKRS-së me këtë projekt nuk pushojnë vetëm sa i përket zgjidhjes së probleme profesionale midis kompanisë projektuese dhe atyre ndërtuese. Sipas Ligjit mbi ndarjet buxhetore për vitin 2021, për këtë projekt janë ndarë 450 mijë euro. Sipas Ligjit për ndarjet buxhetore të vitit të kaluar kanë qenë të parapara 100 mijë euro nga buxheti i konsoliduar i shtetit dhe 162 mijë të tjera nga të hyrat e Agjencisë Kosovare të Privatizimit. Me rishikim të buxhetit për vitin e kaluar kishin ngelur veç 75 mijë euro. Projekti në total kushton 2.4 milionë euro.
Gjatë vizitës së saj në korrik të 2020-s ministrja Dumoshi kishte thënë se është e vetëdijshme që buxheti për atë vit është shumë i vogël.
“Për të gjitha punimet që arsyetohet që janë kryer ne do t’i bëjmë pagesat. Tash hartohet buxheti i vitit 2021 dhe unë prioritet do ta kem këtë muze. Buxheti do të jetë më i madh sesa ai që ka për këtë vit. Jemi duke kaluar në një fazë të jashtëzakonshme. Kryeministri Hoti ka thënë se asnjë projekt nuk do të pësojë. Nëse vazhdon, do të paguhen detyrimet”, kishte thënë ajo gjatë vizitës, në të cilën e kishin shoqëruar zëvendësministri i Kulturës, Halil Matoshi, e kryetari i Komunës së Fushë-Kosovës, Burim Berisha.
Gazeta vazhdimisht ka raportuar se MKRS-ja nuk i kishte bërë mirë hesapet kur i kishte hyrë këtij projekti.
Kur ishte vënë guri themeltar në maj të 2019-s, gazeta e kishte pyetur ish-ministrin e Kulturës, Kujtim Gashi, se nga do të merren mjetet për një projekt mbi dy-milionësh. Siç rëndom ka premtuar buxhet më të madh sesa ka pasur në dispozicion, ai e kishte përmendur rishikimin e buxhetit për vitin 2019 dhe planifikimet për vitin 2020.
Muzeu i Historisë së Natyrës fillimisht qe paralajmëruar të ndërtohej në kryeqytet, por MKRS-ja – që asokohe udhëhiqej nga ish-ministri Kujtim Shala – dhe Komuna e Prishtinës nuk ishin marrë vesh. Më 12 dhjetor të vitit 2016, Komuna e Fushë-Kosovës kishte marrë vendim për ta aprovuar kërkesën për caktimin e lokacionit. Parcela qe ndarë në hapësirën që quhet “Te pishat”, në fshatin Sllatinë e Vogël.
Muzeu i Historisë së Natyrës ishte parë si zgjidhje për mbi një mijë eksponate, kafshë e insekte të balsamosura, të cilat prej 21 dhjetorit të vitit 2017 janë vendosur në një shtëpizë prej dërrasash në hyrje të kompleksit “Eminxhik”, që ka katër objekte, në dy prej të cilave zë vend Muzeu Etnologjik. Për më shumë se 15 vjet eksponatet kishin zënë vend në depon e Muzeut Kombëtar të Kosovës, ku ishin zhvendosur në qershor të 2001-tës nga objekti i tyre në kompleksin e “Eminxhikut”, që prej atëherë është kryesori i Muzeut Etnologjik. Në vitin 2013 këto eksponate ishin nxjerrë nga bodrumi i Muzeut për herë të parë, 12 vjet pas luftës. Vetëm asokohe, siç kishte raportuar gazeta, 100 eksponate kishin përfunduar në bërllok, pasi ishin shkatërruar. Numri i tërësishëm ka qenë 1.812 eksponate, meqë përfshihen edhe insektet. Një pjesë e tyre është bartur në Beograd, në kohën e luftës.