Akademiku që njihej si mik i madh e përkrahës i shqiptarëve u lind në Seoce afër Podgoricës, më 29 dhjetor të vitit 1933. Për shkak të qëndrimeve të tij qe sulmuar dy herë në Podgoricë. Për shkak të përplasjeve të tij me politikën, Brkoviq më 1991 emigroi në Kroaci, ku jetoi e punoi deri më 1999. Në intervista të ndryshme ai shprehej hapur në mbështetje të lirisë së Kosovës. Madje edhe në mbështetje të luftës së shqiptarëve për liri në vitet 1998 dhe 1999. “Secila luftë që bëhet për pragun e shtëpisë është e pamposhtur”, kishte thënë ai në vitin 2015
Njëri prej shkrimtarëve më të mirë malazez të shekullit 20, Jevrem Brkoviq, ka vdekur të dielën. Ai ishte 88- vjeçar. Akademiku njihej si mik i madh e përkrahës i shqiptarëve. Brkoviq u lind në Seoce afër Podgoricës, më 29 dhjetor të vitit 1933. Në fshatin Kople kreu shkollën fillore. Gjimnazin e kreu në Titograd të asaj kohe, sot Podgoricë, dhe në Sarajevë, ku përfundoi edhe Shkollën e Lartë të Gazetarisë.
Poezitë e para i botoi në “Pobjeda”, “Omladinski pokret”, "Stvaranje" të Malit të Zi e në “Zora” të Sarajevës dhe në “Nin” të Beogradit. Prej Sarajevës u zhvendos në Beograd, ku ka punuar në Ministrinë e Punëve të Jashtme në gazetat “Borba”, “Novosti” e “Rad”.
Në Titograd u kthye në vitin 1958 dhe deri në pensionim punoi në Radio-Titograd. Qe themelues dhe udhëheqësi i parë i teatrit “Pionier” në Titograd, në vitin 1951.
Nismoi dhe qe redaktor i bibliotekës “Grlica”, ku u botuan librat e parë të poetëve malazez. Ishte kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Malit të Zi, anëtar i Kryesisë së Lidhjes së Shkrimtarëve të Jugosllavisë, dhe si i pari i Shoqatës së Shkrimtarëve të Malit të Zi nisi dhe redaktoi edicionin “Doclea”. Ishte iniciues i themelimit të PEN-Qendrës së Malit të Zi.
Për shkak të përplasjeve të tij me politikën, Brkoviq më 1991 emigroi në Kroaci, ku jetoi e punoi deri më 1999. Si anëtar me korrespodencë i Akademisë së Shkencave dhe Arteve u zgjodh më 18 dhjetor të vitit 2015 e anëtar i rregullt u bë më 18 dhjetor 2018.
Është fitues i një serie çmimesh të njohura në hapësirat e ish-Jugosllavisë. Është nderuar disa herë edhe në Kosovë, ku më 2005 si i pari shkrimtar u nderua me çmimin “Kepi i shpresës së mirë” në takimet letrare “Fahredin Gunga”, që mbaheshin në Mitrovicë. Pas tij u nderuan Ismail Kadare e shkrimtari amerikan John Updike. Po ashtu, më 2013 mori çmimin “Teuta”, e më 2015 çmimin “Ali Podrimja”.
Në vitin 2015, kur kishte pranuar çmimin që mban emrin e poetit e akademikut kosovar, ai kishte folur para të pranishmëve në Kolegjin AAB edhe për copëza të biografisë së tij.
“Vëllam, Ali Podrimja. A të kujtohet kur ëndërronim në verë e pranverë se do të vinte dita kur Mali im i Zi nga shteti i vjetër do të përtëritej dhe do të përtërinte shtetësinë dhe Kosova jote më në fund do të fitonte shtetësinë dhe do të njihej ndërkombëtarisht”, ishin fjalët me të cilat shkrimtari malazias Jevrem Brkoviq do ta kujtonte Ali Podrimjen.
I njohur si njëri ndër zërat më opozitarë në Mal të Zi, ndër të parët që kundërshtoi regjimin e Slobodan Milosheviqit, Brkoviq në Prishtinë kishte folur edhe për dy atentatet ndaj tij. Qe sulmuar dy herë në Podgoricë. Një herë më 2006, kur ai u rrah, përderisa u vra shoferi e miku i tij Srgjan Vojoçiq, ndërsa në vitin 2014 u sulmua sërish banesa e tij. Brkoviq, duke kujtuar kohën kur ai dhe familja e tij u detyruan të emigronin përmes Shqipërisë, kishte shpalosur histori ndaj të cilave luftoi krejt jetën si intelektual.
ardhur ajo koha e ligë kur nga Mali im i Zi, pas dy atentatesh, m’u desh të emigroja, s’ka më as atentatorë seriozë”, ishte tallur shkrimtari. “E bëra këtë përmes Shqipërisë, duke e ditur se atje e kisha drejtimin më të sigurt. I tretur me familjen për të cilën është dashur të kërkoja strehim nëpër Shqipëri, ia dolëm që të dëgjoheshim, unë si emigrant në dhe të huaj, timin, por miqësor, ti (Ali Podrimja v.j.) emigrant në vetë vendin tënd”, kujtoi Brkoviq më 14 maj të vitit 2015.
Vetë ai u cilësua si një nga shkrimtarët më të mëdhenj të kohës së ish-Jugosllavisë dhe një ndër krijuesit që ngriti më së shumti zërin kundër dyndjes që populli serb po bënte në Ballkan.
Asokohe shkrimtari Agim Vinca, kryetar i jurisë që ndau çmimin, i quajti të rrallë shkrimtarët që kanë lënë dëshmi për luftëra.
“Ti ke demaskuar gënjeshtrat dhe mashtrimet e historisë”, iu drejtua Vinca shkrimtarit malazias Brkoviq.
Gjatë fjalimit të tij, Brkoviq kishte përcjellë nderime edhe për ish-presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugova, përderisa kishte përmendur Kaqusha Jasharin, Azem Vllasin, Azem Shkrelin, Qerim Ujkanin, Ibrahim Kadriun, Fahredin Gungën, Ramiz Kelmendin, Rexhep Qosjen, Agim Vincën, Smajl Smakën, Dritëro Agollin, Visar Zhitin, Fatos Arapin dhe Mimoza Ajetin.
E në vitin 2016, në një shkrim autorial të vitit 2016, në të përditshmen “Vijesti” kishte shkruar se e njeh mirë poezinë shqipe të të dy shteteve. Kishte përmendur se në rininë e hershme ishte njohur me Esad Mekulin, të cilin e kishte vlerësuar si klasikun e letërsisë shqipe në Kosovë. “Shpejt u bëmë miq, dhe jo vetëm sa për sy e faqe, por miqësi e ngushtë, ashtu siç malazeztë e shqiptarët dinë të miqësohen”, shkruante ai. Miqësia e tij me shqiptarët shkonte deri në masë që kritikonte tendencat e politikanëve kosovarë sa u përket ëndrrave e veprimeve për lirinë e Kosovës.
“Nëse politikanët e sotëm të Kosovës mendojnë se të parët kanë filluar të ëndërrojnë dhe të jetojnë shtetin e lirë të Kosovës, gabohen shumë. Lajmëtarët e parë të Kosovës së emancipuar ishin poetët shqiptarë të Kosovës, në veçanti në mënyrë nostalgjike dhe me zemër vëllami im Ali Podrimja. A nuk i vuajti miku im Adem Demaçi, Mandela i Kosovës, tridhjetë vjet errësirë për shtetin e Kosovës. Edhe poetët e rinj, edhe ata të moshës së mesme i kanë kënduar e transmetuar ëndrrat e tyre për Kosovën. Isha ndër të rrallët që i kuptoja ato ëndrra. Dhe isha krah tyre”, kishte shkruar Brkoviq në dhjetor të vitit 2016.
Në intervista të ndryshme ai shprehej hapur në mbështetje të lirisë së Kosovës. Madje edhe në mbështetje të luftës së shqiptarëve për liri në vitet 1998 dhe 1999. “Secila luftë që bëhet për pragun e shtëpisë është e pamposhtur”, kishte thënë ai në vitin 2015.
Sa i përket qëndrimit në Zagreb si azilant politik për 8 vjet kishte thënë se gjatë asaj kohe merrej me veprimtarinë letrare, shkonte nëpër delegacione të ndryshme evropiane, me shkrimtarët e Kroacisë dhe u shpjegonte se çfarë kishte ndodhur në Jugosllavi. “U flisja për çështjen e shqiptarëve në Kosovë, për dramën e tyre, flisja për çështjen e boshnjakëve. Kam folur në Këshillin Evropian para zonjës Doris Pack për të gjitha këto”, kishte thënë Brkoviq, i cili gjatë gjithë asaj kohe mbante shënime në ditarin e tij të cilin e botoi pas kthimit në Mal të Zi. Janë 7 vëllime ku secili shkon nga 700 nderi në 1 mijë faqe. Ai ishte prej intelektualëve që qëndruan në ballë të nismës për pavarësimin e Malit të Zi.