Kulturë

Muzika – bashkimi i njerëzve në një kohë me përplot probleme në botë

Muzika – bashkimi i njerëzve në një kohë me përplot probleme në botë

Félicien Brut: “Në Francë flisnim shumë për Kosovën. Para disa vjetësh isha në një koncert në Kragujevc në Serbi, por kur erdha këtu ishte përvojë shumë e mirë. Përshtypja e parë ishte se sa shumë të rinj kishte në koncert. Nuk është diçka e zakonshme sepse nuk ngjan në Evropën Perëndimore. Të rinj kishte edhe në rrugë, edhe në koncert. Kjo është shumë e mirë” (Foto: Arben Llapashtica)

Në botën e muzikës ai është yll i fizarmonikës, interpretimi i tij është kontrapunkti në një kohë me përplot probleme. Félicien Brut do të luante edhe në ceremoninë e Lojërave Olimpike vitin e kaluar, në pranverën e sivjetme debutoi me Filharmoninë e Kosovës, për këtë vend dëgjoi prej kohës së luftës, e çerek shekulli pas thotë se aty gjeti krejt kontrastet e imazheve që kishte prej asaj kohe. “Muzika dhe sporti janë të njëjta në një aspekt: arrijnë t’i bashkojnë njerëzit. Kjo është shumë e rëndësishme në këto kohë me përplot probleme në botë. Sporti, muzika, arti, mund ta bëjnë shoqërinë më të mirë dhe kësisoj unë luaj me shumë kënaqësi”, thotë Brut, i cili flet për misionin e muzikës, se si ua mësyu studimeve për mjekësi e fizikë, por kapërceu në art sikurse edhe për atë që e veçon publikun në Prishtinë

Ishte në hapat e parë prej muzikanti kur së pari herë dëgjoi për Kosovën. Sipas tij, flitej shumë në fundvitet e shekullit të kaluar në Francë. Ishte luftë dhe mediat transmetonin skena të llahtarshme. Një çerekshekull pas, në rrethana krejt të tjera, fizarmonicisti Félicien Brut në kryeqytetin e këtij shteti qe figura qendrore e njërit prej koncerteve të Filharmonisë së Kosovës. Imazhi i qytetit nuk ka shenja lufte dhe kjo ka qenë befasuese për të. Aq sa edhe zhvillimi i muzikës në vend përgjatë kësaj kohe e kapaciteti i muzikantëve me të cilët ka interpretuar përkrah si solist me fizarmonikën e tij. 

Ka një disiplinë e formalitet të përhershëm në koncertet e muzikës klasike. Vepra të reja eksplorohen çdoherë më shumë e emra të shquar të skenës muzikore botërore vijnë edhe në Prishtinë. Pas rrugëtimit nëpër botë në teatro përrallore, në kryeqytet përshtypjet kryesisht fokusohen në profesionalizmin e muzikantëve, pasionin e madh për muzikën, entuziazmin e publikut, mikpritjen unike e ushqimin e shijshëm. 

Në Atelienë e Pallatit të Rinisë për disa ditë në prova e më pas edhe në koncert, njëri prej emrave më të shquar të kohës në instrumentin e fizarmonikës, në fund të prillit do të njihej me elitën qendrore të muzikës klasike të vendit. Ajo çfarë i bën mbresa më së shumti është institucioni i muzikës serioze me anëtarë kryesisht të rinj në moshë. 

“Ata janë përherë të buzëqeshur, të gatshëm për të bërë muzikë çdoherë dhe kjo është mbresëlënëse për mua”, shprehet francezi Brut në një intervistë për KOHËN një ditë pas koncertit në Prishtinë. 
Koncertin e 25 prillit e dirigjoi Aurélien Azan Zielinski, bashkëvendës i fizarmonicistit Brut që qe solist me Orkestrën e Filharmonisë së Kosovës në interpretimin e “Koncertit për fizarmonikë dhe orkestër” të kompozitorit francez Romain Dumas.

“Ishte kënaqësi e madhe të punoja me ta. Dirigjenti Aurélien Azan thoshte se ishte Orkestër e vend shumë i mirë dhe tani e kuptoj këtë më së miri”, thotë Brut derisa shpjegon se ishte paralajmëruar nga dirigjenti Zielinski i cili veçse kishte punuar disa herë më parë me Orkestrën. 

Salla e Atelisë qe plot. E para vepër që u interpretua qe ajo në të cilën Brut qe solist. Vepra afër gjysmorëshe prej tri kohësh qe plot ngjyra. Nisi me improvizim që shkon drejt shpërthimit. Pastaj u zhvilluan tema me tinguj të çakorduar. Nëpër tinguj kishte stuhi e mjegull. Partiturat shpërfaqnin stilin modern të autorit të veprës. 

Brut në koncertin me Filharmoninë e Kosovës në Atelienë e Pallatit të Rinisë në Prishtinë më 25 prill të këtij viti (Foto: Arben Llapashtica) 

Midis të tilla ritme e ato të trishta, ka edhe dinamika të fuqishme e tinguj tejet tërheqës. Atmosferë e çuditshme ngjan në qetësinë absolute midis kohëve të veprës. Përmbajtja e publikut shuhet kur luhet tingulli i fundit në partiturat e veprës. Duartrokitet fort. Por Félicien Brut nuk pret gjatë për ta shpërblyer me një përjetim muzikor shumë që sjell shumë kënaqësi. 

Pa hezitim ka dhënë shenjë për ta luajtur veprën  “Tango por Claude” në bis por në këtë vepër formalitetet i la pak anash. Me instrumentin e tij, nën ritmet e muzikës, vallëzonte nëpër “skenën” në Atelie. Vështronte instrumentistët e publikun, e mbi të gjitha ndiente thellësisht ritmet e veprës “Tango pour Claude” nga Richard Gallianos. Ndonëse i afërt me publikun, virtuozitetin e mbante në po të njëjtën pikë. 

“Akustika ishte e mirë, ishte e çuditshme, por ishte koncert shumë i mirë”, thotë fizarmonicisti Brut. 

Ky koncert qe njohja e parë me Kosovën të cilën e mbante mend të vrarë e të djegur nga lufta. 

“Për mua ishte përvojë e mirë, sepse kur isha adoleshent në kolegj këtu po zhvillohej lufta. Në Francë flisnim shumë për Kosovën. Para disa vjetësh isha në një koncert në Kragujevc në Serbi, por kur erdha këtu ishte përvojë shumë e mirë. Përshtypja e parë ishte se sa shumë të rinj kishte në koncert. Nuk është diçka e zakonshme, sepse nuk ngjan në Evropën Perëndimore. Të rinj kishte edhe në rrugë, edhe në koncert. Kjo është shumë e mirë”, vazhdon ai. 

Folklori e shoqëron shpesh në veprimtarinë e tij muzikore, por me lojën e tij nderon gjithë repertorin e fizarmonikës, nga muzika e dhomës, te koncertet, e deri te “bal-musette”, stil muzikor francez. 
Në vitin 1997, Félicien Brut u bashkua me “Centre National et International de Musique et d’Accordéon”, një shkollë në të cilën përfitoi nga mësimet e profesorëve si Mornet, Boucheix e Emorine. Në vitin 2007 fitoi tri nga konkurset më të rëndësishme ndërkombëtare për fizarmonikë: “Castelfidardo”, “Klingenthal”, si dhe Trofeun Botëror të Fizarmonikës.

Në vitin 2009, Félicien fillon të japë mësim në konservatore. Fillimisht nisi të ligjëronte në Libourne, për t’u bashkuar më pas me Konservatorin e Châteaurouxit në vitin 2013. Katër vjet më pas Félicien Brut i dha jetë projektit “Le Pari des Bretelles”. Me rritjen e aktivitetit koncertal, vendos të braktisë mësimdhënien. Ai vendoset në Paris dhe nis bashkëpunime të shumta me disa nga muzikantët më të shquar të brezit të tij, si kitaristi Thibaut Garcia, trumpetisten Lucienne Renaudin Vary e violonçelisten Anne Gastinel.

Po Brut, bashkë me dirigjentin Zielinski që e pati dirigjuar koncertin në të cilin ai qe solist sikurse edhe në disa koncerte të tjera të Filharmonisë, ishin të angazhuar edhe në premierën e “Koncertit për fizarmonikë dhe orkestër” të kompozitorit të ri Dumas në vitin 2023. Vepra është interpretuar në “Festival du Val d'Arly”, “Opéra de Rennes” dhe në “Opéra de Limoges”.

Kur një muzikant i këtij kalibri thotë se për të është e vështirë të luhet një formë e tillë e veprës si ajo në Prishtinë, modestia zbehet. 

“Për mua është e vështirë të interpretoj një koncert sepse nuk luaj shpesh, kryesisht luaj vepra të shkurtra. Kur ka një recital solo të muzikës kamertale, luaj gjithkund. Por kjo është e vështirë sepse duhet të jesh komplet në atë koncert. Në Prishtinë ishte shumë e lehtë, sepse menjëherë mund të ndjeje njerëzit se sa të përqendruar janë për të përjetuar momente të bukura”, konsideron Brut derisa rikujton ndjesinë  e tij para publikut në Prishtinë. 

“Ata ishin aty për të dëgjuar muzikë, por edhe për të ndarë momente të bukura. Është e vështirë të shpjegohet, por kur je muzikant dhe shfaqesh në skenë, e ndien këtë menjëherë. Nganjëherë nga publiku profesional mund të ndjesh se ata e kanë mendjen se a se po bën gabime, nëse ke një kostum të bukur, e të tjera. Në këtë koncert nuk ishte ashtu. Të gjithë ishim aty vetëm për të ndarë momente të bukura”, vazhdon ai. 

Sado e vështirë në interpretim, fizarmonicisti i ka shijuar meloditë e instrumentit të tij tok me publikun. 

“Kur luan me orkestër simfonike kërkohet shumë energji dhe zë shtesë i instrumentit sepse normalisht nuk është instrument i zakonshëm për orkestër. Teknikisht është e vështirë. Mendoj se është e vështirë në ritme, ka shumë ritme komplekse. Më pëlqen sepse në dëgjim nuk duket e vështirë, por është shumë e vështirë të luhet. Është koncert me atmosfera të ndryshme, me përplot kontraste, përherë e vështirë, por e mrekullueshme”, thotë Brut. 

Në maj të këtij viti ai ka lansuar solo albumin e tij, të pestin me radhë, të titulluar “Préludes, Valses et Envols”. Ky opus, siç shpjegohet, tregon historinë e fizarmonikës dhe fizarmonicistit, duke e “zhytur dëgjuesin në  atmosferë intime, duke ofruar një ndjesi afërsie të thellë me këtë instrument të habitshëm dhe interpretuesin që luan në të”. 

“Kam zgjedhur pesë prelude, pastaj janë valset franceze, sepse janë karakteristikë e instrumentit tim. Zgjodha pesë valse të kompozuara nga pesë kompozitorë të famshëm dhe shumë të mirë. Rrëfej edhe historinë e fizarmonikës e specifikisht edhe të asaj franceze. Rrëfej edhe historinë time sepse janë pesë prelude nga Bach, Brahms, Albini, Minota e Chopin”, tregon muzikanti francez për albumin që u lansua më 23 maj. 

Pati disa drejtime në rrugën drejt karrierës së tij, por veten e gjeti në muzikë. 

“Kemi shumë këngë të famshme dhe fizarmonicistë të njohur. Kur isha fëmijë më pëlqente shumë kjo muzikë, prandaj e zgjodha këtë instrument ndonëse nuk e njihja muzikën klasike. Kur isha adoleshent nisa të luaj. Pata vendosur të vazhdoj studimet për mjekësi, pastaj fillova fizikën, por përfundimisht zgjodha të jem muzikant. Është e veçantë të luash ‘Bal-musette’ pas muzikës klasike. Nuk është e lehtë për mua të zgjedh midis të dyjave”, shprehet ai. 

Fizarmonika  e tij u dëgjua edhe në ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike të vitit të kaluar që u mbajtën në Paris. 

“Fillimisht ishte pandemia, pastaj kriza ekonomike, kriza politike, pastaj erdhën Lojërat Olimpike si moment i bukur për francezët në përgjithësi”, thotë ai derisa thekson ngjarjen si moment i duhur pas vështirësive për popullin francez.

E muzika dhe sporti, për të, bashkohen në një pikë.

“Muzika dhe sporti janë të njëjta në një aspekt: arrijnë t’i bashkojnë njerëzit. Kjo është shumë e rëndësishme në këto kohë me përplot probleme në botë. Sporti, muzika, arti, mund ta bëjnë shoqërinë më të mirë dhe kësisoj unë luaj me shumë kënaqësi”, vlerëson Brut.