Pa i kaluar disa hapa paraprakë që ia mundësojnë punësimet, Muzeu i Artit Bashkëkohor që ekziston vetëm në letër, po vazhdon me zgjerimin e stafit. Ministria e Kulturës po kërkon për MAB-in koordinator për edukim dhe hulumtim. Por se çfarë do të koordinojë ai apo ajo që do të punësohet në një institucion që praktikisht nuk ekziston, nuk dihet. “Referuar kërkesës suaj, ju informojmë se Muzeu i Artit Bashkëkohor, ashtu sikurse në konkurset paraprake edhe kësaj radhe konkursi është hapur konform legjislacionit në fuqi për vitin 2026”, shkruhet në përgjigjen e MAB-it
Muzeu i Artit Bashkëkohor – i themeluar para më shumë se dy vjetësh – ndonëse jofunksional, po vazhdon me angazhimin e stafit të rregullt. Tash është në kërkim të një punonjësi a punonjëse të re për t’iu bashkuar ekipit të institucionit që strehë gjen në ambientet e Ministrisë së Kulturës pasi s’ka ende shtëpi të veten.
Ministria e Kulturës për MAB-in po kërkon koordinator për edukim dhe hulumtim. Por se çfarë do të koordinojë ai apo ajo që do të punësohet në një institucion që praktikisht nuk ekziston, nuk dihet. Madje, MAB-i nuk ka kaluar disa hapa paraprakë që ia mundësojnë punësimet.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoNeni i 12-të i Statutit të Muzeut të Artit Bashkëkohor u kushtohet organizimit të brendshëm dhe rregullores së punës.
“Struktura dhe organogrami i të punësuarve në MAB organizohen nëpër departamente dhe njësi organizative në përputhje me kërkesat, nevojat dhe planet e institucionit dhe rregullohet me aktin përkatës për organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës në MAB”, shkruhet në këtë nen. Pa e pasur rregulloren që e cakton organogrami, Muzeu tashmë ka të punësuar zyrtar financiar, zyrtar ligjor, koordinator për komunikim me publikun dhe koordinator për prodhim të ekspozitave. Tash është në kërkim të zyrtarit të radhës.
KOHA e ka pyetur MAB-in se përse angazhon punonjës kur ende s’e ka aktin përkatës për organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës.
“Referuar kërkesës suaj, ju informojmë se Muzeu i Artit Bashkëkohor, ashtu sikurse në konkurset paraprake edhe kësaj radhe konkursi është hapur konform legjislacionit në fuqi për vitin 2026”, shkruhet në përgjigjen e MAB-it.
Sipas konkursit, zyrtari i ri zhvillon dhe zbaton strategjinë për hulumtim dhe edukim, konform politikave të MAB-it, organizon dhe zbaton aktivitete hulumtuese dhe edukativo-arsimore në kuadër të muzeut dhe zhvillon programe edukative të bazuara në hulumtime të MАB.
“Planifikon, organizon, promovon dhe udhëheq aktivitete publike, përfshirë punëtori, ligjërata, panele diskutimi, debate publike dhe aktivitete të tjera edukative; Inicion dhe realizon hulumtime mbi fondin arkivor dhe veprat e artit të Muzeut; përpilon dhe publikon materiale edukative dhe arsimore për platforma digjitale dhe fizike, përfshirë ueb-faqen, botime të shtypura, broshura, video dhe media të tjera; publikon hulumtime dhe dokumente edukative e arsimore në përputhje me misionin institucional”, shkruhet midis të tjerash te detyrat.
Në fund të vitit të kaluar KOHA nëpërmjet një serie tekstesh ka raportuar se si MAB tashmë ka vulë, logo, staf e s’është funksional dhe s’dihet se kur do të vendoset në hapësirën që dikur i takonte ish-shtypshkronjës së “Rilindjes”. Madje një pjesë e kësaj hapësire muajin e kaluar është përfshirë nga flakët.
Projekti i parë i Muzeut të Artit Bashkëkohor vjet qe thirrja publike për hulumtim në pesë tema me kosto prej 58 mijë e 500 eurosh. Institucioni më i ri i artit në Kosovë ka zgjedhur që nëpërmjet një thirrjeje për hulumtim, të bëjë hapin e parë në veprimtarinë e vet. Pa drejtor, por me ushtrues detyre, pa këshill artistik e staf të kompletuar, MAB-i synon hulumtime. Madje edhe për hulumtimin e themelimit të vet pa pasur kurrfarë historie. Por të paktën në këtë temë doli të mos ketë pasur interesim për ndonjë hulumtim. Ishin gjithsej pesë tema të thirrjes dhe janë tetë projekte që figurojnë në listën e publikuar nga Ministria e Kulturës. Siç vepron rëndom MKRS-ja, s’ka kurrfarë të dhënash publike se kush i ka vlerësuar projektet. E për shumëkënd krejt kjo qe shpenzim i kotë i buxhetit të MAB-it dhe improvizim i skajshëm.
Për temën “Zhvillimi i artit bashkëkohor në Kosovë: praktikat, konteksti dhe sfidat deri në vitin 2000” qenë përzgjedhur dy projekte. Dita Ethemit i janë aprovuar 6 mijë euro për projektin me titull pune sikurse vetë fusha në të cilën ka aplikuar. E Milot Gusisë i janë aprovuar 5 mijë euro për projektin me titull pune “Arti Bashkëkohor i Kosovës në publikimet periodike 1960-70”.
Pesë projekte janë aprovuar për monografi. Engjëll Berishës i janë aprovuar 14 mijë e 500 euro për të realizuar monografinë për artistin, Engjëll Berisha. Dardan Lutës i janë ndarë 7 mijë e 500 euro për të hulumtuar dhe për të bërë dokumentim arkivor për Daut Berishën. Por për hulumtimin për këtë artist është dhënë edhe një projekt. Merita Dragajt i janë ndarë po ashtu 7 mijë e 500 euro për monografinë “Jeta dhe krijimtaria artistike e Daut Berishës”. Filozofi e kritiku Shkëlzen Maliqi është zgjedhur për t’u financuar me 5 mijë euro për monografinë “Rëndësia artistike dhe politike e ekspozitës ‘Përtej’”. Bëhet fjalë për ekspozitën e artistëve shqiptarë në Beograd më 1997. Projekti i Rina Asanit, “Themelimi i Qendrës së Artit Bashkëkohor – Sfidat dhe Historiku” është përzgjedhur po ashtu për monografi. MAB-i ka vendosur t’ia ndajë 5 mijë euro.
E te tema “Historiku i ndërtesës dhe gazetës ‘Rilindja’ është zgjedhur projekti i Njomëza Mulhaxhës, me titull “Rilindja si hapësirë, institucion dhe kujtesë kolektive”. Për temat “Historiku i krijimit të Muzeut të Artit Bashkëkohor në Kosovë” dhe “Historiku i gazetës ‘Rilindja’ si impakt social” të thirrjes së hapur në shtator nuk është përzgjedhur asnjë projekt, megjithëse një prej tyre sikur shkrin dy temat që kanë për fokus “Rilindjen”.
Por kjo thirrje me këto tema, nuk shihet si mënyra më e mirë e nisjes së funksionimit të një institucioni të ri si Muzeu i Artit Bashkëkohor. Madje shihet si nismë improvizuese.
Profesori universitar, Adem Rusinovci, i cili edhe ka udhëhequr me Fakultetin e Arteve si dekan, në fund të vitit të kaluar kishte thënë se hulumtimet e MAB-it do të kishin logjikë nëse do të gërmohej për krijimin e fondit të Muzeut.
“Kjo është e turpshme kur Muzeu hap këso konkursesh. Ky është keqpërdorim total i buxhetit të shtetit tonë shumë të pasur që njëmend paska pasur shumë buxhet. Kjo nuk do koment, me të vërtetë është e gërditshme”, kishte thënë ai. Sipas Rusinovcit, hapi i parë do të duhej të ishte hulumtimi për kronologjinë e zhvillimit të artit dhe ku është potenciali për krijimin e fondit të Muzeut.
“Hulumtimi do të duhej të niste në Pejë, ku ka nisur shkolla e artit. Për gjëra që ka botime e botime nuk bëhen më thirrje. Mandej si mund t’i bëhet Daut Berishës monografi me rreth 7 mijë euro. Kërkimet për trashëgiminë e tij përfshijnë kryesisht Parisin. Po zhgënjehem marramendësisht shumë me veprimet e këtij institucioni, pastaj me logjikën e perceptimet që paska ky institucion”, kishte thënë Rusinovci. Sipas tij, thirrja e MAB-it ishte tejet e çuditshme.
“Kështu veprohet vetëm nëse u kanë mbetur paratë dhe duan të bëjnë dhurata për fundvit. Nuk e di si kanë guxim të bëjnë kështu”, kishte thënë ai.
Kosova zyrtarisht është bërë me Muze të Artit Bashkëkohor në janar të vitit 2024. Por edhe pas kësaj kohe, MAB-i mbetet institucion veç në letër. Numëron pesë veta në staf dhe ushtruesen e detyrës së drejtorit. Është miratuar Statuti i institucionit, është përzgjedhur logoja e MAB-i ka edhe vulë. S’ka seli, pasi stafi funksionon në ambientet e Ministrisë së Kulturës dhe shumica prej stafit, praktikisht, në bazë të përshkrimit të detyrave të punës s’kanë çfarë bëjnë, pasi institucioni është në tentim të funksionalitetit. Prej veprimeve fillestare qe paraparë vendimi për ndërtesën e muzeut. Target ishte që brenda vitit 2023 muzeut t’i ndahej lokacioni. Vendimi për hapësirë është marrë në gusht të vitit 2024. Ministria e Punëve të Brendshme ka aprovuar kërkesën e MKRS-së për shfrytëzim duke ndarë një pjesë të përdheses dhe një pjesë të katit të parë të ish-shtypshkronjës së “Rilindjes”.
Koncepti i themelimit të MAB-it, i prezantuar para më shumë se dy vjetësh, parasheh krejt hapat që duheshin ndërmarrë. Realiteti dhe plani i paraparë në këtë dokument kanë hendeqe të mëdha mes vete.