Kulturë

“MusiKOS” për talente të reja që bashkohen në diversitet muzikor

MusiKos

Instituti Francez i Kosovës, Goethe Center Prishtina dhe shkolla e muzikës “Amadeus”, janë bashkuar për ta konkretizuar projektin “MusiKOS”, e të mërkurën lansimi i këtij projekti ka përkuar edhe me një datë simbolike: 62-vjetorin e Traktatit të Elizesë, që shënon pajtimin franko-gjerman

Projekti franko-gjerman “MusiKOS” i lansuar të mërkurën brenda një viti synon të mbështesë 100 fëmijë në fushën e muzikës. “Përkrahja e Talenteve Muzikore dhe Diversitetit Kulturor: Fuqizimi i Rinisë së Kosovës përmes Edukimit dhe Performancës Muzikore Inkluzive” nuk ndalet vetëm te nxjerrja në dritë e sa më shumë talenteve muzikore por zgjerohet edhe të fuqizimi i larmisë etnike në vend

Vetë pagëzimi i projektit – “MusiKOS” – ka një tingëllimë harmonie, e në esencë është ajo që synon. E bën këtë nëpërmjet muzikës. Instituti Francez i Kosovës, Goethe Center Prishtina dhe shkolla e muzikës “Amadeus”, janë bashkuar për ta konkretizuar atë, e të mërkurën lansimi i këtij projekti ka përkuar edhe me një datë simbolike: 62-vjetorin e Traktatit të Elizesë, që shënon pajtimin franko-gjerman. 

Projekti “Përkrahja e Talenteve Muzikore dhe Diversitetit Kulturor: Fuqizimi i Rinisë së Kosovës përmes Edukimit dhe Performancës Muzikore Inkluzive” nuk ndalet vetëm te nxjerrja në dritë e sa më shumë talente muzikore por zgjerohet edhe të fuqizimi i larmisë etnike në vend me theks të veçantë te diversiteti muzikor. 

Në projektin franko-gjerman, të rinjtë kosovarë prej moshës 6 deri në 17 vjeç, do të përfitojnë trajnime intensive të muzikës klasike.

Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guérot, e ka vlerësuar këtë projekt duke thënë se do të ruajë trashëgiminë muzikore të vendit, përmes së cilës më së miri paraqitet edhe prania e diversitetit etnik në Kosovë.

“Pas audicioneve të cilat ‘Amadeus’ do t’i fillojë me muzikantët e rinj dhe këngëtarë të korit nëpër të gjithë vendin, e veçanërisht me ata që kanë një prejardhje jo të favorizuar socio-ekonomike, shumë talente të përzgjedhura do të arrijnë të përfitojnë nga trajnimet individuale dhe ato orkestrale përgjatë gjithë vitit. Faleminderit muzikës që nxit mirëkuptimin dhe forcon lidhjet e komunitetit si edhe përfshirjen sociale”, ka thënë ambasadori Guérot. Bashkëpunëtori i tij në këtë projekt, zëvendësambasadori gjerman në Kosovë, Matthias Conrad, marrëveshjen mes tyre e lidhi edhe me datën konkrete që lidhet me Traktatin e Elizezë të vitit 1963, i cili shërbeu për të pajtuar Francën e Gjermaninë pas Luftës së Dytë Botërore. 

“Ne sot festojmë Traktatin e Elizezë. E ky traktat përfaqëson një udhëtim të gjatë për pajtimin franko-gjerman. Ai u nënshkrua në vitin 1963 dhe arriti t’i kthejë dy ish-kundërshtarë në aleatë të ngushtë dhe në miq të vërtetë. Shndërroi armiqësinë në partneritet dhe në miqësi. Dhe kjo dëshmon se dialogu dhe bashkëpunimi mund të kapërcejnë edhe përçarjet më të thella shekullore. Traktati i Elizezë në atë kohë i kushtoi theks të veçantë rinisë. E, jam shumë krenar dhe i lumtur që në këtë mënyrë ne sot mund të vazhdojmë projektin që po e lansojmë”, ka thënë zëvendësambasadori Conrad.
Conrad po ashtu ka thënë bashkëpunimi gjermano-francez, duhet të shërbejë si frymëzim për çdo komb që dëshiron të krijojë identitetin e tij, e sidomos atë kulturor.

Shpërfaqje dhe përforcim i talentit në këndim e lojë në instrumente muzikore, sipas drejtueses së shkollës “Amadeus”, Hana Petrovci, do t’u mundësohet 100 fëmijëve të Kosovës përmes “MusiKOS”. 

“Projekti parasheh gjithashtu inkorporimin e nxënësve të talentuar, të cilët ndoshta nuk kanë mundësi të ekspozohen shumë në ambiente kulturore dhe artistike, me anë të të cilit ne do t’i përfshijmë këta nxënës në këtë projekt duke u dhënë mundësinë të shprehin talentin e tyre dhe përveç saj edhe të zhvillojnë talentin qoftë në instrumente muzikore, të cilat ata i preferojnë, por edhe në këndim si individual ashtu edhe në këndim koral”, ka thënë Petrovci. Projekti “MusiKOS” do të zgjasë një vit.
Siç përshkruhet projekti në njoftimin për medie, ai është përzgjedhur të financohet nga Fondi Franko-Gjerman i Kulturës, i cili “mbështet iniciativat e bashkëpunimit kulturor midis rrjeteve diplomatike dhe kulturore franceze e gjermane dhe partnerëve të tyre lokalë në vendet e huaja”.  

Po sipas njoftimit, “është parashikuar që ‘MusiKOS’, të festojë edhe trashëgiminë e pasur muzikore franko-gjermane, duke ofruar mentorim dhe udhëzime nga muzikantë francezë dhe gjermanë, të cilët së bashku me muzikantë profesionistë kosovarë, do t’u ofrojnë mësim talenteve të reja për një karrierë muzikore, duke nxitur një shkëmbim të thellë kulturor”. 

Në ceremoninë e së mërkurës këto dy institucione janë zotuar se do t’i bashkojnë forcat e tyre, që të sjellin projekte të tjera kulturore e më gjerë në Kosovë.