Shtatë vjet i kishte kaluar si nxënës në Medresën e Madhe të Gjakovës. Ishte e rrëmbyshmja dekadë e katërt e shekullit të kaluar kur Kosova përjetoi një bashkim të shkurtër me Shqipërinë.
Me braktisjen e studimeve, në prag të ixhazetit, i riu 17-vjeçar nga Gjakova u shkëput edhe nga tradita e familjes së tij që kishte nxjerrë klerikë të fesë muhamedane. Kalimi në Normalen e Gjakovës do të ishte kthesa që brenda pak kohësh do ta sillte atë në mbretërinë e filozofisë.
Më 1953, Ekrem Murtezai do të regjistrohej në degën e Filozofisë në Fakultetin Filozofik të Beogradit. Në një hark kohor që përthekon gjithë angazhimin e tij universitar e pedagogjik, ai do të autoronte mbi njëzet libra e tekste shkollore për filozofinë e dhjetëra ese artikuj të llojndryshëm.
Në pasditen e së enjtes, institucioni më i lartë akademik në Kosovë, ASHAK, ka dhënë kumtin për ndarjen nga jeta në moshën 89-vjeçare të akademik Ekrem Murtezait.
Mes polemikave e debateve
Gjatë zigzagut të tij jetësor, ai për pesë vjet do të shërbente si shef i kabinetit dhe këshilltar i Fadil Hoxhës. E gjithë kjo periudhë afërsie me një nga figurat kundërthënëse shqiptare në ish-Jugosllavi do të bëhej tharmi i librit “Fadil Hoxha, siç e njoha unë”, që u botua në vjeshtën e vitit 2011.
Me vlerësimin e tij të dhënë në faqen 105 të librit se “Fadil Hoxha ka bërë për Kosovën optimumin e asaj që ka qenë e mundur në kushtet, rrethanat dhe në situatën e atëhershme brendapërbrenda sistemit socialist e monist”, historianë e publicistë të ndryshëm do t’i cakërronin heshtat e mospajtimeve.
“Fadil Hoxha nuk mund të jetë hero”, i ishte kundërpërgjigjur asokohe historiani nga Shqipëria, Uran Butka, i cili kishte akuzuar Hoxhën për eliminim të kundërshtarëve politikë.
Kjo frymë polemizuese ishte ringjallur edhe para katër vjetësh. Ekrem Murtezai ishte në mesin e tetë akademikëve të ASHAK-ut që iu bashkëngjitën nismës që Fadil Hoxha të shpallej “Nderi i Kombit”.
I zgjedhur më 1996 me statusin e anëtarit korrespodent në institucionin më të lartë akademik në Kosovë, kurse prej pasluftës si anëtar i rregullt, ai ishte gjetur jo rrallë në mesin e debateve që qendërzoheshin mu rreth këtij institucioni.
Ndërsa mbante funksionin e sekretarit të Seksionit të Shkencave Shoqërore, në dritën e kritikave në adresë të ASHAK-ut, Murtezai e quante si “abnormalitet normal që ky institucion të ketë dobësi”.
“Asgjë në këtë botë nuk është e përsosur dhe gjithnjë ka vend për kritikë”, kishte thënë Murtezai në një debat në “Rrokum TV” më 18 mars 2015. Ishte koha kur deputeti i PDK-së, Ramë Vataj kishte marrë nismën për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për ASHAK-ut.
Intelektuali që jepte propozime për vendin
Në vitin 2010 e gjithë Kosova ishte nën ethet e vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Shteti që sapo kishte bërë dy vjet ekzistencë, priste opinionin këshilldhënës mbi ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë.
Shoqata “Miqtë e Amerikës” kishte organizuar një aktivitet për grumbullimin e fakteve që do të anonin peshoren nga ligjshmëria e pavarësisë.
Kështu në sallën e Fakultetit Juridik do të organizohej një diskutim, ku patën marrë pjesë Nekibe Kelmendi, Arsim Bajrami dhe profesorë të tjerë universitarë. Në këto debate, gjatë të cilave pati propozime e ide nga më të ndryshmet, ishte edhe Murtezai.
“Ai doli me shumë propozime të qëndrueshme e me efekte të mëdha politike”, ka kujtuar një dekadë më vonë kreu i kësaj shoqate, Agim Rexhepi.
Duke evokuar momente nga ky debat, ai ka vlerësuar se vetë pjesëmarrja e Murtezait e rriste vlerën e diskutimeve.
Kështu, gjatë çdo takimi që kishin pasur, akademiku i ndjerë shprehte interesim të gjallë për angazhimet e lobimet që bëheshin në Shtetet e Bashkuara.
“Tek ai kishte dije, kulturë, respekt, afërsi dhe aftësi komunikuese, por më së shumti më linte mbresa qetësia shpirtërore e tij, racionaliteti i debatit dhe rrezatimi i energjisë pozitive te të tjerët”, ka thënë Rexhepi.
Përshtypje të mira i janë fiksuar edhe publicistit nga Ferizaj, Enver Zhinipotoku, teksa ka sjellë ndërmend ligjërimet e Murtezait pranë studentëve të Filozofisë.
“Ishte një mendje enciklopedike në njohjen dhe elaborimin e diturive filozofike në Kosovë, i cili me ligjërimet e tij në stilin e Ciceronit të mahniste me elokuencën e oratorisë”, ka kujtuar ai.
E publicisti nga Gjakova, Fetah Bakija, është kthyer pas në kohë kur Murtezai shërbeu edhe si drejtor i gjimnazit “Hajdar Dushi” në këtë qytet. E mban mend si pedagog të përgatitur.
“Ai shquhej për njohje dhe si njohës i rrjedhave të arsimit dhe shkollimit të të gjitha niveleve, për çfarë u shqua si drejtor i suksesshëm”, ka thënë Bakija.
Duke vënë themelet e filozofisë
Një ditë pasi Murtezai i la shëndenë kësaj bote, kolegë e profesorë nga Fakulteti Filozofik ndiejnë boshllëkun që ai la si bashkëthemelues i Degës Filozofi-Sociologji.
Profesori Kristë Shtufi – i cili është edhe shef i Departamentit të Filozofisë – ka vlerësuar se Universiteti i Prishtinës ka humbur një njeri që la gjurmë akademike përmes angazhimit të tij për dekada të tëra në këtë degë.
“Profesorati i filozofisë ka humbur një koleg kritik konstruktiv, ish-studentët kanë humbur një profesor dhe orator të shquar në ligjërata, kurse filozofia kosovare ka humbur një mendimtar të mbrehtë dhe iluminist që ka treguar se të filozofuarit do të thotë të mendosh me kokën tënde dhe të mendosh në mënyrë kritike dhe që arsimi e ndrit mendjen njerëzore”, ka thënë Shtufi.
Me konsiderata të ngjashme është shprehur edhe ligjëruesja në këtë departament, Sibel Halimi, e cila ka veçuar kontributin e Murtezait në themelimin e katedrës së filozofisë dhe sociologjisë.
“Ndonëse këto dy departamente të krijuara në një kohë me një sistem të qartë të etabluar politik e ideologjik, krijimtaria e profesorit Murtezai arriti të ndërtojë themelet e mendimit filozofik në Kosovë, në njërën anë derisa në anën tjetër veprat e tij do të na shërbejnë si një burim i rëndësishëm i frymës së kohës në të cilën u krijuan”, ka thënë Halimi.
Fjalori si kontribut i veçantë
Mbi 2 mijë koncepte nocione, shprehje e pohime të ndryshme të filozofisë, Murtezai, në moshën 76-vjeçare, do t’i përfshinte te “Fjalori i Filozofisë” që u botua nga Shtëpia Botuese “Toena”.
Brenda 548 faqeve ishin endur terma nga logjika, gnoseologjia, ontologjia, etika, estetika, antropologjia, aksiologjia dhe historia e filozofisë.
“Për mendimin tim, ‘Fjalori i Filozofisë” mbetet kontributi më i arrirë i Murtezait”, ka thënë profesori i filozofisë, Blerim Latifi.
Ndërsa ka sjellë ndërmend edhe faktin që Murtezai kishte kontribuar me përkthime të literaturës filozofike – në të gjallë kishte shqipëruar edhe veprën e Kantit “Kritika e mendjes së pastër” – ai ka vlerësuar se krijimtaria filozofike e profesorit të ndjerë ndahet në një “periudhë të marksizmit jugosllav dhe një tjetër që mund të cilësohet si periudhë post-marksiste”.
Madje në këtë të fundit, sipas tij, ka tekste që reflektojnë qëndrime themelore të komunizmit jugosllav si kritika e stalinizmit dhe kapitalizmit nga perspektiva e ideologjisë së socializmit vetëqeverisës.
“Tekstet e vlefshme filozofike të Murtezait sigurisht janë ato të periudhës post-marksiste, ngase në to refleksioni filozofik shfaqet i çliruar nga ngarkesat dhe dogmatizmi ideologjik”, ka vlerësuar Latifi, ndërsa ka zënë në gojë edhe disa ese të Murtezait për mendimtarë si Bloch, Hegel e të tjerë.
Sipas biografisë së afishuar nga ASHAK-u, Ekrem Murtezai lindi në Gjakovë, ku kreu shkollën fillore dhe mori mësime në Medresenë e Madhe të Gjakovës.
Në vitin 1948 u regjistrua në Shkollën Normale të Gjakovës, ndërsa në vitin 1951 u diplomua në Pejë. Studioi për filozofi në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Beogradit. Pas studimeve deri në fund të viteve ’60 punoi mësimdhënës në shkollën normale dhe në gjimnazin e Gjakovës, ku ishte edhe drejtor. Nga viti 1969 e deri në vitin 1973 ishte në detyrën e këshilltarit të pavarur në Byronë Ekzekutive të Komitetit Qendror të Lidhje Komuniste të Jugosllavisë (LKJ) dhe njëkohësisht edhe shef i kabinetit të Fadil Hoxhës, i cili në atë kohë ishte anëtar i Byrosë Ekzekutive. Ndërkohë mbaroi studimet pasuniversitare për politikologji në Fakultetin e Shkencave Politike në Beograd.
Në vitin 1973 u zgjodh ligjërues i lëndëve historia e filozofisë antike dhe mesjetare dhe filozofisë marksiste në katedrën filozofi-sociologji në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës (UP), ku më 1977 mbrojti edhe tezën e disertacionit të doktoratës me titull “Lenini për logjikën dialektike”.
Studimet pasuniversitare i kreu në vitin 1972, në Fakultetin e Shkencave Politike të Beogradit. Gjatë viteve 1983-1991 ishte profesor i rregullt i lëndëve të përmendura, por edhe i disa lëndëve të tjera filozofike: i estetikës, logjikës, idealizmit gjerman, filozofisë bashkëkohore etj.
“Për një kohë ligjëroi edhe metodologjinë dhe teknikat e kërkimeve shkencore në degën e gjuhës dhe të letërsisë shqipe. Gjatë viteve 1973-1981 ishte drejtor i Qendrës Krahinore të Arsimit Marksist. Kreu edhe detyra të tjera në institucionet e arsimit. Anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe i Arteve të Kosovës u zgjodh në vitin 1996, kurse në vitin 2000 u zgjodh anëtar i rregullt”, thuhet në biografinë e ASHAK-ut.
Disa herë u zgjodh shef i Degës filozofi-sociologji të Fakultetit Filozofik të Prishtinës. Në vitin 1976 u bë laureat i Shpërblimit të Dhjetorit për shkencat shoqërore. Gjatë viteve 1973-1981 ishte drejtor i Qendrës Krahinore të Arsimit Marksist.
Murtezai ishte autor i disa librave nga fusha e filozofisë, i artikujve shkencorë, i fjalorëve terminologjikë, i librave shkollorë: “Filozofia materialiste-dialektike” (1975), “Studime filozofike” (1975), “Stalinizmi dhe neostalinizmi” (1976), “Pikëpamja e Leninit për metodën dialektike” (1976), Marksizmi, socializmi dhe vetëqeverisja” (1981), “Disa terma aktualë politikë” (1986), “Fjalori i filozofisë” (1995), “Fjalor i feve” (2000), “Hyrje konceptuale në filozofi” (2015) etj.