Arkeologët kanë zbuluar një garnizon kufitar mesjetar në Mongoli duke nxjerrë fakte se disa nga muret monumentale në stepën euroaziatike nuk u ndërtuan për t’u mbrojtur nga sulmet e armikut, por për të kontrolluar lëvizjen e njerëzve dhe për të shfaqur pushtet në kohë perandorish
Në shkretëtirën mongole Gobi, muri monumental 321 kilometra i gjatë, deri vonë ishte një hallkë pothuajse e panjohur në zinxhirin e infrastrukturës mesjetare të Azisë Lindore. Hulumtimet e reja arkeologjike ofrojnë dëshmi unike mbi qëllimin dhe kontekstin e tij historik, duke zbuluar se muri shërbeu jo vetëm për mbrojtje, por edhe si një instrument i kontrollit perandorak.
Deri vonë një enigmë për arkeologët, i ashtuquajturi Muri i Gobit, tani është objekt i një studimi të madh ndërkombëtar që ndryshon supozimet e mëparshme. Një studim i ri, i botuar në revistën “Land”, zbulon se muri kishte funksione të shumëfishta – nga menaxhimi i kufijve dhe kontrolli i lëvizjes së njerëzve, deri te demonstrimi i fuqisë së dinastisë Xia (1038-1227 të erës sonë), e cila udhëhiqej nga tungutët e Kinës perëndimore dhe Mongolisë jugore.
Ekipi i hulumtuesve, i udhëhequr nga Gideon Shelah-Lavi dhe Dan Golan nga Universiteti Hebraik i Jerusalemit, kreu një ekspeditë të gjerë në bashkëpunim me shkencëtarë nga Mongolia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Duke përdorur një kombinim të teledetektimit, studimeve në terren dhe gërmimeve, studiuesit zbuluan pjesë të garnizonit dhe elementëve të infrastrukturës që tregojnë planifikimin e saktë dhe përdorimin afatgjatë të murit.

Muri është ndërtuar me dhe të shtypur, përforcuar me dru dhe gurë, duke reflektuar një përshtatje ndaj kushteve lokale në një zonë të thatë dhe të paqasshme. Analiza hapësinore tregon se rruga e murit është zgjedhur me kujdes – pranë burimeve natyrore të ujit, qafave malore dhe dunave të rërës, me qëllim maksimizimin e përdorimit të burimeve dhe barrierave natyrore.
Arkeologët kanë gjetur prova se zona është përdorur në raste të shumta – nga shekulli II para erë sonë deri në shekullin e 19-të pas Krishtit, gjë që tregon rëndësinë strategjike afatgjate të kësaj zone. Garnizonet përgjatë murit dëshmojnë për funksionin ushtarako-administrativ, por edhe për proceset komplekse socio-politike.
Në dallim nga shpjegimi tradicional i murit si një strukturë ekskluzivisht mbrojtëse, studiuesit theksojnë rolin e tij shumëfunksional – nga kontrolli i tregtisë dhe lëvizja e popullsisë, deri te konsolidimi simbolik dhe praktik i pushtetit perandorak.
“Muri i Gobit nuk ishte vetëm një mburojë – ishte një mekanizëm dinamik për menaxhimin e lëvizjes, tregtisë dhe kontrollit territorial në një mjedis sfidues”, ka theksuar profesori Gideon Shelah-Lavi
Rezultatet e studimit ofrojnë të dhëna mbi ndërveprimin midis pushtetit perandorak dhe përshtatjes ekologjike, duke shtruar pyetje të reja rreth rolit të infrastrukturës në peizazhet politiko-historike dhe bashkëkohore. Në një kohë kur kufijtë dhe migrimi janë përsëri në qendër të debateve globale, hulumtimi për metodat mesjetare të kontrollit hapësinor bëhet burim i vlefshëm.
Muri në shkretëtirën e Gobit, i anashkaluar dhe i keqkuptuar prej kohësh, tani po merr vëmendjen që meriton – jo vetëm si një zbulim arkeologjik, por si një çelës për të kuptuar kompleksitetin e perandorive të kaluara dhe trashëgiminë e tyre.
Marrë nga “ClassiCult”. Përktheu: KOHA