Kulturë

Muralet e reja në Prishtinë – reflektim i situatës, ngjyra për kryeqytetin

Jo pak murale i janë shtuar kryeqytetit kohëve të fundit. Ato vijnë si shpresë për ditë më të mira, thirrje për vetëdijesim a reflektim mbi situatën politike. Në vitin pandemik nuk mungon as lidhshmëria me koronavirusin

Pas mbylljes për shkak të koronavirusit, çdo ndryshim në hapësira publike qe më i dukshëm. S’ka kaluar pa rënë në sy as vala e re e muraleve. Artistët që qëndrojnë prapa tyre kryesisht i kanë realizuar ato me iniciativa personale. Muralet përçojnë mesazhe të ndryshme te qytetarët. Veprat e realizuara janë shpresë për ditë më të mira, thirrje për vetëdijesim a reflektim mbi situatën politike. Në vitin pandemik nuk mungon as lidhshmëria me koronavirusin. Kalimi nga një cep i qytetit të tjetri është edhe si udhëtim artistik.

Një kopje e veprës së famshme “Guernica”, e artistit spanjoll Pablo Picasso, tani gjendet edhe në Prishtinë. Në fakt është mural.

Artistja Ermira Murati e realizoi një kopje të veprës në trafon që gjendet prapa Teatrit Kombëtar të Kosovës. “Guernica” në kryeqytet zë vend prej dhjetëditëshit të fundit të 2020-s. E origjinali i realizuar në vitin 1937 cilësohet nga shumë kritikë të artit si një ndër veprat më të fuqishme kundër luftës. Qëndron i ekspozuar në muzeun “Reina Sofia” në Madrid. Qe një reagim i fuqishëm për Luftën Civile Spanjolle.

“Aftësia e Picassos për të paraqitur një ngjarje kaq të tmerrshme në një pikturë është diçka shumë artistike. Të bën të kuptosh më mirë të keqen e luftës dhe njëkohësisht shërben si vetëdijesim kundër fenomenit”, ka thënë artistja. Ka shtuar se jo shumë njerëz janë të vetëdijshëm për këtë vepër. Për këtë arsye, përveç zbukurimit të hapësirës me art, ka shtuar se vepra shërben edhe për t’i njoftuar qytetarët me artistin dhe artin e tij.

Veçantia e këtij murali është mënyra e realizimit. Ka përdorur vetëm të bardhën dhe të zezën, prej të cilave Murati ka nxjerrë edhe nuanca të së hirtës. Si një nismë për t’ia shpalosur publikut kryeveprat e artit botëror, Murati ka realizuar edhe versionet e saj të “The Kiss” të Gustav Klimtit, “Starry night” të Vicent Van Goghut dhe “The Scream” nga Edvard Munch. Që të tria zënë vend në qendër të qytetit.

“The Scream” është realizuar para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës. Nga ajo trafo furnizohet me rrymë edhe objekti qeveritar. Gruaja duke bërtitur, siç ka thënë Murati, merr një konotacion të ri në vend.

“Përfaqëson njerëzit në Kosovë, të cilët janë të shokuar nga veprimet e politikanëve dhe situatat politike”, ka thënë ajo.

Sipas saj, muralet i japin vlera artistike qytetit dhe ua dhurojnë një pamje të bukur dhe tërheqëse si vendasve, ashtu edhe turistëve.

“Muralet e bukura po ashtu e mbulojnë papastërtinë dhe shëmtinë e mureve dhe të trafove”, ka shtuar ajo.

Kur është fjala për mbulim të papastërtisë, një mural tjetër ka bërë një punë goxha të mirë në këtë drejtim.

Katër studentë të Fakultetit të Arteve – Renea Begolli, Luiza Thaqi, Drenusha Dalipi dhe Albion Begisholli – kanë realizuar mural brenda Fakultetit Teknik. Për ta liruar hapësirën në realizimin e muralit ishin larguar 15 kamionë me mbeturina. Kishin mbetur aty nga ndërhyrjet dhe renovimet e herëpashershme brenda fakultetit. Murali u realizua më 12 dhjetor.

Image

Mimoza Rraci, nëpërmjet muralit të saj, ka dashur që të shprehë mirënjohje ndaj stafit shëndetësor. Vepra e saj përdor edhe nga prestigjiozja “Time”


Artistja e re, Renea Begolli, ka thënë se murali krijon përshtypjen e një vepre të vetme, ani pse secili prej tyre ka dhënë elemente të veçanta. Paraqet një qytet në zhvillim, tregon se diçka është në lëvizje çdoherë. Sipas saj, murali është i tillë që nuk ka fillim ose fund. Është një lojë me figura.

“Kemi vendosur që ta realizojmë muralin si një intervenim për ta krijuar një hapësirë më të ngrohtë për studentët, por edhe për ta rifunksionalizuar vendin ku më përpara ka pasur mbetje të mbeturinave që kanë qëndruar aty me vite”, ka thënë Begolli. Sipas saj, nëse hapësirat e tilla menaxhohen në mënyrën e duhur, ato mund të shfrytëzohen nga shoqëria. Përmes veprave të tilla, sipas saj, qytetarët afrohen më shumë me artin publik, por në të njëjtën kohë ndihmohen edhe artistët e pavarur.

E, Mimoza Rraci, nëpërmjet muralit të saj, ka dashur që të shprehë mirënjohje ndaj stafit shëndetësor. Tri ditë punë i mori murali të cilin e finalizoi më 2 dhjetor të 2020-s. Është realizuar në Dragodan, në objektin e “YessPharma”. Murali ku shihet një infermiere e cila bart maskën me flamur të Kosovës bëri bujë edhe nëpër media ndërkombëtare. Revista e njohur amerikane “Time” përfshiu muralin si ilustrim në shkrimin dedikuar gardianëve të këtij viti.

“Ky mural është realizuar me synimin që përmes tij të shpreh falënderim për ata që më së shumti sakrifikuan dhe u munduan në këtë kohë pandemie”, ka thënë Rraci për veprën në dimensione 2.5 me 1.5 metra. Sipas saj, muralet e kanë fuqinë të përçojnë në mënyrë të thjeshtë çështje që kanë të bëjnë me kulturën, historinë, politikën dhe njëkohësisht ta zbukurojnë hapësirën urbane.

Në anën tjetër, artistja Zejnije Kastrati, nëpërmjet artit të saj dhe muraleve, po synon që t’u ofrojë siguri kalimtarëve. Që prej javës së fundit të nëntorit ka punuar për t’u dhënë një pamje krejtësisht tjetër disa nënkalimeve në kryeqytet.

Image

Katër studentë të Fakultetit të Arteve – Renea Begolli, Luiza Thaqi, Drenusha Dalipi dhe Albion Begisholli – kanë realizuar mural brenda Fakultetit Teknik


Ka treguar se gjatë fazës së parë të projektit janë analizuar më së shumti ngjyrat, duke marrë parasysh faktin se truri i njeriut i percepton ngjyrat para formave. Ka shtuar se qëllim kryesor ishte që murali të mos konsiderohej vetëm si një vepër artistike, por të ishte edhe një përjetim psikologjik. Parësore është që vepra të reflektojë siguri.

“Andaj, në hyrje-daljet e nënkalimeve është aplikuar ngjyra e verdhë, e cila tërheq vëmendjen në qarkullimin rrugor dhe rrit përqendrimin e fokusimin në këndvështrimin pamor. Ndërsa arti brenda nënkalimit, me tri ngjyra parësore nga paleta e ngjyrave të tjera, bën që kalimi përgjatë ecjes të përjetohet si siguri, ngrohtësi dhe qetësi në ecje”, ka thënë ajo. Ka shtuar se nëpërmjet simetrisë krijohet përshtypja sikur ecja në nënkalim është më e shpejtë.

Sipas Kastratit, e cila me profesion është arkitekte, artistëve u duhen dhënë sa më shumë mundësi për zhvillimin e artit dhe arkitekturës në Kosovë. Ajo është duke punuar në katër nënkalime: dy nënkalime në lagjen “Kalabria”, një në lagjen “Bardhosh” dhe nënkalimi te “Xhamia e Llapit”.

Image

Nënkalimi në lagjen “Kalabria” me muralin e Zejnije Kastratit