Rreth 25 artistë të rinj kanë punuar çanta dhe punime në gjergjef me motive të pikturave të njohura apo figurinave arkeologjike. Nëpërmjet motos “Blej dhe dhuro” artistët e rinj kanë gjetur një mënyrë artistike për të ofruar mbështetje për personat me sindromën Down
“ARTivistat”, e quajnë vetën një grup të rinjsh të cilët kanë vendosur që nëpërmjet artit t’i ndihmojnë të tjerët. Në kuadër të organizimit “Blej dhe dhuro”, që është organizuar nga festivali “Mural Fest” kanë pikturuar në çanta dhe kanë punuar punime në gjergjef. Punimet kryesisht janë imitime të kryeveprave të piktorëve të njohur si Ibrahim Kodra, Gustav Klimt, Van Gogh e të tjerë. Nuk mungojnë as elemente nga trashëgimia arkeologjike si Hyjnesha e Varoshit dhe Hyjnesha e Prishtinës, e po ashtu portrete të figurave të njohura si artistja meksikane Frida Kahlo e njohur për auto-portretet e saj. Të njëjtat i kanë vënë në shitje. Paratë e mbledhura do t‘ia dhurojnë qendrës në Ferizaj të shoqatës “Down Syndrome” .
Pranvera Sylejmani është ideatore e këtij projekti. Ka thënë se nisma ishte që të bënin diçka kreative për të rinjtë, por që do të shërbente në të mirë të shoqërisë. Ka treguar se 25 artistë të rinj vullnetarë janë përfshirë në realizimin e më shumë se 30 çantave.
“Ky aktivitet është i fundit për këtë vit, dhe u punua me shumë kujdes dhe dashuri nga grupi i artistëve të rinj ‘ARTivistat’. Përzgjedhja e punimeve për implementim në çanta ishte që të realizojmë piktura të njohura nga piktorët vendorë dhe të huaj”, ka thënë ajo.
Rema Salihu, që ishte pjesëmarrëse në këtë projekt, ka thënë se arsye kryesore që i është bashkuar grupit vullnetar ishte fakti se do ta përdorte artin si mjet për të ndihmuar të tjerët.
“Shtytje për një vullnet të madh që të punojmë në këtë aktivitet ishte që me punën tonë të vogël të përçojmë dashuri dhe të arrijmë që për festat e fundvitit të kontribuojmë sadopak për fëmijët me sindromën Down”, ka thënë ajo.
Drejtoresha e festivalit “Mural Fest”, Lebibe Topalli, ka thënë se si festival janë të interesuar që të ndihmojnë komunitetin me aktivitete të ndryshe. Sipas saj, arti çdo herë mund të përdoret për mënyra të ndryshme.
“Përparësia në profesionin tonë qëndron që përveç përfitimeve personale apo të tjerave, edhe vetë autori merr një kënaqësi duke punuar e kjo është me rëndësi pasi që çelësi i këtij profesioni është pasioni, pra dashuria për këtë profesion. Në rast të kundërt nuk mund të jesh artist e nuk mund të ketë art”, ka thënë ajo. Sipas saj, të ndihmosh të tjerët në shkëmbin të një vepre që përmban art është diçka që pa dyshim duhet përkrahur.
Qëllim i këtij projekti është edhe sensibilizimi i qytetarëve në lidhje me sindromën Down. Në këtë rast, sipas Topallit, blerja e çantave është edhe një motiv për artistët e rinj se puna e tyre po vlerësohet. Topalli ka thënë se me këtë aktivitet të veçantë po e përmbyllin një vit të suksesshëm, përkundër pandemisë.
Ka treguar se në kuadër të festivalit “Mural Fest” sivjet janë realizuar 15 murale. Festivali po ashtu është zgjeruar edhe në Prishtinë, ku janë realizuar 40 punime të vogla në kutitë e trafove nëpër kryeqytet, si dhe në Kamenicë, ku kanë realizuar një mural. Çantat dhe punimet në gjergjef janë në shitje në rrjetet sociale të “Mural Festit”.