Mozaiku me motive gjeometrike e floreale, thuajse në zemër të Tiranës, po shpaloset në krejt totalitetin e vet. Aty ku ndodhet edhe një vilë e shekujve romakë, veglat e arkeologëve po e hapin rrugën edhe për promovimin arkeologjik të të vetmit monument arkeologjik të kryeqytetit shqiptar.
Ministrja e Kulturës në Republikën e Shqipërisë, Elva Margariti, ka njoftuar të hënën se kanë nisur gërmimet në zonën e zbuluar në vitet ’70.
Me anë të një njoftimi të afishuar në faqen e saj zyrtare në Facebook, ajo ka bërë të ditur se gërmimet janë duke u bërë mes Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore në bashkëpunim me Drejtorinë e Trashëgimisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore të Tiranës, si dhe Universitetin e Tiranës.
“Ky projekt, që ka për qëllim jo vetëm zbulimin e plotë të vilës, që daton në shek. II-III pas Krishtit, por edhe promovimin e saj si një nga hapësirat më tërheqëse për turistët vendës e të huaj, po ndjek rrugën e mjeshtërve të arkeologjisë dhe trashëgimisë kulturore si prof. Skënder Anamali, prof. Aleksandër Meksi e prof. Skënder Muçaj”, ka shkruar Margariti.
Ajo, po ashtu, ka bërë me dije se studentët pjesëmarrës të angazhuar në këtë projekt do të pajisen me një certifikatë trajnimi dhe kualifikimi për gërmimin arkeologjik.
Ndryshe, siti arkeologjik – i njohur konvencionalisht si “Mozaiku i Tiranës” – doli në dritë më 1972 gjatë punimeve për ndërtimin e pallateve të bllokut “Partizani”, në lagjen nr. 9 të Tiranës.
Gjatë gërmimeve në ato që u identifikuan si mbijetojat e një ndërtese antike, arkeologët e kohës zbuluan se mjediset ishin të shtruara me mozaikë, por edhe u konstatuan gjurmët e një bazilike paleokristiane.
Sipas informacioneve të afishuara në faqen e Institutit të Monumenteve të Kulturës, pjesët e mureve, fragmentet e tullave, copëzat e enëve qeramike dhe mozaiku datojnë nga shekulli i parë i erës sonë, si një banesë e tipit rural (“vila rustica”).
Po sipas arkeologëve, dy shekuj më vonë, vendbanimi në fjalë u “zëvendësua” prej një kompleksi ndërtesash me funksione banimi dhe prodhimi. Pjesa e gërmuar e monumentit u rrethua dhe u mor nën mbrojtje nga Instituti i Monumenteve të Kulturës (IMK) në vitin 1973.
Gjatë viteve 2003-2004, punimet e sistemimit të rrugëve dhe instalimeve të ndryshme të bllokut “Partizani” zbuluan pranë rrethimit të monumentit pjesë të tjera të kompleksit.
Më kryesoret këtu ishin vaskat e fermentimit të mushtit të rrushit, por edhe pjesë të tjera muresh në dy pika të ndryshme.
Në ambientet e “Mozaikut të Tiranës” është vendosur edhe administrata e “Sektorit të Tiranës”, në varësi të Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare - Durrës, që merret me përkujdesjen dhe monitorimin e monumenteve të kulturës në territorin e Qarkut të Tiranës.
Mozaiku u rihap për publikun në janar 2010. Vendndodhja e tij është pranë “Sheshit Zogu i Zi” dhe vetëm pak minuta larg nga aty përbri rrugës “Sandër Prosi”.