Kulturë

“Motrat” në dramën e dashurisë së pamundur edhe si homazh e sfidë kohësh

Shfaqja “Motrat”, nën koreografinë e Mehmet Balkan, ka shënuar premierën e dytë të Baletit Kombëtar të Kosovës për sivjet. Ajo është bërë edhe si homazh në kujtim të ish-drejtorit të këtij institucioni, Ahmet Brahimaj, që vdiq më 7 maj të këtij viti

Shkëputja disamujore nuk ka mpakur energjitë e balerinëve. Për më shumë se një muaj, nën kufizimet e vështira të pandemisë, ata kanë punuar për të vënë në skenë shfaqjen “Motrat” – që në origjinal vjen me titull në anglisht “Sisters” – nën koreografinë e Mehmet Balkan. Pasditen e së enjtes vetëm një njeri mungonte. Megjithatë shfaqja e ka bërë të prekshme praninë e njeriut që shkriu gjithçka për Baletin Kombëtar të Kosovës: Ahmet Brahimaj

Dy motra që bien në dashuri është një lajtmotiv më pak i dëgjuar. Sado që është një dashuri që predeterminohet nga një pamundësi e përjetshme, kërshëria njerëzore për to është e njëjtë. Dy zemra që rrahin për të njëjtin mashkull bëjnë që dashuria motërsore – e sfiduar paimagjinueshëm – të tëhollohet mes tensioneve, rivaliteteve e trilleve egërshane.

Duke sfiduar dimrin e ankthshëm të koronavirusit, balerinët e Baletit Kombëtar të Kosovës e kanë bërë të mundur artistikisht një romancë që për shumëkënd ngjan e pamundur.

Pasditen e së enjtes vetëm një njeri mungonte: nuk ishte askund në ulëset e sallës së madhe të Teatrit Kombëtar dhe as për të qenë i pari për t’iu dhënë zemër balerinëve pas performancës sfiduese.

Megjithatë shfaqja “Motrat” – nën koreografinë e profesorit të shquar nga Turqia, Mehmet Balkan – e ka bërë të prekshme praninë e njeriut që shkriu gjithçka për Baletin Kombëtar të Kosovës: Ahmet Brahimaj.

Shkëputja disamujore nuk i kishte bërë më pak pasivë balerinët. Përgatitja e tyre për rreth pesë javë, teksa Mehmet Balkan, asistentja e tij, Lala Balkan, dhe stafi i tij merrnin e jepnin për çdo detaj, ka dhënë frytet e saj në një shfaqje shpërthyese.

Për rreth një orë, 23 balerinët interpretuan pashkëputur me lëvizje e vallëzime dramën pasionante të dy motrave në dashurinë e tyre të pamundur. Gjithçka ngjante e veshur me ngjyra të ndezura në skenë e kostume të bëra nga Tayfun Çebi.

Gradacioni emocional është madhështuar edhe nga muzika e Erim Ardalit që është sintonuar kënaqshëm me natyrën pasionante të subjektit.

Njësoj ka qenë edhe prapavija në projektor e përgatitur nga Ahmet Seren me skena tipike që vizualizojnë dashuritë tragjike.

Me një jeh tingujsh anadolikë që zgjonin ndjesi të diçkaje të papërcaktuar, mbase kurde, armene a turke, interpretimet e balerinëve, herë dy veta në skenë, herë shumë sosh, rrathë koncentrikë njësoj si kërshëria e lagjes që është në dijeni të dy motrave të dashuruara në një mashkull, publiku gjer në fund është mbajtur sy e vesh te skena, ku dashuria e çuditshme bënte dramën e vet lojcake.

Fundi që s’kishte aspak “happy end” nuk ishte zhgënjim: përkundrazi, subjekti u shpalos me pafund përjetimesh.

“Xhelozia e bën të veten”, ka thënë balerini veteran, Jonuz Beqiraj, pas përfundimit të shfaqjes.

Duke vlerësuar me fjalë të mira lojën e balerinëve, ai ka veçuar kostumet e përdorura në shfaqje ashtu si edhe muzikën.

“Në të gjitha pjesët përputhej edhe muzika nga zonat e Armenisë, Azerbajxhanit e Kurdistanit”, ka thënë Beqiraj për KOHËN.

Edhe balerini Kreshnik Musolli është shprehur i kënaqur që ia dolën mbanë ta vinin në skenë një subjekt që kishte më vete edhe xhelozi e inate. Ai ka përgëzuar të gjithë balerinët që, sipas tij, nuk e vunë në dyshim asnjëherë projektin.

“Kemi punuar mjaft intensivisht, sepse edhe koha ishte e kufizuar e ne duhej të iknim në shtëpi për shkak të orës policore”, ka thënë Musolli, i cili është edhe ushtrues detyre i drejtorit të BKK-së. “Ka qenë një përvojë e veçantë, sepse në kohë pandemie është e rrallë edhe në botë të bëhen premiera”.

E balerina Vjollca Llugiqi ka thënë se e ka ndier dhe shijuar shfaqjen me fund tragjik që “nuk jepet shpesh në Baletin Kombëtar”.

“Por shfaqja e sontme ishte e veçantë edhe për faktin se për herë të parë jemi pa profesorin Ahmet”, ka thënë Llugiqi, e cila, njësoj si balerinët e tjerë, ka ndier zbrazëti për njeriun që gjithmonë përgëzonte balerinët pas interpretimeve.

Vetë koreografi Mehmet Balkan është shprehur i lumtur që shfaqja nderoi kujtimin për mikun e tij, Ahmet Brahimaj. Është shprehur i kënaqur për publikun që vlerësoi punën e vështirë të balerinëve.

“Mendoj se në aspekt afatgjatë kjo vepër do të ketë shumë publik”, ka thënë Balkan.

Koreografi 64-vjeçar po ashtu është shprehur besimplotë se aty ku e ka lënë punën Ahmet Brahimaj, “Kreshnik Musolli dhe të tjerët po e vazhdojnë duke sjellë frymë pozitive”.

I lindur në Ankara, Mehmet Balkan është një nga koreografët më të njohur në Turqi duke koreografuar mbi 60 shfaqje baleti gjatë karrierës së tij 45-vjeçare.

Ka diplomuar në Konservatorin Shtetëror të Ankarasë, ku ka studiuar baletin klasik, pianon dhe muzikën. I ishte bashkuar si 18-vjeçar Operës dhe Baletit Shtetëror të Ankarasë.

Ndërsa e vijoi shkollimin e tij në Angli, emri i tij do të bëhej i njohur kur fitoi vendin e tretë në Konkursin Ndërkombëtar të Baletit në Varna të Bullgarisë. Më 1979, me ftesë të drejtorit të Operës së Munihut, ai interpretoi si solist. Në skenën gjermane ai do të interpretonte si valltar mysafir në Baletin Shtetëror të Hanoverit.

Më 1982, Balkan ishte në mesin e 100 njerëzve më të famshëm të Gjermanisë Perëndimore. Ka marrë edhe çmimin e “Koreografit më të mirë” në një garë të mbajtur në Japoni më 1994.

I vlerësuar në Evropë për punën e tij prej koreografi, Balkan kishte qenë edhe në Kosovë, më 2015, ku kishte dhënë shfaqjen ““Ngjyrat e vallëzimit”.

E gruaja e tij, Lale Balkan, është po ashtu koreografe e njohur. Mes viteve 1974 dhe 1980 ajo ishte valltarja kryesore në Operën dhe Baletin Shtetëror të Ankarasë. Pas pensionimit më 1989, ajo ka punuar si mësuese mysafire e baletit në Kinë, Francë, Itali, Japoni, Zvicër, Kanada, ShBA, Skoci, Austri, Spanjë e Portugali.

Ndryshe, “Motrat” është premiera e dytë e Baletit Kombëtar të Kosovës për sivjet dhe për shkak të numrit të kufizuar të audiencës do të reprizohet edhe dy herë gjatë këtij muaji.