Me gjuhë të drejtpërdrejtë artistike, “Mos ik” është thirrja që në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë bën skulptori Eroll Murati. Nëpërmjet veprës së tij, autori koncepton mesazhin që të mos braktiset Kosova. I kemi harruar sakrificat e dhëna për këtë vend. Mendoj se duhet të kujtohen”, ka thënë artisti Murati në inaugurimin e veprës së tij
Brenga e cila e rëndon tash e një kohë është largimi i të rinjve nga Kosova. Ka dhjetë muaj që fjalia “Mos ik” i rrinte në mendje. Atë e shndërroi në skulpturën shtatë metra të lartë, në të cilën paraqitet një figurë njeriu duke u shkëputur nga toka si simbol i të gjithë atyre që e braktisën Kosovën, shpeshherë në kërkim të një jete më të mirë.
Veçantinë veprës së Muratit ia shtojnë teknikat e ndryshme të aplikuara në të. Secila pjesë që e plotëson skulpturën, mbart në vete një pjesë të mesazhit, duke filluar nga dheu dhe gurët në tokë e deri te njeriu i mbështjellë me tel gjembor. Në skulpturën e cila e adreson një çështje jo pak të diskutuar, dheu dhe gurët, siç shpjegon vetë autori, simbolizojnë tokën e Kosovës. Shkëputja nga toka duket se po bëhet me një raketë e cila liron tym e zjarr, pjesë kjo që ndriçohet në errësirë. E teli gjembor tregon për dhembjen që mërgimi e sjell.
“Fillimisht ka qenë si ide dhe si brengë e shprehur për të rinjtë e Kosovës që po ikin nga vendi i tyre. Jo vetëm për ata, por për të gjithë të tjerët, qytetarë me profesione të ndryshme po e lënë Kosovën. Ka qenë një fillim shumë interesant se unë faktikisht e gjeta titullin ‘Mos ik’, por edhe realizimi ka qenë tejet sfidues. Për realizimin ka qenë një periudhë goxha e gjatë, në mënyrë që ta marrë formën të cilën e ka. Kaq e vrullshme në këtë mënyrë si anije kozmike”, ka thënë Murati të martën në inaugurimin e veprës.
Kurator i ekspozitës së Muratit është Zeni Ballazhi, i cili në përshkrimin e veprës ndër të tjera, ka shkruar se në këtë skulpturë është prezente në masë të madhe edhe boshllëku, si dhe kalimet e plota midis tyre, duke ruajtur në të njëjtën kohë vëllimin e madh me lëvizjet e tij të brendshme e të papritura”. E ka përshkruar veprën e Muratit të drejtpërdrejtë dhe konkrete.
“Momenti konstruktiv është një arkitekturë e realizuar në të cilën sensacioni dhe refleksioni marrin pjesë në krijimin e një ndërgjegjeje të paparë hapësinoro-kohore, jo abstrakte dhe thjesht mendore, por të drejtpërdrejtë dhe konkrete nga vetë autori”, ka thënë Ballazhi.
{gallery}
Edhe autori e përmbledh me pak fjali mënyrën e realizimit të veprës “Mos ik”.
“Është vepër multimediale, sepse ka shumë aplikime brenda vetes. Natën edhe bën dritë në pjesën e skulpturës. Ka ngjyra të cilat e simbolizojnë flakën. Për këtë arsye e quajmë vepër multimediale”, ka shpjeguar ai.
Nuk është hera e parë që një instalacion i Muratit ekspozohet në sheshin “Skënderbeu”. Pjesa ballore e skulpturës drejtohet nga ndërtesa e Qeverisë, por Murati thotë se nuk është mesazh për institucionet. Sipas tij, është një mesazh për çdonjërin qytetar të Kosovës.
“Njerëzit e dinë që çdo institucion duhet të punojë për vendin e vet sikurse çdo qytetar duhet të punojë për vendin e vet bashkë me shtetin. Kjo vepër nuk është një mesazh për qeverinë apo institucionet. Sheshin e kam përzgjedhur që ta sjellë këtë pamje për qytetarët”, ka thënë ai për lokacionin në të cilit u vendos skulptura.
Ndër të tjera, Murati njihet për veprën “Më gjeni” dedikuar të pagjeturve, ekspozuar në nëntor të vitit 2021 sikurse edhe ekspozita “Skulpturat në hapësirë” po në sheshin “Skënderbeu” në nëntorin e 2020-s. Veprat e tij janë çdoherë ne lëvizje duke shëtitur kryesisht qendrat e shteteve përreth Kosovës. Tirana e Shkupi do t’i bëjnë vend edhe veprës “Mos ik”.
“Zakonisht veprat i përcjell nëpër vendet shqipfolëse, Shqipëri, Maqedoni e edhe nëpër shtetet e tjera. Më kanë thënë që trajtoj tema aktuale, kjo është çfarë më prek për vendin tim. Dhe mendoj se secili qytetar brengoset për vendin e tij. I kemi harruar sakrificat e dhëna për këtë vend. Mendoj se duhet të kujtohen”, ka thënë ai.
Të shumta qenë edhe shkrepjet e fotografive te vepra e Eroll Muratit. Milazim Hyseni, pasi që e fotografoi atë ka thënë se kjo është një çështje e cila duhet ta brengosë secilin.
“Posa e pashë, më pëlqeu shumë dhe më impresionoi. Është simbol i ikjes, i fluturimit, i largimit nga vendi. Kjo simbolizon kohën tonë në të cilën të rinjtë ikin nga vendlindja e tyre. Mendoj se kjo duhet ta prekë secilin”, ka thënë Hyseni.
Për realizmin e kësaj ekspozite, Murati pati përkrahjen e Ministrisë së Kulturës dhe Komunës së Prishtinës.