Zgjuarsia por edhe sensualiteti bënë që Monica Vitti të lërë gjurmë në skenën ndërkombëtare në vitet ‘60, kur regjisorët vizionarë si Michelangelo Antonioni po riformonin peizazhin e kinemasë
Monica Vitti, aktorja që me sensualitetin dhe mençurinë e saj la gjurmë në kryeveprat e viteve ‘60 të mjeshtërve si Michelangelo Antonioni, përfshirë edhe shumë të debatuarën “L’Avventura”, ka vdekur të mërkurën. Ajo ishte 90-vjeçare. Kumti u dha nga regjisori Walter Veltroni, ish-kryetar i Romës dhe ish-ministër i Kulturën në Itali. Në një komunikatë për media Dario Franceschini, ministri aktual i Kulturës, ka shkruar: “Lamtumirë, mbretëresha e kinemasë italiane!”.
Aktorja Vitti ishe një yll i njohur në skenën e Italisë në vitin 1957, kur u takua me Antonionin, i cili u bë bashkudhëtari i saj për dekada, njëlloj si ajo që ishte muza dhe alter-egoja e tij.
Vitti hyri në skenën ndërkombëtare kur të gjithë sytë ishin kthyer te Evropa, kur një valë e re e filmbërësve po riformonte peizazhin e kinemasë, veçanërisht në Francë dhe në Itali.
Tiparet e saj si të një aristokrateje dhe sjellja e akullt dhanë një kundërvënie vizuale dhe stilistike ndaj aktorëve me linja trupore të bukura të asaj periudhe, mes tyre Sophia Loren dhe Anna Magnani.
Shfaqja e “L’Avventura” në vitin 1960, në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Cannes, ishte një thesar në historinë e filmit. U prit me brohoritje nga audienca që ishte mahnitur nga një film që nis si një mister në lidhje me një grua të humbur që quhet Anna e që kthehet në një lidhje seksuale gati të pandjenja në mes të të fejuarit të gruas së humbur dhe shoqes së saj më të mirë që luhet nga Vitti.
Vitti ishte në mesin e yjeve edhe me dy filma të tjerë nga Antonioni, “La Notte” (1961) dhe “L’Eclisse” (1962), që, siç ka thënë ai, si synim ishte që të formonin një trilogji me “L’Avventura”. Ata mbesin zemra e trashëgimisë së aktores.
Ajo po ashtu u shfaq në filmin e parë me ngjyrë të Antonionit, “Red Desert” (1964), që shumë kritikë e kishin përshkruar si filmi i katërt që lidhej me këtë serial.
Neorealizmi që ka dominuar kinemanë italiane që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore po zëvendësohej në fund të të ‘50-ave dhe në fillim të ‘60-ave nga një qasje e freskët. Federico Fellini u bë një figurë globale në serinë e fuqishme të filmave si “La Strada” dhe “Nights of Cabiria”.
Dalja në skenë e Vittit në “L’Avventura” erdhi në të njëjtën kohë kur Fellini zbuloi filmin më ndikues në atë kohë, “La Dolce Vita”. Të dy filmat ndajnë një pesimizëm për botën moderne, por nuk kishte se si të ishin më ndryshe.
Filmi i Fellinit përqafoi audiencën me joshjen e tij, ndërsa ai i Antonionit ishte çmendurisht i errët, jo aq shumë duke dështuar në përmbushjen e pritjeve të audiencës sesa duke i injoruar ato në mënyrë të dukshme. Një lidhje romantike lindi në mes të Vittit dhe Antonionit gjatë realizimit të filmit “L’Avventura” dhe u rrit më shumë në vitet në vazhdim.
Në një kohë, para se lidhja e tyre të bëhej e ditur, Vitti jetonte në një apartament poshtë atij të Antonionit dhe regjisori kishte instaluar një derë dhe shkallë rrethore që ata të mund ta shihnin njëri-tjetrin pa u vënë re.
Në përpjekje për ta kthyer atë në yll shoubizi me “Modesty Blaise” në vitin 1966, dështoi me gjithë kastën e fuqishme, përfshirë Terence Stamp dhe Dirk Bogarde, edhe megjithëqë në krye ishte regjisori i njohur Joseph Losey.
Pas përfundimit të lidhjes së saj me Antonionin, në vitin 1967, ajo ndaloi së bëri filma me të dhe vendosi që të riniste nga e para karrierën e saj, kaloi në komedi, në një kohë kur ajo në Itali dominohej nga aktorë burra. Audienca italiane dhe kritikët ishin të mahnitur nga aftësitë e saj në komedi dhe shumë njerëz besuan që kjo ishte ana e saj më e mirë.
Ajo vazhdoi të jetë një yll i dashur në Itali, edhe pse veç disa nga filmat e saj gjatë atyre viteve si: “Kill Me Quick, I’m Cold” dhe “The Girl With a Pistol” nuk morën famë ndërkombëtare. Përjashtim bëri “Dramma della Gelosia”, që u lansua në ShBA, në vitin 1970, si “The Pizza Triangle” dhe u bë një hit menjëherë.
Në vitin 1974 ajo punoi me një tjetër regjisor të njohur, Luis Buñuel, për projektin “The Phantom of Liberty”, që ishte edhe hiti i saj i fundit që pati sukses.
Monica Vitti u lind me emrin Maria Luisa Ceciarelli në Romë, më 3 nëntor të vitit 1931, ishte fëmija i tretë dhe vajza e vetme e çiftit Angelo dhe Adele (Vittilia) Ceciarelli. Ajo e shkurtoi emrin e mesit të së ëmës dhe e përdori si emër të vetin artistik me të cilin pushtoi botën.
Marrë nga “The New York Times”