Ashtu siç është bërë traditë tashmë, bibliotekave në qytetet e Kosovës u janë ndarë tituj të rinj të përkrahur për botim dhe të blerë nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Ceremonia e ndarjes së 210 titujve u mbajt në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës.
Jehona Shyti, drejtoreshë e Departamentit të Kulturës, ka bërë të ditur se do të shihen mundësitë për mbështetje më të madhe.
“Departamenti i Kulturës si çdo vit do të vazhdojë edhe më tutje me përkrahjen e bibliotekave komunale me tituj të rinj, duke e marrë parasysh se bibliotekat komunale në Kosovë ashtu si edhe shumica e institucioneve kulturore komunale kanë vështirësi në furnizimin e tyre, andaj ne e kemi parasysh që si institucion që e mbulon kulturën në të gjithë vendin të ofrojmë mbështetje dhe përkrahje për këto institucione komunale”, ka thënë ajo.
Drejtori i bibliotekës “Hivzi Sylejmani” në Prishtinë, Mynish Hyseni, ka thënë se çdo ndihmë është e mirëseardhur.
“Gjendja e bibliotekave të qyteteve të Kosovës është në gjendje të rëndë, prandaj ne i gëzohemi çdo dhurimi të librit”, theksoi ai.
Sugjeroi që edhe Ministria, por edhe shtëpitë botuese të konsultohen me bibliotekat komunale, që të kuptohet se çfarë kërkohet dhe lexohet.
“Kjo ka kuptim të mirë, sepse Ministria kur i financohen do ta ketë një pasqyrë se çfarë kërkohet dhe ne do të ishim më të mirë dhe më të pasur në plotësimin e kërkesave”, ka thënë ai.
Vlora Dumoshi, ministre në detyrë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ka thënë se nga përvoja e dinë se sa e vështirë është furnizimi i bibliotekave me libra.
“Ne sivjet kemi rritur edhe buxhetin dhe mbështetja ka qenë mjaft e madhe dhe kemi edhe trupën profesionale e cila e bën përzgjedhjen e titujve, por drejtori, i cili vjen me një përvojë të librit si drejtues i ‘Hivzi Sylejmanit’ si shumë vite, e kuptoj atë që e sugjeroi. Ne drejtor sivjet kemi arritur të bëjmë marrëveshje si ministre me asociacionin e komunave të Kosovës dhe ideja e këtij memorandumi është që me drejtorët e komunave të jemi sa më afër dhe kërkesat e tyre të vijnë drejtpërdrejt te Ministria”, ka thënë ajo.
Këtë vit kanë përfituar 37 komuna në vend, si dhe Bujanovci, Medvegja dhe Presheva.