Kulturë

“Mirëdita...” e Kosovës lë në Serbi thirrjen për bashkëpunim e drejtësi

Aga si fëmijë 9-vjeçar mendon se i ati i tij gjendet diku në burgjet e Serbisë pasi lufta e kishte dërguar atje. Kësisoj i kishte thënë e ëma, kur fëmija ishte interesuar për të atin. Por, çehrja e Agës (Art Lokaj) ndërron me të madhe kur fshehurazi dëgjon të ëmën, Kumrinë (Shengyl Ismaili) derisa u rrëfen gazetarëve të huaj se ajo ishte dhunuar nga forcat serbe në luftë dhe realisht nuk e di se kush nga dhunuesit është babai i fëmijës. E në këtë moment të filmit nën regji të Lendita Zeqirajt ka ndërruar edhe çehrja e të pranishmëve që po shikonin filmin në Qendrën për Dekontaminim Kulturor në mbrëmjen e së shtunës në Beograd. Rasti i dhunimit të grave shqiptare gjatë luftës së fundit në Kosovë, gjatë edicionit të shtatë të festivalit “Mirëdita, dobar dan!”, nuk është paraqitur vetëm përmes filmit që premierën botërore e kishte në korrikun e vitit të kaluar në Festivalin Ndërkombëtar të Karlovi Varit në Çeki. Fotografia e memorialit “Heroinat” që gjendet në Prishtinë, kushtuar viktimave të dhunës seksuale, është pjesë e imazheve që do të qëndrojnë të ekspozuara në kryeqytetin deri të martën e javës që vjen. Sipas organizatës “Humans Right Watch” janë 20 mijë gra të dhunuara në luftën e fundit në Kosovë. Për ato drejtësia është diçka krejt virtuale.

Politika – pengesë drejt së vërtetës për viktimat

Pikërisht për drejtësinë është folur në ngjarjen e parë të ditës së fundit të edicionit të shtatë të festivalit që organizohet nga “Integra” me seli në Prishtinë dhe “Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut” në Beograd. Në mesditë, Besart Lumi ka prezantuar raportin “Demokratizimi i Drejtësisë Tranzicionale – Drejt një Infrastrukture Diskutuese për Trajtimin e së Kaluarës në Kosovë”. Lumi i cili është bashkautor i raportit me Gëzim Visokën, ka thënë se edhe 20 vjet pas luftës, Kosova nuk ka arritur ende të hartojë një strategji kombëtare për drejtësinë tranzicionale. Sipas tij, krejt kjo është pasojë e mosvullnetit të palëve kombëtare dhe ndërkombëtare që mirëfilli të përfshihen në trashëgiminë e së kaluarës. Lumi ka thënë se studimi sugjeron se Kosovës i duhet një infrastrukturë e integruar dhe diskutuese për drejtësinë tranzicionale që të sigurojë legjitimitetin dhe efikasietin e përpjekjeve për trajtimin e të kaluarës në Kosovë. Ka propozuar një qasje me katër hapa. Gjenerimi i një mirëkuptimi kombëtar të informuar nga qytetarët mbi parimet dhe etikën e trajtimit të së kaluarës dhe të drejtësisë tranzicionale, si dhe zhvillimi i një baze të integruar të njohurive e depozitimi i strategjive, janë dy prej tyre.