Kulturë

Ministria në “vallen” e shkarkimeve lë “Shotën” pa drejtor

Në ditën kur i duhej të vazhdonte me rivlerësim të dy kandidatëve për drejtor të përgjithshëm të ansamblit kombëtar të këngëve dhe valleve “Shota”, pesëshja e Këshillit Drejtues të “Shotës” është shkarkuar me vendim të ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku. Vendimi ka bërë që të anulohet edhe procesi i zgjedhjes së drejtorit. Por, ky konkurs është anuluar pasi është zgjedhur drejtori dhe tashmë po trajtohen ankesat

Fahredin Spahija, Riza Bytyçi, Xhevdet Gashi, Visar Munishi dhe Taibe Selmani ishin duke u bërë gati për t’u takuar në mënyrë që ta çojnë përpara procesin e zgjedhjes së drejtorit të përgjithshëm të ansamblit kombëtar të këngëve dhe valleve “Shota”. Në cilësinë e anëtarëve të Këshillit Drejtues të institucionit, atyre u ishte caktuar ora 12:00 për t’u ulur dhe për ta rivlerësuar testin me shkrim të kandidatit Mehmed Xhemajli.

Por, në orën 08:51 të së hënës së kësaj jave do të pranojnë një shkresë elektronike nga Ministria e Kulturës. Bashkangjitur në këtë shkresë kishin vendimin e ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku, se i kishte shkarkuar të gjithë nga pozita që mbanin. Në po atë shkresë elektronike u është bërë e ditur se rivlerësimi i testit i paraparë për atë ditë nuk do të bëhej.

Kësisoj, vendimi i ministrit Çeku ka bërë që të anulohet edhe procesi i zgjedhjes së drejtorit. Por, ky konkurs është anuluar pasi është zgjedhur drejtori dhe tashmë po trajtoheshin ankesat. Për këtë arsye edhe ish-kryetari i Këshillit Drejtues, Fahredin Spahija, ka thënë se ministri Çeku ka ndërhyrë direkt në proces duke e pamundësuar epilogun.

Në të njëjtën ditë, të hënën është anuluar konkursi me arsyetimin se Këshilli Drejtues është jofunksional.

Historia nis më 3 qershor, kur Ministria e Kulturës hapi konkursin publik për drejtor të “Shotës”. Synohej që procesi të përfundonte në kohë dhe “Shota” të mos ngelte pa drejtor pasi Shefqet Gjocaj do ta përfundonte mandatin më 17 korrik. Qenë katër kandidatë. Por Naser Shatrolli dhe Ylber Asllanaj pas testit me shkrim nuk ishin kualifikuar për më tej.

Shefqet Gjocaj kishte kandiduar për mandat të tretë. Kurse kandidati i dytë qe Mehmed Xhemajli, i cili drejton shoqërinë kulturore e artistike “Kosova”. I pari dramaturg me përvojë tetëvjeçare në drejtim të institucionit, kurse i dyti me një master për koreografi në Shqipëri e i angazhuar në stafin akademik të një kolegji privat. Dyshja kishte hyrë në test me shkrim dhe Shefqet Gjocaj printe me 83.88 poenë, kurse Xhemajli ishte i dyti me 70.58 poenë.

Ish-përbërja e Këshilli Drejtues kishte mbajtur edhe intervistat. Bazuar në vlerësimin e testit me shkrim dhe po ashtu edhe nga pikët e fituara në intervistë, rezultati final ishte 86.85 poenë për Shefqet Gjocajn dhe 65.39 poenë për Mehmed Xhemajlin. Siç edhe ndodh rëndom, Ministria e Kulturës kishte njoftuar publikisht se kandidati i suksesshëm ishte Shefqet Gjocaj. Njoftimi qe publikuar më 5 gusht.

Por, Mehmed Xhemajli kishte vërejtur një “vjegëz” nëpërmjet së cilës mund të ankohej. Gjatë vlerësimit të testit të tij ishte ndërhyrë disa herë duke poentuar e duke fshirë shifrat për të vendosur poenë të tjerë.

Ankesa e tij ishte shqyrtuar në Ministrinë e Kulturës dhe e njëjta ishte aprovuar. Në këtë situatë të re duhej që anëtarët e Këshillit Drejtues të mblidheshin prapë në mënyrë që të bëhej rivlerësimi. Por, të premten e kaluar ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, i kishte shkarkuar ata. Kurse të hënën e kësaj jave u ishte bërë i ditur vendimi.

Sipas ish-kryetarit të Këshillit Drejtues, Fahredin Spahija, situata është e qartë.

“Me ia pamundësu Këshillit përfundimin e procesit të përzgjedhjes së drejtorit, sepse mbledhja e paralajmëruar për të hënën në orën 12.00, në praninë e dy zyrtarëve të Departamentit për burime njerëzore, ka pasë me (ri)sjellë rezultatin final të testit të kandidatit që është anku...”, ka thënë Spahija, i pyetur se përse janë shkarkuar.

Ish-anëtarët e Këshillit të cilëve u janë ndaluar mandatet në gjysmë, nuk e kanë arsyetimin formal se përse janë shkarkuar.

“S’kemi marrë ndonjë arsyetim përveç vendimit për shkarkim, i cili pastaj na e ka pamundësuar mbajtjen e mbledhjes”, ka thënë Spahija.

Sipas tij, indikativ është edhe vendimi tjetër pasues për anulimin e konkursit për drejtor të “Shotës”, ku si arsyetim përmendet mosfunksionalizimi i Këshillit Drejtues.

“Në fakt të hënën ai (ministri v.j.) e ka bërë vetë jofunksional me shkarkimin e bërë”, ka thënë Spahija.

Ish-drejtori për dy mandate, Shefqet Gjocaj, ka thënë se pas ankesës së kundërkandidatit kanë qenë duke e pritur epilogun e procesit. Ka thënë se Komisioni për Ankesa ka nxjerrë vendim që procesi duhet të vazhdojë. Bëhet fjalë për vendimin nëpërmjet të cilit kërkohej rivlerësimi i testit të Mehmed Xhemajlit.

“Atë vendim mund ta rrëzojë vetëm gjykata. Andaj unë jam në pritje që të vazhdojë procesi pavarësisht vendimit të MKRS-së për anulim të konkursit”, ka thënë Gjocaj.

Mehmed Xhemajli, i cili për të katërtën herë konkurron për këtë pozitë, ka thënë se pas testimit ka parë që është vlerësuar me pikë me të ulëta sesa kundërkandidati për përgjigje të njëjta. Ka thënë se shihet qartë që pasi i janë vlerësuar disa përgjigje, janë fshirë poenët dhe janë vendosur të tjerë. Për këtë arsye edhe është ankuar.

“Jam ankuar dhe më është aprovuar pjesërisht ankesa. Këshilli Drejtues ka bërë shkelje në vlerësim. Do të konkurroj prapë. Kam përgatitjen e duhur dhe shpresoj që Këshilli i ardhshëm të jetë më racional. Besoj që tashmë ka nisur që në Ministrinë e Kulturës të vijë në pah meritokracia”, ka thënë Xhemajli.

KOHA tash e dy ditë ka pritur Ministrinë e Kulturës. Deri të enjten vonë nuk ka marrë përgjigje.

Aktualisht pos “Shotës” pa drejtor janë edhe Galeria Kombëtare e Kosovës e Qendra Kinematografike e Kosovës. Po ashtu Teatri Kombëtar i Kosovës është pa udhëheqës artistik. Për këtë të fundit konkursi është hapur. Për dallim nga institucionet e tjera, për Qendrën Kinematografike nuk është hapur asnjëherë konkurs tash e 10 muaj.