Kulturë

Ministria mban në sirtar vlerësimet për kandidatët që synojnë udhëheqjen e Galerisë

Nëpërmjet konkursit që u mbyll në ditën e katërt të nëntorit, MKRS-ja kualifikoi pesë kandidatë që i plotësonin kriteret e caktuara me konkurs. Por tash ka hyrë në një tjetër “mjegull”. Nuk po ia del që të shpallë kandidatin e suksesshëm, të cilit do t’ia japë mandatin katër vjeçar për drejtimin e institucionit më të lartë të artit pamor në vend

Sfidën e mungesës së kandidatëve për të udhëhequr me institucionet e kulturës, Ministria e Kulturës e ka tejkaluar të paktën në rastin e Galerisë Kombëtare të Kosovës. Por tash ka hyrë në një tjetër “mjegull”. Nuk po ia del që të shpallë kandidatin e suksesshëm, të cilit do t’ia japë mandatin katërvjeçar për drejtimin e institucionit më të lartë të artit pamor në vend.

Nëpërmjet konkursit që u mbyll në ditën e katërt të nëntorit, MKRS-ja kualifikoi pesë kandidatë që i plotësonin kriteret e caktuara me konkurs. Si kandidatë të përgjegjshëm u vlerësuan Vlora Hajrullahu, Arta Agani, Arsim Shala, Naim Spahiu dhe Erëmirë Krasniqi. Fuat Islami u diskualifikua, sipas MKRS-së, në mungesë të dokumentacionit të Kosovës dhe përvojës menaxheriale. Genc Kadriut në dosje i mungonin diploma e studimeve në Londër dhe dëshmitë e përvojës së punës. Diploma e dëshmitë e përvojës së punës i mungonin edhe Lendita Zeqirajt.

Pesëshja, e përgjegjshme – sipas gjuhës administrative – e kaloi filtrin e parë e më pas u testuan me shkrim. U intervistuan nga Këshilli Drejtues i Galerisë Kombëtare të Kosovës më 25 nëntor të vitit të kaluar.

Këshilli që kryesohet nga piktorja Zake Prelvukaj, sipas burimeve të KOHËS më së shumti i vlerësoi ish-drejtoreshën Arta Agani.

Rëndom, pas vlerësimeve të Këshillit, MKRS-ja atë që vlerësohet me më së shumti pikë nëpërmjet një njoftimi e prezanton si “kandidat të suksesshëm” dhe ftohet për të lidhur kontratën për pozitën e paraparë me konkurs.

Agani nuk është prezantuar si kandidate e suksesshme. Për këtë MKRS-ja ka prezantuar dy “probleme”. I ka identifikuar krejt në fund të procesit, jo në filtrat paraprak. MKRS-ja po dyshon për konflikt interesi.

Para krejt kësaj historie, kryetarja e Këshillit Drejtues, Zake Prelvukaj, kishte konkurruar në MKRS për ta përfaqësuar Kosovën më 2022 në Bienalen Ndërkombëtarë të Artit në Venecia. Pjesë të ekipit e kishte prezantuar edhe Arta Aganin. Tash MKRS-ja është duke e trajtuar rastin për gjoja mundësi të konfliktit të interesit.

“Unë kam konkurruar për Bienale dhe Arta Agani në projekt ka qenë kuratore. Sipas Ministrisë, kjo mund të përbëjë konflikt interesi pasi unë si pjesë e Këshillit Drejtues jam nga ata që i vlerësojnë kandidatët për drejtor të Galerisë”, ka thënë Zake Prelvukaj. Ka shtuar se i vjen keq për këtë situatë, por nuk e ka ditur se mund të rezultoi kësisoj. Po ashtu ka thënë se janë në pritje të një përgjigjeje me shkrim nga ana e MKRS-së.

Çështja e konkursit për drejtor të GKK-së qe ngritur edhe në raportimin e ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku, para anëtarëve të Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport në Kuvendin e Kosovës. Deputetja Eliza Hoxha – dikur anëtare e Këshillit Drejtues të GKK-së – kishte pyetur se përse nuk po publikohej rezultati i konkursit. Në ditën e shtatë të dhjetorit ajo kishte thënë se e njeh mirë procesin e zgjedhjes së drejtorit dhe se menjëherë pas vlerësimit të anëtarëve të Këshillit Drejtues duhet të dalë emri i më të vlerësuarit për këtë pozitë. Bile, kishte bërë edhe aludime për ndërhyrje në proces. “Përse nuk po e shpallni drejtorin apo nuk po ju pëlqen emri?”, kishte pyetur ajo. Kishte insistuar goxha shumë në këtë pikë.

“Procesi për drejtor të Galerisë Kombëtare të Kosovës ka përfunduar e përse nuk e shpallni drejtorin”, kishte përsëritur ajo.

E ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, në këtë rast kishte kërkuar ndihmën e Bislim Bislimit, si zëvendësues i sekretarit të përgjithshëm të MKRS-së.

“Po vlerësohet potencialiteti i dyshimit për konflikt interesi. Vijat e raportimit nuk janë ashtu sikurse në konkurs. Këto lëshime ndodhin kudo në botë”, ka thënë Bislimi. Kishte ngulur këmbë se nëse lëshimet vërehen edhe krejt në fund të procesit, duhet ndërhyrë për t’i rregulluar ato. MKRS-ja aludon se në testin me shkrim, pyetjet sa i përket raportimit që bën drejtori i GKK-së nuk kanë qenë në vijë me konkursin. Sipas burimeve të KOHËS brenda MKRS-së konkursi do të anulohet.

Institucioni më i lartë kulturor në vend nuk ia kishte dalë që ta bënte GKK-në me drejtor as nëpërmjet konkursit të hapur në fund të vitit të kaluar.

Pozitën e drejtorit të Galerisë Kombëtare të Kosovës e synonin Arta Agani dhe piktorët Jeton Rexhepi dhe Vlora Hajrullahu.

Pas verifikimit të aplikacioneve, Divizioni i Burimeve Njerëzore në Ministrinë e Kulturës kishte ardhur në përfundim se Vlora Hajrullahu nuk i plotësonte kushtet.

Për këtë pozitë kërkohej që kandidatët të ishin profesionistë të fushës që mbulon institucioni. Duhej të kishin nga shtatë vjet përvojë pune profesionale. Për Galeri kërkohen katër vjet përvojë pune në udhëheqje. Sipas dokumentacionit, Hajrullahu nuk e kishte këtë përvojë pune në udhëheqje.

Qysh prej gushtit të vitit 2020 Galeria Kombëtare e Kosovës ka mbetur pa udhëheqës. Arta Aganit, që ishte zgjedhur në këtë pozitë në vitin 2016, i kishte përfunduar mandati. Aktualisht zëvendësues i drejtorit të GKK-së është Naim Spahiu.