Janë ndërruar tre ministra Kulture, prej se për herë të parë edhe zyrtarisht u premtua themelimi i Qendrës së Librit. Tash i është rikthyer edhe ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi, e cila e quan “nismë të re”. Zotohet se do ta themelojë në të mirë të librit dhe të veprimtarisë botuese. Por janë disa hapa që duhen ndjekur për themelimin e një institucioni të tillë, që deri tash nuk janë bërë
Ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi, e ka rikthyer idenë e themelimit të një qendre të librit. Këtë e ka bërë të enjten gjatë takimit të parë me anëtarët e Këshillit të Librit. E ka përsëritur iniciativën e bashkëpartiakut të saj e ish-ministrit të Kulturës, Kujtim Shala. Tash nënkryetar i Kuvendit të Kosovës, Shala më 2016 kishte marrë iniciativë që Qendra e Librit të themelohej nëpërmjet plotësimit e ndryshimit të Ligjit për veprimtarinë botuese dhe librin.
“Ministrja u zotua që do të rritet fondi për përkrahjen e botimeve dhe blerje të librave, si dhe u shpreh e bindur që Këshilli do të jetë aktiv në angazhimet e veta dhe do të punojë me profesionalizmin e duhur, në atë mënyrë që të bëhet seleksionimi i duhur i autorëve dhe librave që do të përkrahen nga MKRS-ja. Gjithashtu theksoi që prioritet i saj për këtë mandat është themelimi i Qendrës së Librit”, shkruhet në komunikatën pas takimit të Ministrisë së Kulturës.