Kulturë

Ministria e Kulturës i liston si punë të kryera edhe nismat pa projekte

“Raport i shkurtër i disa prej punëve kryesore për 18 muaj” titullohet dokumenti që ka shpërndarë Ministria e Kulturës, ku figurojnë shumë synime për të cilat nuk ka as projekt në letër, ndërsa puna praktike për ato nisma nuk dihet se kur do të fillojë. Kapitulli i tretë i raportit titullohet “Konkurs ndërkombëtar për dizajn të Teatrit të Operës dhe Baletit”. Por, në sqarimet që jepen poshtë tij menjëherë merret vesh se konkursi nuk ekziston ende. “Së shpejti do të hapet konkursi ndërkombëtar për hartim të projektit të Teatrit të Operës dhe Baletit”, shkruhet në sqarim

Ministria e Kulturës ka hartuar një raport, të cilin e ka shpërndarë duke renditur “punët kryesore” për 18 muaj. Janë renditur fiks 108 kapituj nëpërmjet të cilëve janë shpalosur arritjet e institucionit më të lartë kulturor në vend. Por, në atë që është titulluar “Raport i shkurtër i disa prej punëve kryesore për 18 muaj” figurojnë shumë synime për të cilat nuk ka as projekt në letër, ndërsa puna praktike për ato nisma nuk dihet se kur do të fillojë.

Kapitulli i tretë i raportit nga gjithsej 108 titullohet “Konkurs ndërkombëtar për dizajn të Teatrit të Operës dhe Baletit”. Por, në sqarimet që jepen poshtë tij menjëherë merret vesh se konkursi nuk ekziston ende. “Teatri i Operës dhe Baletit do të ndërtohet sipas të gjitha standardeve dhe kritereve ndërkombëtare. Së shpejti do të hapet konkursi ndërkombëtar për hartim të projektit të Teatrit të Operës dhe Baletit”, shkruhet në sqarim. Në fund të prillit të sivjetmë Kuvendi i Komunës së Prishtinës ka vendosur që një pjesë e hapësirës prapa Pallatit të Rinisë dhe Sporteve të ndahet për teatrin e operës dhe baletit. Kësisoj, pas më shumë se një dekade ka ndërruar hapësira për ndërtimin e këtij objekti pasi u shpenzuan mbi një milion euro për një projekt e lokacion tjetër.

“Themelimi i Operës së Kosovës” është renditur në numër dy. Nëpërmjet një vendimi në gusht të vitit të kaluar Kuvendi i Kosovës ka themeluar institucionin e Operës së Kosovës. Më pas në fund të vitit ishte organizuar një “Koncert inaugurues” për institucionin që ekzistonte veç në letër. E sivjet MKRS-ja ka punësuar disa zyrtarë administrativë për Operën. Kurse në gusht ka hapur konkurs për angazhimin e një numri artistësh që do të realizojnë vetëm operën “La Traviata” të Giuseppe Verdit. Bëhet fjalë për angazhim të përkohshëm të stafit për këtë projekt. Kurse, sipas asaj që ka shkruar MKRS-ja, Opera ka program vjetor.

“Opera e Kosovës tashmë është funksionalizuar përmes hartimit të akteve përkatëse ligjore dhe angazhimit të stafit administrativ, ndërsa po zbaton me sukses programin vjetor artistik”, shkruhet në njoftimin e MKRS-së.

Me numrin një është renditur koncept-dokumenti për kulturë. Ky koncept-dokument është miratuar në Qeveri në fund të korrikut të gushtit të këtij viti. I ka hapur rrugë hartimit të një ligji për kulturën, i cili do të zëvendësojë disa ligje nëpërmjet të cilave funksionojnë institucionet qendrore të kulturës.

“Reforma më e madhe në kulturë po realizohet pas konsultimeve e analizave nga viti i kaluar, koncept-dokumenti për art e kulturë është miratuar në Qeverinë e Kosovës, duke hapur rrugë për një kornizë të re ligjore dhe institucionale për kulturën”, shkruhet në raportin e MKRS-së.

Por, në këtë raport MKRS-ja ka renditur edhe dy arritje të tjera: Ligjin për kulturën dhe strategjinë shtetërore për kulturën. Që të dyja dalin nga koncept-dokumenti që është miratuar në Qeveri. Për strategjinë shkruhet se “do të finalizohet deri në fund të vitit dhe do të jetë udhërrëfyesi strategjik i politikave, institucioneve dhe programeve kulturore”.

“Fondi për blerjen e veprave të artit” zë vend i renditur me numër 10. Sqarohet se më shumë se një milion euro janë ndarë për blerje të veprave të artit nga artistët vendorë për pasurimin e koleksionit publik të artit dhe nxitjen e tregut të artit në Kosovë. “Përmes këtij fondi deri tani janë blerë 80 vepra arti në vlerë 300 mijë euro. Veprat nga ky fond do të ekspozohen në hapësira publike për të qenë të qasshme nga qytetarët”, shkruhet në raport. Se cilat janë ato hapësira publike nuk dihet, pasi Galeria Kombëtare e Kosovës nuk ka hapësirë e kushte për t’iu bërë vend veprave të reja.

“Renovimi i Teatrit Kombëtar të Kosovës” është paraqitur si punë më vete. Në raport shkruhet se është në proces hartimi i projektit për renovimin e ndërtesës së Teatrit Kombëtar të Kosovës me mbështetjen profesionale nga Universiteti i Prishtinës, përmes të cilit do të arrihet funksionalizimi i plotë i hapësirave të ndërtesës në shërbim të komunitetit teatror dhe qytetarëve. “Përgjatë periudhës së renovimit programi i TKK-së do të shfaqet në hapësira alternative dhe në teatro të qyteteve”, shkruhet në raportin ku bëhet e ditur se ende nuk ka as projekt për këtë nismë. Përndryshe, nëpërmjet një vendimi MKRS-ja ka bërë të ditur se në atë objekt nuk mund të funksionojnë Teatri e as Baleti Kombëtar i Kosovës qysh prej këtij sezoni që ka nisur në shtator. Largimi i trupave artistike është bërë pa iu gjetur ndonjë hapësirë ku do të luajnë. Baleti ka bërë vend tek ansambli “Shota” sa u përket ushtrimeve, kurse TKK-ja në amfiteatrin që gjendet në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve.

Marrja e hapësirave të reja për punën e Filharmonisë, Operës dhe institucioneve të tjera në Pallatin e Rinisë është paraqitur si arritje. Aty po bëhen punime rinovuese.

“Me këto ndërhyrje do të sigurojmë zyra të reja për administratën, kushte më të mira për ushtrime dhe mjedise profesionale për program publik”, shkruhet në raportin e MKRS-së.

Përfundimi i punimeve në Qendrën e Kulturës në Han të Elezit, rritja e mbështetjes për institucionet publike të kulturës, rritja e mbështetjes financiare për skenën e pavarur, mbështetja nëpërmjet fondit të mobilitetit për kulturë, kalendari kulturor për të shënuar datat e rëndësishme vendore dhe ndërkombëtare e programi “Evropa kreative” bëjnë pjesë tek arritjet. Po ashtu aty hyjnë edhe: fondi për rikuperimin e lëndimeve për performuesit në art, Marrëveshja për bashkëprodhim filmik me Francën, ajo me Izraelin e fuqizimi i shkëmbimit kulturor me Shqipërinë. Për këtë të fundit nuk janë ofruar të dhëna konkrete.

Renovimi i ndërtesës së Bibliotekës Kombëtare figuron në numër 23, përderisa sqarohet se veç është iniciuar procedura për hartim të projektit për renovim të tërësishëm të ndërtesës së Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”. Në raportin e MKRS-së zë vend dhe planifikohet një program i artit në shkolla me synim themelor të pjesëmarrjes së rregullt të nxënësve në aktivitete kulturore.

Pjesëmarrja e Kosovës në Bienalen Ndërkombëtare të Artit në Venecie e mbështetja e bienales nomade “Manifesta” hyjnë te arritjet, sipas MKRS-së. Aty renditen edhe një varg udhëzimesh administrative e rregullore.

Dorëzimi i 54 dosjeve të nominimit të monumenteve në KKTK për mbrojtje të përhershme zë vend në raport sikurse ndërhyrjet emergjente në rajonin e Mitrovicës, atë të Pejës, Prizrenit, Gjilanit e Ferizajt.

Restaurimi i ndërtesës së Emingjikut, megjithëse ende jofunksionale me ekspozitë, bashkë me procesin e restaurimit të Hamamit të Prizrenit e atij të Mitrovicës renditen në raport. Në raport po ashtu përmenden disa projekte veç e veç sa u përket rajoneve, ku po bëhen ndërhyrje emergjente nëpër monumente.