Kulturë

Ministria e Kulturës do të kërkojë dëmshpërblim për Kalanë e Novobërdës

Institucioni më i lartë kulturor në vend është duke u përgatitur për të kërkuar përgjegjësi për punimet joprofesionale për restaurimin e konservimin e Kalasë së Novobërdës e po ashtu edhe për kontrabandimin e materialit arkeologjik të këtij lokaliteti për në Serbi. Ministria e Kulturës planifikon për të ndërmarrë disa hapa në këtë drejtim, përfshirë marrjen përsipër të konservimit dhe restaurimit të strukturave të Kalasë në atë që njihet si qyteti i epërm. Ky orientim i Ministrisë së Kulturës vjen pas Raportit të Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore.

Ministria e Kulturës planifikon që të kërkojë përgjegjësi për punimet joprofesionale për restaurimin e konservimin e Kalasë së Novobërdës e po ashtu edhe për kontrabandimin e materialit arkeologjik të këtij lokaliteti për në Serbi. Institucioni më i lartë kulturor në vend është duke u përgatitur për të ndërmarrë disa hapa në këtë drejtim, përfshirë marrjen përsipër të konservimit dhe restaurimit të strukturave të Kalasë në atë që njihet si qyteti i epërm e kërkim dëmshpërblimi për punë joprofesionale. Ky orientim i Ministrisë së Kulturës vjen pas Raportit të Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore.

Pas raportimit të KOHËS në ditën e 28-të të marsit se revista “Journal of Archaeological Science” ka publikuar studimin “Mummified animal skin with tar content from the castle of the late medieval toWn of Novo Brdo (Central Balkans)” të pesë autorëve nga Serbia, ku shpërfaqeshin rezultate të artefakteve të Novobërdës, të marra gjatë viteve 2015 dhe 2016, MKRS-ja kishte kërkuar nga Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore që ta trajtojë këtë çështje. Por synimet janë që të shkohet përtej përgjegjësisë për trafikimin e artefakteve. Do të ndërmerren veprime edhe në Raport me restaurimin e konservimin.

Më 2015, kompania “KOTO”, e përzgjedhur nga UNESCO, kishte nisur punimet për restaurimin e Kalasë së Novobërdës. Projekti qe financuar me një milion euro nga BE-ja, kurse implementimi dhe mbikëqyrja janë bërë nga UNESCO. Puna ka rezultuar me shumë defekte, të cilat ende nuk janë riparuar.

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka thënë se, pas Raportit të Inspektoratit, janë ftuar të gjitha institucionet përgjegjëse të trashëgimisë kulturore. Ka thënë se përgjegjës për mbikëqyrjen e punimeve aty kanë qenë Muzeu Kombëtar i Kosovës, Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve dhe Instituti Arkeologjik i Kosovës.

“Këto institucione kanë pasur përgjegjësi direkte për t’u siguruar se punimet do të bëhen sipas legjislacionit e projektit. Kemi kërkuar komente për Raportin e Inspektoratit nga këto institucione dhe i kemi marrë. Kemi filluar me veprimet tona”, ka thënë ai.

Sipas Çekut, institucioni që ai e drejton e ka për obligim të jetë i hapur me publikun për çështjen e Novobërdës. Por në këtë rast nuk mund të bëhen të ditura të gjitha.

“Kjo çështje lidhet direkt me Serbinë dhe ne duhet të jemi të kujdesshëm për veprimet që i ndërmarrim, pasi kemi të bëjmë me një kundërshtim të shtetit tonë, i cili i shfrytëzon mundësitë për të mohuar çdo aktivitet në vendin tonë”, ka thënë ministri Çeku. Ai ka paralajmëruar disa hapa. Ka thënë se përgjegjësia tash duhet të jetë te institucionet vendore.

“Përgjegjësinë për Novobërdën duhet ta marrim ne përfundimisht, pa marrë parasysh se në këtë projekt kanë qenë të involvuar nga UNESCO e deri të Bashkimi Evropian ose kompani të ndryshme nga Kroacia e Serbia. Është momenti i fundit që institucionet tona ta marrin tërësisht përgjegjësinë”, ka thënë ai. Ka treguar se do të jenë shumë të kujdesshëm për veprimet e ardhshme, për përgjegjësinë që ka kompania, e cila dyshohet se ka bërë shkelje të rënda.

“Duhet të jemi të kujdesshëm edhe në raport me detyrimin tonë për t’i dizajnuar hapat e ardhshëm nga vlerësimi i dëmit të shkaktuar e deri te dëmshpërblimi, që duhet ta kërkojmë për dëmtimin që i është bërë lokalitetit”, ka thënë ai.

Në fund të prillit, një Raport prej 16 faqesh i Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore konstatonte se në Kalanë e Novobërdës, pos trafikimit të materialit arkeologjik, ishin bërë edhe punime joprofesionale, gjë që kanë rezultuar me shembje të fasadës së gurtë. Konstatohej se studimet e bërë nga studiuesit serbë tentonin ta paraqisnin lokalitetin veç si qytet mesjetar serb. Aty jepen edhe rekomandime se si duhet të veprojë MKRS-ja. Ndër to i rekomandohet ta iniciojë procedurën penale në organet e ndjekjes.

“Meqenëse përmbushen elementet e veprave penale, MKRS-ja duhet ta iniciojë procedurën penale në organet e ndjekjes ndaj përgjegjësve të dëmeve të shkaktuara gjatë punimeve dhe gërmimeve arkeologjike”, shkruhet në Raport. Po aty, te pjesa e rekomandimeve shkruhet se “pas evidentimit të hollësishëm të dëmeve, përfshirë edhe të gjetjeve arkeologjike të nxjerra jashtë vendit, përmes UNESCO-s të kërkohet kthimi i tyre në vendin e origjinës”.

Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore në Raport shkruan se institucionet e Serbisë, Instituti Arkeologjik i Serbisë, Muzeu Kombëtar në Beograd, Fakulteti i Teknologjisë në Beograd dhe Universiteti i Novi Sadit kanë bërë analizën e një mostre arkeologjike të periudhës së mesjetës së vonë, lëkurë e mumifikuar e kafshëve me përmbajtje katrani.

“Kjo mostër arkeologjike nga vendi i origjinës është nxjerrë dhe bartur jashtë vendit në mënyrë ilegale nga lokaliteti arkeologjik shumështresorë, pa dijeninë dhe lejen e institucioneve kompetente të Republikës së Kosovës”, shkruhet në Raport. Aty shkruhet se më pas, në dhjetor të vitit 2021, punimi është botuar në revistën prestigjioze ndërkombëtare. Në Raport konstatohet se gjatë punimeve për konservimin dhe restaurimin e Kalasë, “gërmimet arkeologjike janë ndërmarrë pa leje të institucioneve kompetente apo ndonjë ndalesë eventuale nga përgjegjësit e mbikëqyrjes së punimeve”. Po ashtu, konstatohet se gërmimet në hapësirën shumështresore arkeologjike kanë lënë mundësinë e marrjes dhe bartjes së gjetjeve arkeologjike pa autorizim nga institucionet kompetente.

MKRS-ja ende nuk ka përgjigje as për stafin e revistës që ka publikuar studimin e artefakteve të Kosovës, që është financuar nga Qeveria serbe.

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka thënë se çështje delikate aty ka qenë edhe mënyra e prezantimit, jo veç te dëmtimi.

“Në fund duhet realizimi i projektit të ri për atë lokalitet. Po flasim për shtresa arkeologjike. Rekomandimi i Inspektoratit është që të gjithë këta hapa të bëhen me ekspertizë ndërkombëtare. Një herë e përgjithmonë duhet të sigurohemi se për çfarëdo ndërhyrje që do të bëjmë aty tash e tutje, përgjegjësia e parë dhe e fundit duhet të jetë e institucioneve tona”, ka thënë Çeku.

Pos studimeve të publikuara në Serbi, shteti serb ka financuar edhe të tjera që synim e kishin audiencën më të gjerë.

Nemanja Markoviq, punonjës i Institutit Arkeologjik në Beograd, bashkë me kolegen Vesna Bikiq, punonjëse e Muzeut Kombëtar në Beograd, Zheljka Temerinski e dy ligjërueset në Universitetin e Novi Sadit, Snezhana Vuçetiq e Jonjaua Ranogajec, janë autorë të punimit që është financuar nga Ministria e Arsimit dhe ajo e Kulturës në Serbi. Revista “Journal of Archaeological Science” ka publikuar studimin “Mummified animal skin with tar content from the castle of the late medieval town of Novo Brdo (Central Balkans)”, që nxirrte në pah edhe trafikimin e artefakteve.

Pas insistimit të KOHËS, në emër të kompanisë “KOTO”, zyrtari ligjor, Darko Gligorijeviq, kishte thënë se UNESCO-ja ka qenë zbatuese e procedurës së prokurimit dhe se në përputhje me rolin e saj ka marrë të gjitha lejet e nevojshme për punime konservuese dhe restauruese. Kishte treguar se në disa raste shumë gjetje arkeologjike i janë dorëzuar Institutit Arkeologjik të Kosovës.

Sipas Gligorijeviqit, i cili Kosovës i referohet me fusnotë, në dy raste “kompania ka dorëzuar në Institutin Arkeologjik të Kosovës* disa gjetje të luajtshme të gjetura gjatë punimeve arkeologjike në projektin në fjalë”.

Por “KOTO” prapë nuk ka pasur përgjigje në pyetjet direke se me çfarë leje janë dërguar artefaktet në Beograd dhe po ashtu me çfarë leje bëhet studimi i tyre.

Zyra e BE-së kishte sqaruar se gjatë punimeve janë zbuluar mbetje të rëndësishme arkeologjike; si dy objekte banimi, një ndërtesë për komandantin e asaj hapësire, një kishë, më pas një hamam i vogël me oxhak e po ashtu edhe sistemi i ngrohjes prej hipokausti.

E Zyra rajonale e UNESCO-s në Sarajevë nuk është përgjigjur asnjëherë rreth kësaj çështjeje.