Dokumenti që është në konsultime publike në 110 faqe rrumbullakon analizën e gjendjes aktuale bashkë me propozimet se si të veprohet me të ardhmen. Propozohet shfuqizimi i gjashtë ligjeve aktuale dhe një numri të madh aktesh nënligjore. Është propozuar që vetëm me dy ligje të rregullohet fusha e artit dhe e kulturës. Sipas këtij drafti, që pritet të miratohet edhe në Qeveri, ndërhyrjet me masa të kombinuara, legjislative, të rishikimit të kornizës së politikave, si dhe të rritjes e fuqizimit të kapaciteteve administrative e profesionale është zgjidhja e duhur. Ky veprim do ta përmbyste rendin legjislativ që shteti e ka ndërtuar për dy dekada në raport me institucionet kulturore
Ministria e Kulturës synon që t’i shfuqizojë krejt ligjet aktuale që rregullojnë qasjen e shtetit në raport me artin dhe kulturën. Atë që e ka proklamuar ministri aktual i Kulturës, Hajrulla Çeku, ia ka “paketuar” një grup punues që ka hartuar koncept-dokumentin për art dhe kulturë. Dokumenti që është në konsultime publike në 110 faqe rrumbullakon analizën e gjendjes aktuale bashkë me propozimet se si të veprohet me të ardhmen. Propozohet shfuqizimi i gjashtë ligjeve aktuale dhe një numri të madh aktesh nënligjore. Është propozuar që vetëm me dy ligje të rregullohet fusha e artit dhe e kulturës.
Sipas këtij drafti, që pritet të miratohet edhe në Qeveri, ndërhyrjet me masa të kombinuara, legjislative, të rishikimit të kornizës së politikave, si dhe të rritjes e fuqizimit të kapaciteteve administrative e profesionale është zgjidhja e duhur. Ky veprim do ta përmbyste rendin legjislativ që shteti e ka ndërtuar për dy dekada në raport me institucionet kulturore.
Grupi punues që në dokument nuk figurojnë emrat, por është paraqitur si draft i “përgatitur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit”, ka bërë edhe analizë të gjendjes aktuale.
“Ndarja e buxhetit pa një proces paraprak të vlerësimit të nevojave prioritare; Centralizimi i administrimit të buxhetit të institucioneve kulturore në MKRS dhe në komuna; Mungesa e kapaciteteve administrative për të mundësuar decentralizim të menaxhimit të brendshëm të financave nëpër institucione kulturore”, janë disa prej konstatimeve të gjendjes aktuale. Shfrytëzimi joefikas i kapacitetit të institucioneve dhe hapësirave publike kulturore për të hyra vetjake dhe krijim i hapësirës për përdorim joadekuat me resurset publike të destinuara për fushën e artit dhe kulturës është një tjetër konstatim.
Është evidentuar mungesë e politikës kulturore për menaxhim efikas dhe kualitativ të institucioneve dhe programeve artistike e kulturore bazuar në politikat nxitëse dhe rritje të buxhetit në bazë të rritjes së përqindjes së të hyrave vetjake nga ana e institucioneve të kulturës, e cila ka rezultuar në menaxhmente joefikase.
“Planifikim joefektiv dhe me kohë i buxhetit te institucionet kulturore; Planifikim joefektiv dhe me kohë i kryerjes së procedurave për shfrytëzimin e buxhetit”, janë konstatimet e tjera.
Drafti i koncept-dokumentit për kulturë ofron tri opsione për veprim: Ai për asnjë ndryshim; Opsioni i përmirësimit të zbatimit të kornizës rregullatore ekzistuese dhe opsioni i ndërhyrjeve me masa të kombinuara, legjislative, të rishikimit të kornizës së politikave, si dhe të rritjes e fuqizimit të kapaciteteve administrative e profesionale. I treti edhe është rekomanduar.
Sipas draftit, në kuadër të opsionit të tretë është analizuar ndërhyrja rregullatore me masa të kombinuara. Janë propozuar masa legjislative, rishikimi i kornizës së politikave publike, hartimi i Strategjisë Kombëtare të Kulturës dhe rritja dhe fuqizimi i kapaciteteve administrative e profesionale për sektorin publik të kulturës.
Sipas propozimit, ndërhyrjet përmes masave legjislative mundësojnë reformimin e legjislacionit aktual kulturor dhe shfuqizimin e legjislacionit aktual për art dhe kulturë pasi vlerësohet se nuk mund të zbatohet në praktikë.
“Do të arrihej që të hartoheshin dispozita që aktualisht mungojnë në legjislacionin sektorial, por që janë kërkesa nga legjislacioni i përgjithshëm i administratës shtetërore; Përmes ndërhyrjeve ligjore arrihet definimi ligjor i statusit të institucionit (niveli strukturor i institucioneve publike, njësi e shërbimit publik apo institucion i shërbimit publik)”, shkruhet midis të tjerash.
Sipas këtij drafti, masat legjislative mundësojnë rishikimin e rregullimit aktual të emërimit të organeve drejtuese ku qartazi krijohet hapësirë e madhe për politizimin e institucioneve, pastaj rishikimi i raportit funksional ndërmjet ministrisë përkatëse për kulturë apo një komune me institucionin kulturor në nivel qendror apo lokal.
“Më konkretisht, masat legjislative të propozuara synojnë që të arrijnë qëllimet si në vijim: Hartimi i një ligji të ri për artin dhe kulturës në të cilin do të përfshiheshin edhe organizimi, funksionimi dhe veprimtaria e muzeve, veprimtaria botuese dhe libri, teatrot, artet pamore, veprimtaria e Filharmonisë, Operës, Baletit dhe e ansambleve, diplomacia kulturore, industria kreative...”, shkruhet në këtë dokument. Në këtë rast përfshihet edhe përcaktimi i statusit të artistit të pavarur e deri te themelimi i institucioneve lokale të kulturës dhe të artit duke përfshirë edhe muzetë i bazuar mbi kritere që kushtëzojnë rritje të përkrahjes buxhetore nga komunat gjatë hartimit të projeksioneve buxhetore.
Grupi ka propozuar që me këtë ligj të bëhej shfuqizimi i ligjeve që ndërlidhen me kulturën si Ligjin për institucionet e kulturës, Ligjin për teatrot, Ligjin për kinematografinë, Ligjin për librin dhe veprimtarinë botuese, Ligjin për ansamblin kombëtar të këngëve dhe valleve “Shota” dhe Ligjin për bibliotekat.
“Kjo bazë ligjore do të krijonte mundësinë që skenës së pavarur kulturore t’i jepet status i veçantë ligjor si fushë e interesit publik me potencial të lartë të ndikimit në avancimin e mjedisit kulturor në Republikën e Kosovës dhe përmes këtij rregullimi krijohet mundësia që disa nga rregullat konvencionale të mbështetjes financiare dhe që kanë gjeneruar probleme të identifikuara më lart të eliminoheshin...”, shkruhet në këtë draft.
Grupi ka propozuar hartimin e një ligji të veçantë që ka për qëllim rregullimin e fushës së kinematografisë në të cilin do të trajtohen zhvillimet e reja në industrinë e filmit dhe të kinematografisë, si dhe do të krijohej baza ligjore e qëndrueshme për fondin e filmit, si dhe do të trajtohej çështja e trashëgimisë kinematografike.
Në dokument janë dhënë rekomandime edhe për hapat e ardhshëm që duhet ndërmarrë Ministria e Kulturës, Rinisë dhe sportit.
“Objektivat e përcaktuara me këtë koncept-dokument kërkojnë aprovim nga Qeveria e Republikës së Kosovës për kërkesat e DK/MKRS që lidhen me rritjen dhe fuqizimin e kapaciteteve administrative e profesionale sikurse janë elaboruar e kostuar në kuadër të këtij koncept-dokumenti”, shkruhet në draft. Aty sqarohet se miratimi i këtij koncept-dokumenti nga Qeveria do të mundësonte fillimin e punës së grupeve punuese për hartimin e projektligjeve dhe zbatimin e masave tjera të rekomanduara. Aty shkruhet se pas miratimit të këtij koncept-dokumenti do të formohen grupet punuese për hartimin e projektligjeve që do të zhvillohen gjatë vitit 2022 dhe pritet të miratohet në Qeverinë e Republikës së Kosovës në fund të po të njëjtit vit.
“Më pas gjatë vitit pasues DK/MKRS si iniciues i këtyre projektligjeve do të jetë përgjegjëse për të monitoruar dhe vlerësuar implementimin e këtyre ligjeve në praktikë. Periudha vlerësuese do të fillojë në vitin 2023 dhe do të zgjasë sipas nevojës”, shkruhet në koncept-dokument.
Prej që ka marrë mandatin, ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka përmendur atë që e ka quajtur ligj unik për artin dhe kulturën. Për këto reforma ka zhvilluar diskutime publike me komunitete të ndryshme e po ashtu në qytete të ndryshme. Synimet janë që këtë vit të nisë reforma e madhe legjislative, e cila implikon edhe ligje që nuk kanë të bëjnë drejtpërdrejt me kulturën.