Kulturë

Miliarderi Pinault e bën Parisin me muze të ri, ku ekspozohen 10 mijë vepra arti

Për 20 vjet miliarderi francez François Pinault ka ëndërruar të hapë një muze në Paris për të shfaqur koleksionin e tij të njohur të artit bashkëkohor.

Plani fillestar ishte të ndërtohej një strukturë masive prej betoni dhe qelqi në një ishull të braktisur në lumin Sena, tri milje larg Kullës së Eiffelit. Kur kjo mori shumë kohë për planifikim dhe ndjekje të rrugëve ligjore dhe doli e pamundur, biznesmeni e zhvendosi koleksionin e tij në Venecia, aty ku dukej se do të mbeste.

Të shtunën Pinault do të realizojë planin e tij origjinal dhe do të hapë një muze privat në një ndërtesë të shekullit 8, në të cilën bëhej shkëmbim i drithërave, afër “Les Halles” në Parisin qendror.

Në vitin 2004, kur Pinaulti bëri të ditur planet e tij për një muze privat në Île Seguin në Paris, i projektuar nga arkitekti japonez Tadao Ando, “​​Guardian” e etiketoi atë si “Saatchi” e Senës dhe pyeti: A ka nevojë Parisi për një tjetër galeri arti bashkëkohor?

Që nga ajo kohë kryeqyteti francez ka parë shtimin e një reje spektakolare prej xhami, me nofkën "Ajsbergu" projektuar nga arkitekti amerikan Frank Gehry, në parkun Bois de Boulogne. Që nga viti 2017 ajo ndërtesë ka mirëpritur koleksionin e artit bashkëkohor të Bernard Arnault dhe fondacionit të tij “Louis Vuitton”, që është rival në biznes i Pinault.

Ambicia e Pinaultit mori më shumë kohë për t’u realizuar. Në vitin 2004, buldozerët ishin gati të pastronin uzinën e braktisur të Renaultit në ishullin që rrethohet nga lumi i Senës për të ndërtuar muzeun. Një vit më vonë ai u detyrua të braktiste projektin pas ankesave nga një shoqatë mjedisore, grindjeve mbi lejen e planifikimit dhe kërcënimeve mbi ndërmarrje ligjore. Në vend të kësaj, Pinaulti zhvendosi koleksionin e tij në “Palazzo Grassi” në Kanalin e Madh në Venecia, që u hap në vitin 2006 dhe një muze të dytë në “Punta della Dogana” në vitin 2009, të dyja të dizajnuara nga Ando.

Arkitekti japonez është gjithashtu përgjegjës për transformimin prej 160 milionë eurove të “Bourse de Commerce”, që është marrë me qira nga Bashkia e Parisit për një periudhë 50-vjeçare, që kushton 15 milionë euro, plus 60 mijë euro të tjera në vit dhe një pjesë të shitjeve të biletave.

Vizitorët do të hyjnë në një cilindër betoni të lartë nëntë metra, me diametër 33 metra të instaluar në pjesën qendrore brenda kupolës origjinale prej 35 metrash. Ajo krijon një hapësirë të madhe për shfaqje pa shkatërruar strukturën origjinale të ndërtesës së renditur në listën e trashëgimisë kulturore.

Kupola e ndërtesës, e krijuar në vitin 1838 dhe e frymëzuar nga Panteoni në Romë - në bazën e së cilës janë muralet që përfaqësojnë tregtinë franceze në të gjithë kontinentet - zëvendësoi një kupolë hekuri dhe bakri të larguar nga Victor Hugo si e ngjashme me “një kapelë të madhe të kalorësit anglez". Kjo nga ana tjetër kishte zëvendësuar një ndërtim të mëparshëm të admiruar nga ambasadori i atëhershëm amerikan në Francë, Thomas Jefferson, por që u shkatërrua nga zjarri.

Përveç shkallëve qendrore, galeritë janë të lidhura nga një shkallë me helikë të dyfishtë e ndërtuar fillimisht për të lejuar derëtarët që të bartin thasë të mëdhenj me misër lart e poshtë në depo pa u përplasur me njëri-tjetrin.

Në një turne para hapjes, Martin Béthenod, drejtori i muzeut të ri, ka thënë se “François Pinault nuk është pronari i kësaj ndërtese, ai është qiramarrësi për 50 vjet, kështu që ai iu nënshtrua rregullave shumë të rrepta nga autoritetet për ndërtesat historike pjesë të trashëgimisë. Kthyeshmëria e veprave ishte një kusht”.

Béthenod tha se deri në 90 për qind të veprave që do të shfaqen në atriumin dhe hapësirat e sipërme të ekspozitës që janë pjesë e 7 mijë metrave katrorë të hapur për publikun që nuk janë parë asnjëherë më parë.

Hapja e “Bourse de Commerce”, që është vonuar që një vit për shkak të koronavirusit, nuk është vetëm realizimi i një ambicie personale për Pinault, 84 vjeç, drejtues i “Kering” dhe “Christie’s” dhe i një pasurie me vlerë 35.3 miliardë euro. Është gjithashtu fryt i një rivaliteti të gjatë me Arnaultin, 72 vjeç, presidentin e “Louis Vuitton Mowt Hennessy” dhe personin më të pasur të Francës me pasuri në vlerë 127.2 miliardë eurosh. Rivaliteti u quajt herë pas here “beteja e miliarderëve”.

Pinault dëshiron të theksojë natyrën filantropike të projektit “Bourse de Commerce”. "Unë dua të ndaj pasionin tim për artin bashkëkohor me sa më shumë njerëz që të jetë e mundur”, ka shkruar ai. “Unë dëshiroj që muzeu të jetë një vend ku njerëzit të ndihen më mirë në dalje sesa që janë ndjerë kur kanë hyrë”.

Ai shtoi: “Për vite me radhë kam pasur dëshirë të jem në gjendje të tregoj koleksionin tim në Paris, qytetin që dua. Kjo është arsyeja pse inaugurimi i koleksionit ‘Bourse de Commerce – Pinault’ ka një rëndësi kaq të veçantë dhe simbolike për mua. Parisi nuk është vetëm qyteti i pasionit, para së gjithash, ai është shtëpia e artistëve, e gjenialitetit të tyre krijues dhe e besimeve të tyre”.

Koleksioni i Pinaultit i dedikohet ekskluzivisht artit që nga vitet ‘60 e deri më sot dhe përmban më shumë se 10 mijë vepra nga rreth 380 artistë, përfshirë Charles Ray, Damien Hirst, Jeff Koons dhe Marlene Dumas. Përbëhet nga piktura, skulptura, video, fotografi, instalacione zanore dhe performanca. “Bourse de Commerce” ka një restorant që udhëhiqet nga Michel Bras, një shefi i kuzhinës nderuar me yll Michelin dhe një hapësirë me 284 vende në bodrum.

Në hyrjen e muzeut është një skulpturë e madhe nga Martial Raysse e titulluar “La Plage’, krijuar në vitin 2012, që të drejton në qendër ku zë vend një kopje e përsosur dylli e “Abduction of Sabine Women” nga skulptori Giambologna. E statuja e lartë katër metra, një qiri gjigand, krijuar nga skulptori zviceran Urs Fischer, do të ndizet të shtunën dhe do të digjet për gjashtë muajt që nga hapja e ekspozitës.

Bethenod këmbënguli që shkatërrimi i kësaj vepre mbresëlënëse nuk është për t’u vajtuar”. “Është një monument për impermanencën dhe brishtësinë e gjërave dhe kalimin e kohës", ka thënë ai. “Pas gjashtë muajsh nuk do të mbetet asgjë nga vepra origjinale, por nuk ka asgjë melankolike ose negative në lidhje me këtë. Diçka është shkatërruar, por objekti është shndërruar në diçka tjetër”.

I pyetur së fundi pse ishte përqendruar në artin bashkëkohor, Pinault, i cili personalisht zgjodhi të gjitha veprat për hapjen, ka thënë se ishte një çështje e thjeshtë e ekonomisë. "Kur fillova të mblidhja vepra arti”, ka thënë ai, "kryeveprat nga e kaluara ishin tashmë në muze dhe nuk kisha para për t'i blerë ato".

The Guardian