Kulturë

Mehmet Çeliku – vazhduesi i denjë i traditës elbasanase

Ishte një nga gjuhëtarët që “pagëzimin e zjarrit” e mori në kërkimet dialektologjike në terren. Me emrin e Mehmet Çelikut lidhen studime të thelluara të të folmeve jugore gege në arealin e Shqipërisë së Mesme, në viset e Kërabës, Kavajës e Durrësit.

Të mërkurën, në moshën 84-vjeçare, ai është ndarë nga jeta në banesën e tij në Tiranë. Lajmi është bërë i ditur nga Departamenti i Gjuhësisë në universitetin e Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”.

“Profesori i nderuar Mehmet Çeliku nuk është më mes nesh. Por shembulli i tij, energjia e pashterur për kërkimin shkencor, përkushtimi ndaj gjuhësisë shqiptare, dashuria për shqipen, zotësia e tij si mësimdhënës prej dhjetëra vjetësh do të frymëzojnë gjithnjë të gjithë ata që e patën njohur dhe bashkëpunuar me të: studentë, mësues, gazetarë, botues, pedagogë, profesorë, dashamirës të gjuhës”, është thënë në kumtesë.

Vit tragjik edhe për shkencat albanologjike

Për kolegë nga bota akademike, miq e studentë, Çeliku ishte një nga studiuesit me kontribute të jashtëzakonshme në gjuhësinë shqiptare. Autor i mbi 200 teksteve për gjuhën shqipe, ai u shqua edhe me karrierën gjysmëshekullore në arsimin e lartë shqiptar.

Drejtori i Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë, Valter Memisha, ka vlerësuar se 2020-a ishte vit tragjik edhe për shkencat albanologjike. Sipas tij, këtë vit u ndanë nga jeta studiues e profesorë si Jorgji Gjinari, Remzi Përnaska, Giani Bellusci, Giuseppe Gradilone, Rolf Ködderitzsch dhe Ludmil Stankov.

Viti 2020 është mbyllur edhe me një tjetër lajm të trishtë për botën e albanologjisë. Gjuhëtari e profesori shumëvjeçar nga Elbasani, Mehmet Çeliku – autor i mbi dyqind teksteve për gjuhën – ka vdekur në moshën 84-vjeçare. Kolegët e tij e kanë vlerësuar si vazhdues i traditës gjuhësore elbasanase, që nisi me Anonimin e Elbasanit, vijoi me Theodhor Haxhifilipin, Konstantin Kristoforidhin dhe vazhdoi më vonë me Aleksandër Xhuvanin, Kostaq Cipon e Mahir Domin

“Por sot më duhet të ndaj me ju me dhimbje dhe një lajm tjetër tronditës e të trishtë, largohet nga jeta edhe një tjetër personalitet i shquar i gjuhësisë, i arsimit dhe kulturës sonë kombëtare, prof. dr. Mehmet Çeliku”, ka shkruar Memisha në llogarinë e tij në “Facebook” teksa ka shprehur ngushëllime për familjen e të ndjerit.

Gjuhëtari dhe pedagogu Aristotel Spiro e ka quajtur vdekjen e Çelikut si lajm shumë të hidhur në fund të këtij viti për bashkësinë gjuhësore shqiptare.

“Mendimi dhe vepra e tij do të vazhdojnë të jenë pjesë e diskursit gjuhësor albanologjik”, ka shkruar Spiro.

“Profesori i rreptë i Sintaksës”

Ngushëllimeve u është bashkuar edhe ish-deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, i cili ka thënë se profesor Çeliku nuk e ndali prodhimtarinë shkencore në asnjë moment.

“Profesori i ‘rreptë’ i Sintaksës, por i dashur me të gjithë, formësoi ndër vite me mijëra studentë dhe pedagogë, të shpërndarë kudo në Shqipëri e në trevat shqiptare, të cilët morën nga ai pasionin për punën dhe dashurinë për gjuhën shqipe”, ka shkruar Boçi. “Ikonë e ndershmërisë, e punës së palodhur, e shkencëtarit tipik, e njeriut të përkushtuar ndaj familjes, e qytetarit model, Met Çeliku, ka lënë gjurmë të pashlyera ndaj kujtdo që ka punuar me të, e ka njohur dhe e ka takuar”.

Sipas jetëshkrimit zyrtar të afishuar nga universiteti “Aleksandër Xhuvani”, Mehmet Çeliku u lind më 15 janar 1936 në Elbasan. Shkollimin fillor dhe atë të mesëm i mbaroi në qytetin e tij të lindjes, kurse më pas vijoi studimet për gjuhë dhe letërsi në Universitetin e Tiranës. Pas diplomimit, ai filloi punën si bashkëpunëtor shkencor në Institutin e Gjuhësisë dhe Letërsisë, pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, kurse më 1973 u angazhua në Universitetin e Elbasanit, në atë kohë Instituti i Lartë Pedagogjik “Aleksandër Xhuvani”.

Profili si dialektolog

Me profilin e tij akademik si dialektolog, për 15 vjet të punës në këtë institucion, ai hulumtoi mbi njëqind pika të banuara dhe studioi të folmet e gegërishtes jugore dhe ato kalimtare. Ishte një nga bashkëhartuesit e vëllimit të dytë të “Gramatikës”, botim i Akademisë, si dhe pedagog i jashtëm në Universitetin e Tiranës.

Pas emërimit si pedagog në Institutin e Lartë Pedagogjik, në Elbasan, ai mori detyrën e përgjegjësit të Katedrës së Gjuhës, Letërsisë dhe Gjuhëve të Huaja, në drejtimin e të cilit ishte për gati dy dekada, deri më 1992.

Me një angazhim 41-vjeçar brenda Universitetit, ai ligjëroi lëndë si morfologjia, sintaksa, dialektologjia, shqipja standarde, si dhe organizoi kurse speciale në fushë të gjuhësisë.

Nga viti 1992 deri më 1996, Çeliku ishte rektor i Universitetit të Elbasanit.

“Profesor M. Çeliku ka punuar me orar të tejzgjatur, ditë pune e ditë pushimi. Shefi i Sektorit të gramatikës dhe dialektologjisë, prof. M. Domi e vlerësonte punën e tij shkencore të paorarshme në zyrë, në bibliotekë e në shtëpi”, thuhet në një jetëshkrim të përgatitur nga kolegu i tij, Valter Memisha.

Mehmet Çeliku kishte luajtur rol edhe në unifikimin e gjuhës shqipe, duke dhënë kontribute me vlerë në problemet e lidhura me standardin.

I vlerësuar me tituj e mirënjohje si “Punonjës i shquar i shkencës dhe i teknikës” (1987), “Mësues i Popullit” (1993) dhe “Qytetar Nderi” i Elbasanit (2006), veprimtaria shkencore e Çelikut përmblidhet në rreth 200 zëra të botuar, si libra, monografi, përmbledhje, tekste universitare, artikuj, referate dhe kumtesa. Çeliku u varros pasditen e së mërkurës në varrezat e Sharrës në Tiranë.