Kulturë

Meddy Huduti – fotografi që momentin e shndërronte në rrëfim

Objektet e zakonshme i shndërronte në diçka përrallore – një qasje që mund të vërehet në dokumentimin e jetës së përditshme, por veçanërisht në jetën kulturore. Imazhet e tij ishin gërshetim i diskutimeve mbi kohën, vdekshmërinë dhe kujtimet. Kur shkrepte fotografi në ngjarje të ndryshme ai nuk e bënte vetëm dokumentimin e tyre. Meddy jetonte për ta kapur momentin e më të krijohej rrëfimi i tij unik

Në një botë ku të gjithë posedojnë telefona të mençur e fotoaparate, krijohet përshtypja sikur të gjithë mund të bëjnë fotografi. Kështu mendonte edhe fotografja Mary McCartney. Ajo njëlloj si shumë të tjerë e kishte kuptuar se diçka e tillë nuk qëndron. Jo të gjithë mund të kapin thellësinë e një momenti. E fotografët e zotë, të njëjtin moment do ta kapin në mënyra të ndryshme. Kur është fjala për fotografinë nuk ka një formulë të vetme, pasi që çdo element kontribuon në koherencën kaleidoskopike të imazhit.

Meddy Huduti ishte nga fotografët e Kosovës së pasluftës që arrinte të kompozonte në mënyrë të përkryer elementet brenda imazheve që kapte. Fotografi i njohur vdiq të martën vonë. Lajmin e dhanë familjarët e tij të mërkurën. Ai ishte 31 vjeç.

Kolegë e miq të shumtë të tij e kanë kujtuar si artist të fotografisë. Jo pak i kanë bërë homazhe me portretet që ua ka realizuar pikërisht Meddy. Kur shkrepte fotografi në ngjarje të ndryshme, veçmas kulturore, ai nuk bënte vetëm dokumentimin e tyre. Meddy rrëfente.

“Unë jetoj për me e kap momentin”

Disa re poshtë, e në njërën prej tyre duke qëndruar vetë Huduti me një fotoaparat, është vizatimi që ka realizuar “2cm Humans” në kujtim të tij. Të njëjtën e kanë lënë pranë qirinjve e luleve të bardha që u vendosën në hyrje të kompanisë së dizajnit “Zyre Global”, në rrugën “Garibaldi”, mbrëmjen e së mërkurës, në organizimin e homazheve në nderim të tij. Është kompania ku Ahmed Huduti, i lindur më 28 nëntor të vitit 1989 në Hendon të Anglisë, e të cilin miqtë e thërrisnin edhe “Meddy syreti”, ka punuar për disa vjet bashkë me mikun e tij Berin Hasi.

“Unë jetoj për me e kap momentin. Jo me e kriju momentin, por me e kap momentin që veç po ndodh”, kishte thënë ai në një intervistë për emisionin “Sot” të KTV-së më 28 nëntor të vitit 2015, kur shënonte ditëlindjen e tij të 26-të.

Me rastin e vdekjes së tij ngushëllime ka shprehur edhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, i cili e ka cilësuar si një artist të talentuar dhe jo vetëm.

“Meddy na la në moshë shumë të re, në kulmin e energjisë krijuese. Fotograf që ka dokumentuar pareshtur jetën kulturore në Kosovë. Artist i talentuar dhe ikonë e gjeneratës së re, por edhe personalitet modest, njeri shpirtbardhë”, ka shkruar ai në rrjetet sociale, duke shtuar se ai do të rrojë përherë në fotografitë që ua bëri njerëzve.

Huduti u bë i njohur veçanërisht si fotograf në ngjarje kulturore, si në festivalin ndërkombëtar të filmit të animuar “Anibar”, festivalin ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest” a në festivalin ndërkombëtar për artiste dhe aktiviste “FemArt”, e shumë të tjera. Kishte realizuar në mënyrë unike fotografi që kapnin eksperiencën njerëzore, përjetimet e veçanta që ndodhin në këto festivale. Imazhet e tij kalojnë kufijtë e dokumentimit të ngjarjeve dhe tregonin rrëfime njerëzore nga një perspektivë e veçantë.

Vullnet Sanaja, drejtor i “Anibarit”, ka thënë se ai ishte pjesë e familjes së “Anibarit”, ku ka kapur për shumë vjet në një mënyrë shumë të veçantë shpirtin e festivalit përmes vizionit të tij unik.

“Jemi të pikëlluar për humbjen e papritur të një prej fotografëve më të talentuar e më zemërmirë që Kosova kishte. Një vizionar i vërtetë të cilin do ta kujtojmë gjithmonë”, ka thënë ai.

Artisti i trazuar që luante me kohën

Të mërkurën mbrëma Huduti do të duhej të fotografonte natën përmbyllëse të edicionit të sivjetmë të “FemArtit”. Por, në vend të një mbrëmjeje të hareshme kabareje, u përmbyll me dedikim që Festivali i vetëm feminist në rajon ia bëri pikërisht fotografit të tyre besnik tash e dy vjet.

Vetë drejtoresha e këtij festivali, Zana Hoxha, ka thënë se çdo shkrepje e fotografisë se tij ishte një histori e artit të pasluftës në Kosovë.

“E ka krijuar një identitet të fotografisë e cila shpreh punën tonë në mënyrën më të mirë të mundshme, por mbi të gjitha ne në ‘Artpolis’ e trajtojmë njëri-tjetrin si familje, prandaj sot e kam humbur një shok të shpirtit. Meddy ka qenë një shpirt shumë i trazuar, i cili e ka dashur fotografinë si një medium që ia ka mundësuar atij me e shpreh gjithë atë që e kishte brenda e mënyrën sesi e shihte botën”, ka thënë ajo.

Sipas saj, ky është edhe misioni i artistëve të tregojnë sesi e shohin botën dhe cili është mesazhi që ata kanë ndaj saj.

“Ka lënë gjurmë të pashlyeshme në artin kosovar dhe me fotografinë e tij, pasi që nuk ka asnjë artist tjetër që më mirë e ka kapur shpirtin e artistëve të pasluftës në Kosovë. ‘Meddy syreti’ ka ditur ta shndërrojë kohën reale në disa momente të cilat i ka kapur përmes fotografisë, pra sikur ka dashur me e tjerrë, me e zgjat kohë”, ka thënë ajo. Ka shtuar se nëse për një sekondë për njerëzit normalë zgjatë një sekondë, ai për të njëjtën kohë ka nxjerrë dhjetëra fotografi të cilat kanë dhënë këtë ndjesinë e të kapurit atë të qindtën e sekondës.

Ka treguar se ai ka qenë një person në gjendje të ndiejë energjinë përreth dhe të komunikojë e të përçojë energjinë e tij tek të tjerët, si dhe ka shtuar se shpreson që me të të takohen në një dimension më të mirë e më paqësor.

Fotografi e regjisori Samir Karahoda ka thënë se gjithmonë ka pasur respekt për punën dhe karakterin e fotografit, me të cilin e bashkon jo vetëm vendlindja, Prizreni, por edhe “DokuFesti”.

“Njihej si një person tepër aktiv, energjik, i shoqërueshëm, punëtor dhe njëkohësisht modest. Është një humbje e madhe për të gjithë pasi që Meddy ka dokumentuar ngjarje të panumërta në vend me një formë mjaft kreative e stil unik”, ka thënë Karahoda.

Dokumentuesi i shpirtit të kryeqytetit

Meddy ishte i njohur veçanërisht në kryeqytet, aty ku kalonte kohën me të madhe të tij duke shkrepur fotografi. U bë dëshmitar i sukseseve të artistëve të ndryshëm, i njerëzve që nisën nga asgjë për të krijuar diçka unike në kryeqytet, por edhe i atyre që mundoheshin të mbijetonin në këtë qytet. Autobusët e verdhë të kryeqytetit shpeshherë u bënë “set-up” për të.

Adrian Berisha, drejtor i Drejtorisë së Kulturës në Komunën e Prishtinës, ka thënë se jeta socio-kulturore në Prishtinë është dokumentuar në mënyrë fantastike prej tij.

“Ai mbas vetes ka lënë vepra, të cilat nuk do të shuhen asnjëherë”, ka thënë Berisha, i cili ishte në mesin e dhjetëra njerëzve të tjerë që u mblodhën në rrugën “Garibaldi” ku pranë logos së zyrës u shkrua me të bardha: “Meddy was here (Meddy ishte këtu).

Fotografi Jetmir Idrizi është një nga ata që për shumë vjet mbajtën në profil të rrjeteve sociale portretin që ua ka realizuar Meddy.

“Gjithkush që e ka njohur e ka një nga fotot më të mira në jetë prej Meddyt. Rinia e Prishtinës kurrë nuk është dokumentuar më shumë e më mirë se prej tij”, ka shkruar ai në profilin e tij në “Facebook”.

Ishte në mesin e fotografëve që jo vetëm kapte shpirtin e kryeqytetit e njerëzve që jetonin në të, por edhe i ndihmonte ata. Veçanërisht komunitetin e lojtarëve të videolojërave, pjesë e të cilit ishte edhe vetë.

Ishte ndër të parët që besoi në “XPortalEsports”, që kur nisën punën në vitin 2016, duke ndihmuar këtë komunitet e duke i shtyrë përpara.

“Punën e tij edhe inspirimin që e kemi marrë nga Meddy kurrë s’mundemi me ia shpagu e as me ia tregu mirësinë. Meddy u kanë edhe gamer vetë. Ka pasë qejf shumë me lujt ‘League of Legends’ e heroin e preferuar e ka pasur Sona, ‘lich bane Sona’”, kanë shkruar “XPortalEsports” në ueb-faqen e tyre duke shfaqur kështu një anë tjetër të fotografit.