Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Më shumë se një mijë persona dalin pozitivë me koronavirus pas pjesëmarrjes në festivalin anglez

Më shumë se një mijë veta që morën pjesë në një pilot-program të qeverisë në lidhje me sigurinë gjatë zhvillimit të ngjarjeve të mëdha kanë rezultuar pozitivë me koronavirus. Rreth 40 mijë njerëz u mblodhën në festivalin “Latitude”, i cili u mbajt në parkun “Henham”, pranë qytetit Southwold, në Suffolk, prej 22 deri më 25 korrik, dhe ishte pjesë e Programit për Hulumtime të Ngjarjeve Kulturore.

Ngjarje të tjera testuese përfshinin gjysmëfinalet dhe finalet e “Euro 2020” në Wembley dhe festivalin muzikor “Tramlines” në Sheffield.

Ata që morën pjesë duhej të tregonin prova të një testi negativ COVID-19 ose të merrnin dy doza të vaksinave për të marrë pjesë, por të dhënat e publikuara nga Këshilli i Qarkut Suffolk tregojnë se një mijë e 51 persona rezultuan pozitivë për COVID-19 në ditët pas ngjarjes.

Prej tyre 619 persona u infektuan në festival, ndërsa 432 ishin infektues në kohën e ngjarjes.

Sipas të dhënave, 175 nga të infektuarit ishin njerëz që jetonin në Suffolk. Shifrat për shtatë ditët deri në 20 gusht tregojnë se Suffolk kishte një normë prej 241 rastesh të koronavirusit për 100 mijë njerëz.

Edhe Më shumë se 1000 persona rezultojnë pozitivë për COVID-19 në një festival në SHBA Botë Më shumë se 1000 persona rezultojnë pozitivë për COVID-19 në një festival në SHBA

Lajmi ka nxitur thirrje të reja për njerëzit që të vazhdojnë të ndjekin masat e mëparshme të sigurisë, të tilla si mbajtja e maskës dhe distancimi shoqëror, të cilat u hoqën nga qeveria pas fazës përfundimtare të lehtësimit të kufizimeve në vend.

Stuart Keeble, drejtor i Shëndetit Publik në Suffolk, ka thënë se festivali “Latitude” ishte pjesë e një pilot-programi kërkimor nga qeveria qendrore, i cili përcaktoi parametrat dhe udhëzimet kundër COVID.

“Ne ishim një nga shumë partnerë që ndihmuam në zbatimin e sigurisë COVID në përputhje me këshillat e Qeverisë”, ka thënë Keeble.

Ka shtuar se gjersa Suffolk rihapet dhe njerëzit nisin të marrin pjesë në ngjarje ose atraksione, është e rëndësishme që njerëzit të vazhdojnë të jenë të vëmendshëm ndaj të tjerëve dhe të mbajnë një maskë ose të mbajnë distancën e tyre aty ku është e përshtatshme.

“COVID është ende duke qarkulluar dhe ndërsa shumica prej nesh janë të goditur dy herë, nuk mund të jemi të sigurt se ata njerëz përreth nesh nuk do të bëhen më keq nëse infektohen”.

Sekretari i Kulturës, Oliver Dowden, u ka bërë thirrje njerëzve që të vaksinohen në mënyrë që të mbajnë ngjarje të mëdha të sigurta.

Edhe 1 në 50 britanikë u infektuan me COVID-19 javën e kaluar Botë 1 në 50 britanikë u infektuan me COVID-19 javën e kaluar

Ai ka thënë se është dëshmuar se mund të mbahen ngjarje sportive dhe kulturore të mëdha dhe në mënyrë të sigurt, por është e rëndësishme që njerëzit të jenë të kujdesshëm kur përzihen në mjedise të mbingarkuara me njerëz.

“Në mënyrë që të mbajmë sezonin e futbollit, teatrot dhe koncertet të sigurta me audiencë të plotë këtë dimër, unë u bëj thirrje adhuruesve të sportit, të muzikës dhe të kulturës që të marrin vaksinën, pasi kjo është mënyra më e sigurt që ne mund t’i mbajmë ngjarjet e mëdha”, ka thënë ai. \ The Independent