Prishtinë, 2 nëntor – “Me dashuri nga Austria” është titulluar koncerti i 11-të me radhë i festivalit ndërkombëtar të muzikës kamertale, “KamerFest”. Austriaku Erich Oskar Huetter në violonçel dhe pianisti shqiptar Klevis Gjergji në piano kanë luajtur “menynë” muzikore të së mërkurës mbrëma.
Dyshja e njohur, për publikun vendas në amfiteatrin e Bibliotekës Universitare në Prishtinë kanë zgjedhur që koncertin ta nisë me “Shtatë variacione në Es-dur për violonçel dhe piano”, të aries së Ludwig van Bethoveenit, “Bei Männern, welche Liebe fühlen” për të cilën ishte frymëzuar nga opera “Flauti magjik” e kompozitorit austriak Wolfgang Amadeus Mozart. Pa asnjë minutë pauzë, violençelisti ka përvjelë mëngët për të vazhduar interpretimin e “Suitës në G-dur për violonçel” të kompozitorit Johann Sebastian Bach.
Në edicionin e vet të 19-të, Festivali është duke shkuar drejt përfundimit për këtë vit. Me gjithsej 13 koncerte, “KamerFesti” si njëri prej festivale më me traditë i themeluar pasluftës në Kosovë ka vazhduar të sjellë muzikantë nga e mbarë bota.
Themeluesja e drejtoresha e Festivalit, Sihana Badivuku, ka thënë se si organizatorë janë të kënaqur me koncertet (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).