Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Mbi prestigjin e disa gjuhëve

Federico II studionte në frëngjisht metafizikën e Christian Wolff-it, sikur ata fermerët amerikanë që nuk hanë spinaqin e vet derisa të kthehet i paketuar nga Çikagoja. Jo pse ishte më mirë ta studioje Wolff-in në frëngjisht – në fundit të fundit ky zotëri kishte menduar dhe shkruar në gjermanisht. Çështja është se Franca qe vendi më i fuqishëm dhe të gjithë e admironin, duke filluar nga vetë francezët, që në këtë admirim gjithmonë kanë paraprirë të tjerët. Franca kishte kështjellat më të mira, gratë më të mira, verërat më ekskluzive, gjuhën më të qartë. Voltaire definonte gjenialitetin e gjuhës nacionale si “aftësi për të thënë në mënyrë më të shkurtër dhe harmonike atë që gjuhët e tjera s’e shprehin si duhet”.

Se ky opinion kishte një vlerë shumë relative, e fakton pohimi i Shum-it, ish-ambasadori sakson në Berlin. I detyruar ndoshta nga kortezia për të interpretuar përkthimin absurd të Wolff-it, komentonte pastaj, me mëri: “Gjermanishtja është shumë më e përshtatshme për argumentet metafizike sesa frëngjishtja; është më e pasur në fjalë, më pak e ekspozuar ndaj ambiguitetit dhe, kësisoj, e aftë të shprehë të gjitha mendimet me precizitet, pastërti dhe vrull më të madh.”

E kotë të shtojmë që opinioni i Shum-it është aq provincial sa i Voltaire-it, nëse anashkalojmë faktin që provincializmi i Voltaire-it në atë kohë përfshinte tërë planetin. Nëse një filozof procedon barbarisht dhe sajon fjalë që gjuha e vet nuk i ka, çdo herë që ia kërkon thurja e mendimit – gjithmonë filozofët kanë bërë këso lloj vandalizmash – nuk ka asnjë vështirësi për të shprehur edhe finesat më të holla. Kjo nuk është hipotezë, por konstatim fiks i një fenomeni historik: kurrë nuk është parë ndonjë rast kur një filozof ka qenë i paaftë të shprehë idetë e tij në gjuhën amtare. As Kanti s’pati pengesa për të vënë në gjermanisht sistemin e tij të thellë, as Aristoteli në greqisht, as Shën Toma në latinisht, as Berkeley në anglisht, as Maimondiesi në arabisht, as Vico në italisht.

Ajo që ndodh është që në këto probleme linguistike përzihen paragjykime origjinash të tjera. Nacionalizmit frëng nisi t’i kundërvihej nacionalizmi gjerman dhe mendimet e Shum-it – edhe pse për atë kohë nuk kishte gjasa të gjeneralizoheshin – vunë themelet e paragjykimeve që një ditë do ta dominonin botën, mbi superioritetin e gjermanishtes filozofike. Mungonin ende traktatet e gjera të metafizikës dhe, mbi të gjitha, ushtria e fuqishme, industritë e mëdha dhe urtësitë madhështore. Kur kjo epokë shkëlqimi arriti, të gjithë nisëm të studionim në gjermanisht dhe të gjithë ishim të bindur – me përjashtim të, ndoshta, francezëve – për saktësinë shembullore, forcën sintaksore dhe pasurinë e saj; duke harruar që pak vjet para Kantit, konsiderohej gjuhë barbarësh. Sikur në makthe, përpjekje të llahtarshme mezi na lejojnë të ngremë këmbën dhe të bëjmë një hap të parëndësishëm para, të thërrmuar nga paradigmat dhe sintaksa e saj. Por, më saktë, përjetuam një lloj kënaqësie dinake, në mes të frikës, sepse po ajo vështirësi dukej se garantonte kompleksitetin e admirueshëm të gjuhës, i përshtatshëm për t’i ndjekur kompleksitetet më të brishta të mendimit. Dhe ç’satisfaksion ndiejmë kur përfundojmë shpikjen e mundimshme të një fraze! Tërhiqemi pak për të observuar këtë lloj ure të çeliktë që kemi arritur ta ngremë në këmbë, me një arkitekturë të pathyeshme të trarëve të tendosura, bulonave dhe gozhdëve. Zakonisht ishte një frazë që në spanjisht modestisht nënkuptonte: “S’e kam ngrënë karamelen që ishte mbi tavolinë.” Por, çfarë madhështie të admirueshme filozofike fitoi në gjuhën tjetër! Derisa ajo nicht që dukej e mbyllur me çelës, për gjithë përjetësinë, pa shpresë për shpëtim, problemi i karameles, sa strikt ishte në gjermanisht, sa preciz, sa i hekurt! Çeliku dhe filozofia. Për një shoqërim misterioz impresionesh, gjuha gjermane përkrahej nga një industri e rëndë dhe një metafizikë gjigante.

Në këtë mënyrë, arsyet që citohen për të provuar superioritetin e një gjuhe janë paragjykimet, dëshirat dhe kërkesat për parime. Dhe, në fund fare, janë në mënyrë emocionale të determinuara nga krenaria nacionale apo nga admirimi i ndrojtur që popujt e vegjël ndiejnë për të mëdhenjtë. Kështu, kompleksiteti i një sintakse është alternativisht lartësuar apo poshtëruar, sipas pozicionit që vendi zë në atë moment historie universale. Kur turmat gjunjëzoheshin përpara paradigmave të gjermanishtes, harronin që anglezët, me një gramatikë infantile, krijuan një letërsi dhe filozofi po aq të rëndësishme sa gjermanët. Zakonisht krenohemi me dallimin e brishtë mes ser dhe estar, pa vënë re se shkrimtarëve më të komplikuar anglezë dhe francezë, nuk u shkon aq keq pa atë burim të çmuar.

Por, ashtu si shumica e njerëzve që vetëm kënaqen para një fotografie pasi t’ia kenë parë firmën, pjesa më e madhe admiron veçantitë linguistike të vendeve të mëdha, derisa i përçmon po qe se u takojnë senegalezëve. Ç’do të mund të thuhej, për shembull, për një gjuhë në të cilën të katër këmbët e kafshës do të kishin emra të ndryshëm? Shumë do të hezitonin, por posa ta kuptonin që është ‘gjë gjermanike’, do të thoshin që është një dëshmi e pasurisë ekspresive. Pasi të jetë shpërndarë një herë e mirë, duhet shtuar që një komb tjetër e përdor këtë ujdi: atje në Afrikën Qendrore.

Edhe “Fjalafest” dhe letërsia shqipe në Milano Shtojca për Kulturë 9 muaj më parë “Fjalafest” dhe letërsia shqipe në Milano

Fenomene si ky do të duhej të na bënin të matur sa i përket çështjes së gjuhës, por çdo moment do të përsërisim të zakonshmet për saktësinë sintaksore, qartësinë, precizitetin dhe mijëra marrëzira që përbëjnë një diskurs akademik që i thur elozhe gjuhës. Kafrët përdorin një gjuhë kur gjenden mes burrash dhe një tjetër kur biseda realizohet mes përfaqësuesve të të dy gjinive. Ky kompleksitet barbar do të na dukej çudia më gjeniale po qe se do të ishte atribut i frëngjishtes.

Shkëputur nga “Heterodoksia”, 1953, botuar në shqip nga “Pema”, 2019.

Përktheu: Fatbardha Statovci