Deri në 16 mijë euro është shuma maksimale për një projekt individual të përkrahur nga Ministria e Kulturës, përderisa janë trefish më shumë projekte që janë refuzuar. “Mungesë dokumentacioni” prin si arsyetim, por aty ka edhe “deklarata jovalide”, “konflikt interesi”, sikurse edhe “avancet e pambyllura nga vitet paraprake”. Sapo janë publikuar listat, kanë nisur paralajmërimet për ankesa
Janë 113 projekte individuale në kulturë e trashëgimi kulturore të cilat Ministria e Kulturës ka vendosur t’i mbështesë me një milion e 20 mijë e 468 euro. Por sipas rezultateve të publikuara të mërkurën dhe të enjten, janë 364 projekte të tjera që janë refuzuar nga thirrja që ishte hapur në shkurt të këtij viti. Përderisa ankesat janë paralajmëruar menjëherë pas publikimit të listave, në publikimet e Ministrisë së Kulturës nuk figurojnë emrat e komisioneve vlerësuese.
Sipas listës së përfituesve, shuma maksimale e përkrahjes për projekte individuale ka shkuar deri në 16 mijë euro. Me këtë shumë është përkrahur projekti i Doruntina Ukimerit, “Muzeu i kukullave”. Pasohet me mbështetjen me 15 mijë euro të projektit të Rona Nishliut për “Ditët e Jazzit” në Mitrovicë. Me po kaq mjete është përkrahur edhe projekti i Fiona Sopit, “Gala shqip”, ai i Arbnora Kolgjeraj-Rexhaj, “Veshjet popullore të Kosovës”.
Në listë zënë vend projekte prej më të ndryshmeve.
Për dallim prej vitit të kaluar, sivjet janë përkrahur më shumë projekte individuale.
Në dy thirrje vjet ishin përkrahur 28 projekte. Ato të shtatorit me 147 mijë euro, kurse për ato të qershorit nuk ishin publikuar shifrat e mbështetjes por vetëm pikët me të cilat ishin vlerësuar.
Sivjet lista e projekteve të refuzuara është sa trefishi i atyre të mbështetura. Menjëherë janë paralajmëruar ankesat për të cilat ka afat prej 15 ditësh. Arsyet e refuzimeve janë prej më të ndryshmeve. Prin mungesa e ngarkimit të dokumenteve. E më pas hyjnë edhe arsye si konflikti i interesit e deri te mosmbyllja e avancave nga vitet paraprake.
Për shembull, te artisti e kuratori Zeni Ballazhi si arsye për refuzim është dhënë se “nuk ka asnjë dokumentacion të bashkangjitur”.
Ai ka paralajmëruar ankesë. Sipas tij, komisioni nuk vlerëson projektet por vlerëson teknologjinë aplikuese. Ka treguar se ka aplikuar me një projekt që ka të bëjë me dokumentimin e trashëgimisë së arteve pamore në Kosovë.
“Që është një hulumtim dhe përmbledhje disavjeçare rreth trashëgimisë se arteve pamore…”, ka thënë ai. Sipas Ballazhit, qëllimi është që të bëhet zhvillimi i hulumtimeve, kërkimeve dhe prezantimeve në mediume të ndryshme të artit dhe të trashëgimisë së artit pamor në Kosovë duke u nisur nga gjenerata e parë e artit pamor të Kosovës me veprat më reprezentative të tyre ndër vite.
“Projekti në fjalë do të lehtësojë edhe më shumë njohjen e këtyre artistëve edhe nga gjeneratat e reja. Duke u nisur edhe nga përvoja profesionale dhe e dëshmuar tanimë qe 20 vjet në institucionin më të lartë të kulturës, Galerinë Kombëtare të Kosovës, pikërisht në këtë fushë të teknologjisë është e pamundur të ketë një lëshim të paktën nga ana ime profesionale, mungesë dokumentacioni. Arsyetim nënçmues dhe joprofesional për të dëshmuar mungesën e dokumentacionit….”, ka thënë Ballazhi. Sipas tij, në këtë rast humb vetëm Ministria e Kulturës pasi dokumentimi i trashëgimisë së arteve pamore do t’u hynte në punë gjeneratave të reja. Ka thënë se me siguri që MKRS-ja bën prova me artistë derisa ta gjejë më të mirën e mundshme sa i përket aplikimit.
“Kemi kohë për eksperimente, sepse jemi shtet i ri”, ka thënë ai.
Regjisori Besim Ugzmajli kishte aplikuar me projektin “Pesë stinët e fëmijërisë sime”. Edhe ai ka paralajmëruar ankesë.
“Refuzimi i projektit tim në raport me kapacitetet e projektit është jashtëzakonisht befasues për mua. Projekti ka potencial real dhe ka marrëveshje paraprake për distribuim ndërkombëtar”, ka thënë Ugzmajli. Sipas tij, gjithashtu tema dhe investimi kohor në këtë projekt janë të mëdha dhe shumë të vlefshëm. “Arsyetimi i refuzimit është së paku qesharak por jam optimist se në ankese do të përmirësohet ky lëshim i jashtëzakonshëm i komisionit apo vlerësuesve të projekteve”, ka thënë ai. Projekti i Ugzmajlit është refuzuar me arsyetimin se “deklaratat nuk janë valide”.
Në anën tjetër megjithëse thirrjet ishin hapur me 22 shkurt, MKRS-ja ende nuk ka dalë me rezultate sa u përket projekteve të organizatave joqeveritare. Disa prej ngjarjeve tradicionale janë mbajtur e të tjerat janë në përfundim e sipër. Por ende nuk e dinë sa do të jetë mbështetja nga MKRS-ja.
Nëpërmjet katër kategorive, Ministria e Kulturës synon që të mbështesë skenën e pavarur kulturore dhe atë të trashëgimisë kulturore. Institucioni më i lartë kulturor në vend synon që me deri 100 mijë euro të përkrahë programet e organizatave joqeveritare që zhvillojnë aktivitet vjetor në art e kulturë e në trashëgimi kulturore.
“Mbështetja për zhvillimin organizativ dhe programor për OJQ të artit dhe trashëgimisë kulturore; Ngjarjet tradicionale të artit dhe trashëgimisë kulturore; Projektet dhe ngjarjet në fushën e artit dhe trashëgimisë kulturore; Projektet e krijuesve (artistëve) të rinj”, janë katër kategoritë e targetuara nga MKRS-ja.
Sipas thirrjes që ka qëndruar e hapur deri me 22 mars, në funksion të prioritetit programor, thirrja për projekt-propozimet kulturore synon mbështetjen e projekt-propozimeve të OJQ-ve dhe individëve që zhvillohen në Republikën e Kosovës apo në shtetet ku është e koncentruar diaspora, të cilët përmbushin objektivat e përgjithshme. Aty specifikohet se objektivat janë: Promovimi i artit dhe trashëgimisë kulturore përmes pasurimit, diversifikimit dhe rritjes së cilësisë së jetës kulturore; Nxitja e vullnetarizmit dhe pjesëmarrjes aktive të të rinjve në jetën kulturore brenda dhe jashtë Republikës së Kosovës, me theks te fëmijët dhe personat me aftësi të kufizuara. Te objektivat renditen edhe fuqizimi i koordinimit dhe partneritetit ndërmjet institucioneve të kulturës dhe trashëgimisë kulturore dhe shoqërisë civile përmes fuqizimit të skenës së pavarur kulturore dhe nxitjes së aktorëve të rinj që veprojnë në fushën e kulturës.