Kulturë

“Mbi lum’” me art “rikthen” rrjedhën e Vellushës

Është një kontrapunkt ajo që dyshja Abi Shehu e Sara Rodiqi bëjnë me instalacionin “Mbi lum’”. Ndjekin rrjedhën e lumenjve të Prishtinës, gjejnë shtratin e Vellushës së dikurshme dhe mbi të ndërtojnë narracionin për lumenjtë e humbur tek lansojnë thirrjen për vetëdijesim. Pesë skulptura prej metali të cilat projektojnë dhe gurgullimën janë vetëm shenjat në itinerarin ku lidhen e kaluara dhe e tashmja e Prishtinës pa lumë

Qyteti i vjetër i Prishtinës dikur shtrihej midis dy lumenjve: Vellushës dhe Prishtinës a Prishtevkës. Në vitet ‘50 lumi Vellusha, i cili rridhte nga kodrat e Gërmisë, u mbulua. Në fund të viteve ‘70, po këtë fat pati edhe lumi Prishtina, që rridhte nga perëndimi i qendrës së vjetër të qytetit. Të dhëna si këto janë edhe intro e konceptit kuratorial të dy artisteve. Faktet e dëshmojnë se duke përdorur intervenime arbitrare inxhinierike qyteti u privua nga lumenjtë e tij, duke i shndërruar ata në sisteme të ujërave të zeza. Kështu, si rezultat i këtyre veprimeve, gjeografia natyrore e qytetit të vjetër mbeti e fshehur nën të, duke marrë me vete dhe kujtesën e tyre. Qenë vitet ’80 kur Prishtina u bë qytet ma lumë. Pjesa tjetër është histori.

Por një instalacion unik dhe frymëzues, i titulluar “Mbi lum’” ia kthen rrjedhën Vellushës. Ka tërhequr vëmendjen jo vetëm të artdashësve, por edhe të qytetarëve të rëndomtë, të shtunën pasdite, kur prezantimi i veprave ka nisur jo me ndonjë vernisazh, por me shëtitje. Kjo ndërhyrje e fuqishme, realizuar nga artistja Abi Shehu dhe arkitektja Sara Rodiqi, depërton thellë në rrënjët e harruara të lumenjve dhe kujtimeve të banorëve të kryeqytetit të lumit.

Projekti, i cili synon të lidhë përsëri banorët e qytetit me ujërat e fshehura që dikur e karakterizonin atë, u hap si pikëtakim për pjesëmarrësit, te shkallët poshtë rrethit të “Arbërisë”, pranë stadiumit “Fadil Vokrri”. Aty takohen rrjedhat e dy lumenjve edhe sot, të cilat janë të mbuluara me një strukturë llamarine, si një përpjekje e fundit për të ngufatur vullnetin e lumenjve për të dalë sërish në sipërfaqe.

Të pranishmit që ishin pjesë e një ekspozite të pazakontë, e cila konceptohet si një ftesë për një xhiro të udhëhequr nga dyshja, është në fakt homazh për rrjedhat e këtyre dy lumenjve në pesë pika të kryeqytetit, duke ndarë edhe kujtime e reflektime personale rreth kujtesës kolektive të Vellushës e Prishtevkës nga të pranishmit.

Image
Shëtitja gjurmëve të Vellushës ka vazhduar “Te Qafa”, aty ku është njëra prej skulpturave të metalta, e dëmtuar që në ditën e parë të inaugurimit

disa lokacioneve në kryeqytet – midis Teatrit Kombëtar e ish-hotelit “Union”, te “Kafet e Vogla” “Te Qafa” e në sheshin “Skënderbeu” – shtrihen pesë veprat metalike që zërojnë gurgullimën e Vellushës dhe jo vetëm.

Përpjekja për t’ua “rikthyer” qytetarëve një pjesë të lumit ishte inspirimi kryesor në zanafillën e veprës.

“Ky lumë kalon në vende ku ne kalojmë çdo ditë, por ne nuk jemi të vetëdijshëm mbi çka po ecim”, ka thënë Sara Rodiqi, njëra nga autoret e instalacionit, dhe kjo duket të jetë cytja e parë e cila shpuri në krijimin e këtij instalacioni artistik. Vepra, por edhe shëtitja si aktivizëm synojnë të adresojnë këtë paradoks dhe të bëjnë lumin e fshehur të Prishtinës sërish të dukshëm. Për aspektin artistik të instalacionit, i cili përfshin ekspozimin e tingujve të gurgullimave të ujit dhe skulpturave të metalit si gjurmë të vendosura në pika kryesore përgjatë qytetit, inspirimi fshihet edhe me thellë sesa vetë Vellusha e Prishtevka.

Sipas Rodiqit, koncepti i këtyre skulpturave bazohet në filozofinë e Rizomës, e cila shfaqet si term në librin “A thousand Plateaous:Capitalism and Schizofrenia” të teoricienit Gilles Deleuze dhe Félix Guattari, të cilët përdorin metaforën e Rizomës për të përshkruar teori të cilat krijojnë lidhje horizontale pa hierarki. Rodiqi ka kujtuar se Rizoma nuk ka fillim e as mbarim, andaj mund të rritet kudo dhe prej çfarëdo pike.

Autoret i japin kuptimin filozofik këtij instalacioni duke tërhequr paralele me këtë teori duke e shpjeguar lumin në parim si linear, mirëpo në një këndvështrim tjetër të shihet se si “Vellusha lidhet me Prishtevkën te Stadiumi i Qytetit, pastaj me Sitnicën, Sitnica me Ibrin, Ibri me Danubin, që derdhet në Detin e Zi”. Përmes këtij shpjegimi ilustrohet lidhja rizomatike e trupave të ujërave në këtë rast duke treguar se edhe pse ky lumë është groposur, ai vazhdon të ekzistojë më gjithë natyralitetin e vet dhe nuk është zhdukur kurrë, si një protestë metaforike e natyrës drejtuar intervenimeve të egra nga njerëzit.

Image
Nga e djathta: Abi Shehu, Sara Rodiqi dhe Alisa Gojani në prezantimin e instalacionit “Mbi lum’”, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, të shtunën e 28 tetorit

Skulpturat prej metali të vendosura në pikat gjegjëse të identifikuara përgjatë rrjedhës së lumit, paraqesin detaje të cilat lidhen në mënyrë direkte me historinë e vetë lumit.

“Skulpturat e vogla janë të dizajnuara në bazë të tuneleve që janë ndërtuar gjatë groposjes së lumit, të cilat i kemi gjetur në Arkivin e Qytetit, ndërsa vrimat nga të cilat depërton zëri paraqesin në mënyrë figurative shenjat që ka lënë vegjetacioni në to ndër vite”, ka thënë Rodiqi.

Rolin kulmor e luan skulptura kryesore e vendosur menjëherë pas shtatores në sheshin “Skënderbeu” e paraqitur si një bimë me gjatësi 2.5 metra mes drurëve të tjerë, si një nderim për ekosistemin e rritur në rrjedhën e lumit. Tingujt e gurgullimave të lumit që japin përshtypjen se po flet nëntoka, ngacmojnë vetëdijen e të pranishmëve si një ftesë për të rikthyer historinë.

Ky kujdes i veçantë i autoreve për të implementuar detajisht gjetjet në dizajn, i dhuroi një perspektivë qytetit ku e paraqet artin si formë intervenimi në vetëdijen qytetare dhe si akt rikujtimi.

Sociologia Linda Gusia, e pranishme në këtë ekspozitë, e ka vlerësuar instalacionin si një thirrje për ta rikujtuar lumin, si rezultat urgjent i Prishtinës për natyrë.

“Për mua është një instalacion që më mallëngjeu, por edhe më dha një shpresë dhe shtytje për me mendu mënyra se si ne si qytetarë të Prishtinës do të mund të insistonim në iniciativa që e hapin lumin, ose së paku pjesë të tij”, ka thënë Gusia.

Se pikëtakimi ku filloi ecja e kësaj ekspozite, ishte jorastësisht nxitëse dhe provokuese, e shpreh dhe vetë Gusia.

“Pjesa ku bashkohen lumenjtë ishte gati impulsive, kisha një nevojë të papërshkrueshme me e hap atë mburojë dhe me e zbulu lumin”, ka thënë ajo, duke shtuar se ndihet e inspiruar nga kjo ekspozitë nga fakti se e konsideron atë si një thirrje të mendjes, e cila kujton ekzistencën e lumit dhe bëhet ftesë për ta rimenduar.

“Mbi lum’”, ndërthur historinë e harruar të lumenjve të Prishtinës me lojën e ndërgjegjes qytetare, kujton lidhjet komplekse midis historisë së një qyteti, burimeve natyrore dhe njerëzve të tij. Jo vetëm që u jep zë lumenjve të fshehur, por shërben edhe si një dëshmi e fuqisë së artit në rikthimin e lidhjes me të kaluarën. Ashtu siç këta lumenj dikur ushqenin qytetin, “Mbi lum’” tani ushqen kujtesën kolektive të Prishtinës, duke kultivuar një vlerësim të thellë për të vërtetat e fshehura nën peizazhet urbane të kryeqytetit. I thërret përgjegjësisë për të çmuar dhe mbrojtur burimet e për të respektuar dëshirën e qytetit për t’u lidhur me rrënjët e tij. Instalacioni është i hapur deri më 25 nëntor.