Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Mbi gjysmë milion vargje të Eposit Kreshnik përgatiten për në UNESCO

Rreth 600 mijë vargje të ciklit të këngëve kreshnike shqiptare ka gjasë që sivjet të bëhen pjesë e thesarit të vlerave shpirtërore jomateriale të kulturës botërore. Një paralajmërim i Ministrisë së Kulturës në Republikën e Shqipërisë ka dhënë shpresë se do t’i jepet fund zvarritjes njëdekadëshe mes institucioneve politike e akademike në Tiranë e Prishtinë.

Të enjten, ministrja e Kulturës në Republikën e Shqipërisë, Elva Margariti, ka dhënë kumtin se katër “dukuri” të vlerave jomateriale të kulturës shqiptare janë të denja për të kandiduar si kryevepra të trashëgimisë shpirtërore të njerëzimit, nën mbrojtjen e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO).

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Sipas ministres, Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Jomateriale ka miratuar për kandidim “Kcimin e bjeshkës me tupan të Tropojës”, “Ritualin e lashtë të shtegëtimit të bagëtive”, “Xhubletën si teknologji dhe dijebërje artizanale unikale dhe format e përdorimit të saj”, “Kcimin e Logut” dhe “Eposin e Kreshnikëve të kënduar dhe shoqëruar me lahutë”.

Gjatë po të njëjtës ditë, ministrja Margariti ka paralajmëruar se institucioni që ajo drejton tashmë po punon për plotësimin e dosjeve “në mënyrë që të mund t’i kapim afatet e kandidimit”.

Pas dosjes së këngëve të jugut (iso-polifonia), e cila që nga viti 2006 është pranuar si vlerë e trashëgimisë gojore të njerëzimit, edhe “Eposi i Kreshnikëve” po bëhet gati për të kandiduar në UNESCO, transmeton KOHA.

Studiuesi i epikës kreshnike, Zymer Neziri, e ka përshëndetur hapin e fundit të institucioneve të kulturës në Shqipëri për t’i bërë gati dosjet që do të shoqërojnë kandidimin e këtyre vlerave jomateriale të kulturës shpirtërore shqiptare.

“Këtë hap qeveritar të institucioneve në Tiranë, natyrisht, e vlerësoj dhe më gëzoi ky vendim i Këshillit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale”, ka thënë Neziri të premten për KOHËN.

Në tetor të vitit të kaluar, ai bashkë me 13 lahutarë nga e gjithë hapësira shqiptare patën mbajtur një prezantim në mjediset e Akademisë së Shkencave në Tiranë.

Ndonëse kishte qenë e njoftuar katër muaj më herët, Ministria e Kulturës në Tiranë kishte humbur afatin e fundit më 20 mars të vitit të kaluar.

Neziri, i cili është edhe këshilltar shkencor në Institutin Albanologjik të Prishtinës (IAP), ka thënë se ka pasur kontakte të vazhdueshme me Tiranën zyrtare, duke filluar nga ambasada e saj në Prishtinë e deri te Ministria e Kulturës.