Kulturë

Mbi 400 mijë euro për ekspozita në katër monumente presin kompanitë

Më 12 korrik të vitit të kaluar ish-Burgu ishte rihapur për vizitorë. Ekspozita e rihapjes në raport me hapjen e parë duket më e realizuar, por mbetet shumë periferike në raport me një muze (Foto: Driton Paçarada)

“Burgu i idealit”, siç a ka marrë emrin muzeu në ish-Burgun e Prishtinës, kompleksi “Emin Gjiku”, Kompleksi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, janë në listën e katër monumenteve për ekspozitat e të cilave është hapur thirrja për rivitalizim e rikonceptim ekspozitash. Janë mbi 400 mijë euro që ka vënë në dispozicion Ministria e Kulturës për kompani që do ta kryejnë këtë punë. Ata që janë marrë me menaxhim të muzeve e ekspozita bashkë me ata që merren me trashëgiminë kulturore kanë rekomanduar një qasje më ndryshe

Ministria e Kulturës planifikon që me mbi 400 mijë euro të hapë një muze me ekspozitë të përhershme dhe të rikonceptojë ekspozitat në tri monumente të tjera. Nëpërmjet kompanive private qëllimi është që Muzeu i Burgut të Prishtinës, “Burgu i idealit”, të bëhet me ekspozitë të përhershme. E në Muzeun Etnologjik apo kompleksin “Emin Gjiku” bashkë me atë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe “Kullën e Isa Boletinit” të rikonceptohen ekspozitat.

Për këtë institucioni më i lartë i kulturës në vend ka hapur dy thirrje publike dhe nëpërmjet këtyre tenderëve ka planifikuar që për Muzeun e Burgut të Prishtinës të shpenzojë deri në 250 mijë euro, kurse për tri monumentet e tjera 155 mijë euro. Ata që janë marrë me menaxhim të muzeve e me ekspozita, bashkë me ata që merren me trashëgiminë kulturore, kanë rekomanduar një qasje më ndryshe.

“Shërbime për zhvillimin e proceseve dhe produkteve teknike për rivitalizimin dhe adaptimin, menaxhimin, ‘kurimin’ e ekspozitave dhe [ri]funksionalizimin e Muzeut të Burgut të Prishtinës – ‘Burgu i idealit’, në Prishtinë”, titullohet thirrja e cila është e hapur edhe sot (e mërkurë). Njësoj edhe thirrja “Shërbime për zhvillimin e proceseve dhe produkteve teknike për rivitalizimin dhe adaptimin, menaxhimin, ‘kurimin’ e ekspozitave dhe [ri]funksionalizimin e muzeve [ekzistues], të vendosur në ‘asete’ të trashëgimisë kulturore arkitekturale – të ‘Kompleksit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit’, në Prizren; të Muzeut Etnologjik- te ‘Kompleksit të shtëpive Emin Gjiku’, në Prishtinë’ dhe të ‘Kompleksit te Kullës së Isë Boletinit’, në Boletin”.

Në dosjen e thirrjes jepen sqarime se ish-Burgu i Qarkut në Prishtinë është i vendosur në qendër të kryeqytetit dhe aty janë mbajtur veprimtarë politikë, aktivistë e disidentë të ndryshëm gjatë 70 vjetëve sa e ka pasur atë funksion. Tregohet se duket se daton qysh prej fillimit të viteve ‘50, ndërtimi i këtij burgu korrespondon me kohën famëkeqe të Rankoviqit kur shqiptarët janë persekutuar politikisht. Aty jepen sqarime goxha në detaje për planimetrinë e ndërtesës.

“Të dhënat për burgosjet që kanë ndodhur në këtë burg janë ende duke u hulumtuar, por operimi i tij qysh nga koha e hershme pas Luftës së Dytë Botërore është indikacion se kemi të bëjmë me ndërtesë të rëndësishme historike. Janë disa periudha të opresionit serb që reflektohen qartazi edhe te ndërtesa e Burgut”, shkruhet në dosjen e tenderit. Përmendet periudha kur nacionalisti famëkeq Aleksander Rankoviq ishte numri dy i ish-Jugosllavisë dhe vitet ’70, ‘80 deri te Milosheviqi.

“Në muret e ish-Burgut hetimor të Prishtinës akoma gjenden shkrime, lutje e gërvishtje të të burgosurve të atëhershëm, të cilët përjetuan tortura nga më të rëndat, disa prej të cilëve përfunduan edhe fatalisht e disa të tjerë nuk u gjetën më kurrë”, shkruhet në dosjen e tenderit. Sqarohet, po ashtu, se me datën 23 maj 2020, Qeveria e Kosovës, bazuar nga kërkesa e komisioneve parlamentare nga Kuvendi i Kosovës, ka iniciuar përmes ministrive përkatëse transformimin e Burgut në muze tematik.

Më 12 korrik të vitit të kaluar ish-Burgu ishte rihapur për vizitorë. Ekspozita e rihapjes në raport me hapjen e parë duket më e realizuar, por mbetet shumë periferike në raport me një muze. Në ndërtesën që gjendet në rrugën “Luan Haradinaj”, ngjitur me Stacionin e Policisë së Kosovës, vizitorët mund të përjetojnë një ambient burgu. Jo bash sikurse ka qenë gjatë sistemit socialist, shkaku i ndërhyrjeve të pasluftës, por të paktën në strukturë është i njëjti. E stafi, siç bën rëndom MKRS-ja, improvizon deri në hapjen e ekspozitës së përhershme.

Hapja e parë, ajo e 12 qershorit 2020 në kuadër të 21-vjetorit të çlirimit të Kosovës, në rihapje nuk qe përmendur fare, duke e stimuluar idenë se ndërtesa po hapet për herë të parë.

Sa i përket Muzeut Etnologjik ky kompleks vazhdon të mbajë primatin si një aset i trashëgimisë kulturore tejet atraktiv, i cili për çdo vit pranon një numër të madh vizitorësh vendorë e veçmas të huaj. Pas viteve pandemike, si dhe pas restaurimit dhe konservimit të asaj që njihet si Shtëpia Familjare e Shekullit XIX, që kishte nisur qysh më 2017, në vitin 2022 Muzeu iu rikthye qytetarëve me kapacitet të plotë. Muzeu Etnologjik i njohur edhe si “Emin Gjiku” është njëri ndër komplekset më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore në Kosovë, sepse ai ruan të kaluarën e bashkë me të edhe identitetin e hapësirave qytetare në vend. I hapur në vitin 2006 mbetet një pikë e fortë reference për të gjithë ata që e vizitojnë Kosovën.

Sipas ueb-faqes së njohur botërore “TripAdvisor”, për të tetin vit me radhë, që nga viti 2015, përfshirë edhe vitin 2022, Muzeu Etnologjik vazhdon të mbetet atraksioni kryesor turistik për vizita në Prishtinë. Ka kohë që është përmendur një rikonceptim i ekspozitës së përhershme. Por një gjë e tillë nuk është bërë ende.

Kujdes i shtuar ka kohë që është paralajmëruar edhe për Kompleksin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, aty ku në qershor të vitit 1887 është mbledhur paria shqiptare që ka synuar pavarësim më madh nga Perandoria Osmane. Qysh më 2021 ministri i MKRS-së, Hajrulla Çeku, kishte thënë se kompleksi i LSHP-së paraqet një perlë të trashëgimisë kulturore, që rrethohet nga monumentet e tjera të trashëgimisë kulturore. Me këtë rast ai kishte thënë se do të përmirësohen kushtet në këtë monument, me qëllim që vlerat që përfaqëson të prezantohen dhe të promovohen edhe jashtë kufijve të gjeografisë shqiptare.

Kurse sa i përket Kullës së Isa Boletinit, MKRS-ja ka vite që synon një rikonceptim të ekspozitës, por kjo nuk ka ndodhur. Kompleksi gjendet në fshatin Boletin të Komunës së Zveçanit. Ekspozita është goxha periferike në raport me historinë e ish-pronarit të Kullës, Isa Boletini, eshtrat e të cili janë rivarrosur brenda Kompleksit në vitin 2015.

Por qasja e MKRS-së në raport me qëllimin për ekspozitat është vëne në pikëpyetje nga disa persona që janë marrë direkt me muze e trashëgimi kulturore.

Sali Shoshi, i cili udhëheq fondacionin “Trashëgimia Kulturore pa Kufij”, “CHwB Kosova” ka thënë se gjithmonë ka nevojë për ekspertizë të jashtme për menaxhimin e ekspozitave dhe muzeve. Por, sipas tij, kjo ekspertizë duhet të shkojë në dy drejtime.

“E para është forcimi i kapaciteteve të brendshme humane që janë në muze. Ekspertiza e jashtme ishte dashur t’i trajnojë e t’i shtojë kapacitet e atyre që janë brenda”, ka thënë Shoshi. Sipas tij, kjo ekspertizë do të duhej të merrej nga muzetë jashtë vendit e të angazhohet për muzetë vendorë.

“Nuk është e shëndetshme, mendoj unë, nëse vjen një operator i jashtëm i kryen punët dhe stafi i brendshëm ekzistues mbetet spektator. Kjo ishte dashur të jetë esenca që të mos kemi nevojë që çdo vit të angazhojmë kompani për t’i bërë ekspozitat”, ka thënë ai. Sipas Shoshit, muzetë kanë nevojë për menaxhim të mirë dhe avancim të njerëzve që punojnë aty, qoftë në hulumtim por dhe në kurim të ekspozitave.

“Sidomos muzetë publikë punojnë në këtë mënyrë. Unë mendoj që kjo do të duhej të ishte qasja. Nëse thirrja nuk i ka këto elemente dua të shpresoj që në të ardhmen t’i ketë këto elemente. Do të duhej të bëhej një analizë se nga çka lëngojnë muzetë tanë dhe pas diagnostikimit të ndërhyhet”, ka thënë Shoshi.

Një ish-drejtues i një institucioni qendror të kulturës ka thënë se telashe më vete është interpretimi i Ligjit të prokurimit publik në raport me angazhimin e kompanive për punë artistike. Sipas tij, në tregun ndërkombëtar ka kompani të cilat marrin diku rreth një mijë dollarë për metër katror vetëm për konceptimin e ekspozitave. Po aq mund të marrin edhe për implementim.

“Është problem të gjesh kompaninë që e bën konceptin dhe implementimin. Është përvojë e parë për tanët. Nuk ekziston në vendin tonë kompani që e ka bërë krejt këtë punë. Sipas ligjeve tona qasja më e shëndetshme është të mos bësh asgjë. Vetëm kështu nuk gabon”, ka thënë ky ish-zyrtar shtetëror pa pranuar t’i përmendet emri. Sipas tij, është shumë e rëndësishme se si dizajnohet krejt procesi dhe kush e dizajnon atë proces.

“Kush i bën hulumtimin e analizën e projekteve të ngjashme. Ku është publiku në këtë rrugë e kush janë akterët që ishte dashur të përfshihen. Së pari duhet të ketë një deklaratë të misionit. Mandej duhet ditur statusi juridik i institucionit. Pastaj duhet ditur kush e udhëheq projektin, jo organi mbikëqyrës por duhet të ketë koordinues të krejt punës”, ka thënë ai. Ka rekomanduar se pjesë e dizajnimit të procesit duhet të jetë edhe angazhimi i stafit i cili do të kujdeset në baza ditore për ekspozitat që do të instalohen.