Institucioneve kulturore në vend u është lejuar rifillimi i punës duke shfrytëzuar 50 për qind të hapësirave. Lajmi ka bërë që stafi brenda tyre të nisë punën për të rikthyer publikun në ambientet e tyre, duke sjellë program e aktivitete cilësore e interesante. Bashkimi, duke respektuar masat, po shihet si armë për ta ndalur vrullin e pandemisë duke e mbajtur kulturën aktive
Me të hyrë në hapësirën e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës njëri nga punëtorët pyet për certifikatën e vaksinimit. “Certifikatën e vaksinimit ose testin me rezultat negativ për COVID-19, për shkak të masave të reja në fuqi për parandalimin dhe luftimin e pandemisë?”, është pyetja që bëhet. Kur ai merr një dëshmi që e siguron se personi që dëshiron të hyjë në Bibliotekë nuk rrezikon të tjerët, i pyet se si mund t’i ndihmojë dhe i udhëzon se ku mund të drejtohen.
Biblioteka është veç një nga institucionet kulturore që tashmë i është kthyer punës pasi që prej së hënës bibliotekat, muzetë, kinematë, teatrot, orkestrat, ansamblet, baleti, qendrat rinore, qendrat e kulturës me grupe apo institucionet e tjera të ngjashme vartëse të MKRS-së apo të komunave, lejohet të punojnë duke shfrytëzuar 50 për qind të kapacitetit të hapësirës së objekteve përkatëse. Megjithatë, sipas masave, obligohet mbajtja e maskës dhe distancës fizike prej 1.5 metrash në mes të personave.
Lehtësimi i masave ka bërë që kultura pjesërisht të rifillojë punën e funksionin e saj. Por, ashtu siç ndalohet veprimtaria e klubeve të natës, e njëjta vlen edhe për organizimin e festivaleve, koncerteve në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.
Drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Fazli Gajraku, ka thënë se tash e dy vjet situata nuk ka qenë aspak e lehtë pasi që shumë aktivitete është dashur që të pezullohen a shtyhen. Megjithatë, ka shtuar se i janë gëzuar lehtësimit të masave. Institucioni që ai drejton është i gatshëm të presë përdoruesit e materialeve bibliotekare.
“Presim kthimin e publikut, veçanërisht me hapjen e fakulteteve pasi që studentët janë përdoruesit tanë më të mëdhenj. Biblioteka nuk ka kuptim pa lexuesit e saj. Pa ta ajo është e nëmur për t’u shndërruar në muze. Prandaj, na kanë gëzuar lehtësimi i masave dhe lejimi i mbajtjes së aktiviteteve”, ka shtuar Gajraku.
Në bazë të masave në fuqi, lejohen grumbullimet në ambiente të mbyllura deri në njëzet persona për punëtori, mbledhje, seminare, trajnime apo grumbullime të tjera. Por, pjesëmarrësit obligohen të posedojnë ndonjërën nga dëshmitë që nuk janë të infektuar me virus, në mënyrë që t’ju lejohet hyrja në këto ambiente, si dhe organizatori obligohet të sigurojë distancën fizike prej 1.5 metër në mes të personave dhe kontrollimin e dëshmive përkatëse.
Puna ka rinisur edhe në “Cineplexx”. Të hënën janë hapur dyert e kinemave e ekipi është në përgatitje edhe për të sjellë premierën botërore të filmit “Bond: No Time To Die” më 7 tetor, për të cilin vizitorët e kinemasë veçse kanë nisur të interesohen.
Dëfrim Puka, përgjegjës për marketing dhe komunikim për kinematë në Kosovë të rrjetit “Cineplexx”, ka thënë se janë të lumtur me vendimin e fundit të Qeverisë së Kosovës për hapjen e kinemave pas mbylljes së fundit njëmujore.
“U bë një muaj prej kur kemi qenë të mbyllur, pa kurrfarë ndihme apo përkrahje shtetërore, gjë që e ka dëmtuar shumë ekonomikisht biznesin tonë, duke pasur parasysh investimet milionëshe që janë bërë për t’i hapur të dy kinematë tona në Prishtinë dhe Prizren, si dhe kostot e larta të funksionimit”, ka thënë ai. Ka shtuar se pandemia e ka goditur jashtëzakonisht shumë sektorin e kinemasë në të gjithë botën dhe dëmet ekonomike kanë qenë tejet të larta.
Megjithatë, nuk ka fshehur gëzimin sa i përket rifillimit të punës, ani pse lejimi i përdorimit vetëm të 50 për qind të hapësirës së sallave, për të është e pamjaftueshme që një biznes i natyrës së tillë të operojë me fitim për shkak të kostove të larta operacionale. I gjithë stafi i kinemasë është vaksinuar dhe ata janë gati për të implementuar të gjitha masat në fuqi për të parandaluar përhapjen e COVID-19.
Mirëpo, respektimi i masave nuk ka qenë çdo herë i lehtë, sfida të ndryshme i ka shoqëruar këto institucione gjatë gjithë kohës. “Normalisht që jemi të kënaqur me lehtësimin e masave, ku në këtë rast mund të kemi 50 për qind të audiencës në shfaqjet tona. Që nga 25 shtatori i vitit të kaluar, kur janë lejuar aktivitetet kulturore, për ne ka qenë e vështirë në një aspekt pasi që duhet me i mbajt maskat gjatë gjithë kohës dhe ajo e bën më të rëndë punën duke e ditur që në sallën tonë nuk ka as ajrosje të mjaftueshme e maskat vetëm sa e vështirësojnë frymëmarrjen”, ka thënë Kreshnik Musolli, ushtrues detyre i udhëheqësit të Baletit Kombëtar të Kosovës.
Ka treguar se i janë përveshur punës që të sjellin premierën e dytë për këtë vit. Shfaqja është e ndërtuar në dy pjesë “Tanzminiaturen” & “Tangata” të krijuara nga koreografi Ricardo Fernando, njëherësh edhe drejtor &dhe koreograf në Baletin e Augsburgut, në Gjermani. “Premiera është më 21 tetor dhe provat janë duke shkuar shumë mirë, edhe pse ka shumë punë intensive në vazhdimësi”, ka thënë Musolli.
Masat për ruajtjen e shëndetit publik dhe mbrojtjen nga COVID-19 janë provuar si jetike për të kufizuar transmetimin e COVID-19 dhe për të zvogëluar vdekjet. Kjo ka bërë që kultura që nga marsi i 2020-s të vihet shpeshherë në pauzë, duke u rikthyer herë pas here duke respektuar masat në fuqi, por asnjëherë plotësisht siç ishte para pandemisë. Sipas raporteve të fundit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, situata epidemiologjike me COVID–19 në Kosovë vazhdon të jetë e rëndë.