Martin Parr, fotografi dokumentues britanik, që kapi qartë veçantitë e Britanisë së Madhe, vdiq në moshën 73-vjeçare. Ai ishte diagnostikuar me kancer në maj 2021.
“Me trishtim të madh njoftojmë se Martin Parr vdiq dje në shtëpinë e tij në Bristol”, shkruhet në një deklaratë nga fondacioni “Martin Parr”, të dielën.
“Ai la pas gruan e tij Susie, vajzën e tij Ellen, motrën e tij Vivien dhe nipin e tij George. Familja kërkon privatësi në këtë kohë. Fondacioni ‘Martin Parr’ dhe ‘Magnum Photos’ do të punojnë së bashku për të ruajtur dhe ndarë trashëgiminë e Martin Parr. Më shumë informacion mbi këtë do të pasojë në kohën e duhur. Ai do të na mungojë shumë”, shkruhet aty më tej.
I njohur për shkrepjet e tij të mprehta të sistemit të klasave angleze, imazhet e Parr mbulonin rrezitjet në diell dhe klubet konservatore, festat e ndryshme, kafetë e mëngjesit, shpesh me ngjyra të gjalla dhe me më shumë se një nuancë, edhe një lloj humori. Libri i tij ikonik i vitit 1986 - “The Last Resort: Photographs of New Brighton” përfshinte pushuesit e klasës punëtore në Wirral, Merseyside, dhe ndihmonte në shënimin e një ndryshimi të madh në fotografinë dokumentare britanike, nga stili i ashpër bardhezi i së kaluarës drejt një stili më të çiltër dhe më shumëngjyrësh.
“Unë bëj fotografi serioze të maskuara si argëtim”, kishte thënë Parr në një intervistë.
Ai u lind në Surrey më 1952, duke u rritur në Epsom. I frymëzuar nga gjyshi i tij, një fotograf i zjarrtë, Parr kishte vendosur për rrugën e tij të karrierës në kohën kur ishte adoleshent. Pas stërvitjes në “Manchester Polytechnic”, ai kaloi disa sezone duke xhiruar në Butlin's, fillimisht me bashkëmoshatarin e tij Daniel Meadoës. Ishte aty që të vëzhgojë kartolinat nostalgjike të marra nga John Hinde e të cilat që do të formësonin punën e tij të mëvonshme.
Pasi u transferua në “Hebden Bridge” në West Yorkshire, Parr kaloi kohë duke fotografuar atje përpara se të takohej me gruan e tij, Susan Mitchell, dhe të transferohej në bregun perëndimor të Irlandës ku botoi disa vepra duke përfshirë “Bad Weather” të vitit 1982, të shkrepura me një aparat fotografik nënujor.
Megjithatë, kur çifti u zhvendos në Wallasey në Merseyside, Parr prodhoi atë që ai më vonë pretendoi se ishte vepra e tij më e madhe. Frymëzuar nga fotografët me ngjyra nga përtej Atlantikut si Joel Meyerowitz dhe Stephen Shore, “The Last Resort” ishte produkt i tri verave të kaluara në plazhet e New Brighton, duke fotografuar peshq dhe patate të skuqura, fëmijë që qajnë dhe shëtitjet në panair.
“Disa njerëz e lexojnë veprën si mizore, por ju i shihni shenjat kur jeni afër gjërave. Nuk ishte për tallje, kishte një distancë intime”, ka thënë drejtori i “Autograph”, Mark Sealy.
“Ai i trajtonte njerëzit përmes lenteve të tij me një ndjenjë barazie, nëse do të ishe gati të përplasje një tortë për fytyre, ai do ta kapte atë pavarësisht se kush ishe”, ka thënë ai më tej.
Ai bëri emrin e tij, por “The Last Resort” nuk u prit plotësisht mirë. Parr u përball me kritika të mëdha për mënyrën se si ai përshkruante familjet e klasës punëtore nga këndvështrimi i tij. Por pati edhe prej tyre që e konsideruan një fokus jo lajkatar në mishin e djegur nga dielli dhe pushimet lira të subjekteve të tij. Për admiruesit e tij, e gjithë kjo ishte pjesë e vështrimit të palëkundur të Parr: ai donte të kapte jetën normale siç ishte për shumicën e britanikëve, jo të shmangej prej saj.
Përveç kësaj, Parr mund të ishte edhe më i rreptë kur bëhej fjalë për dokumentimin e klasës së mesme, pjesë e së cilës ishte ai vetë. Ndërsa Margaret Thatcher riformoi vendin gjatë viteve ‘80, Parr u zhvendos në Bristol me gruan e tij dhe vajzën e tyre, Ellen. Atje ai e ktheu vëmendjen e tij në skajin tjetër të shoqërisë, një botë festash në kopsht, udhëtime për blerje dhe ditë të hapura të shkollave publike që përbënin librin e tij fotografik të vitit 1989 me titull “The Cost of Living”.
“Askush më shumë sesa si nuk kontribuoi në ngritjen e librit fotografik si një medium popullor gjatë njëzet viteve të fundit”, ka thënë fotografi Johny Pitts.
Falë syrit të tij të mprehtë, antropologjik, puna e Parr provokonte reagime të shumta – humor, ndjeshmëri, neveri – shpesh brenda të njëjtit imazh. Ai pasqyronte marrëdhënien e tij dashurore e urrejtjeje me vendin e tij. Parr ishte një “vajtues” i vetërrëfyer që megjithatë e donte të kaluarën nostalgjike me fshatrat e gjelbëruara dhe panairet lokale. Puna e tij nuk ishte fushatë e hapur, megjithëse ai pati thënë se “të gjithë fotoreporterët janë të majtë, nuk mund ta bësh këtë punë nëse nuk kujdesesh për njerëzit”.
Gjatë viteve ’90, puna e Parr u bë më e njohur ndërkombëtarisht me kritikat e tij ndaj industrisë turistike (“Small world”) dhe konsumerizmit global (“Common sense”). Kishte shumë polemika kur ai iu bashkua agjencisë prestigjioze të fotografisë “Magnum”, në vitin 1994.
Themeluesi i agjencisë, Henri Cartier-Bresson, e kishte nënçmuar punën e Parr si “nga një planet tjetër” në krahasim me artistët e asaj kohe. Fotografi uellsian i luftës së Vietnamit, Philip Jones Griffiths, kishte bërë fushatë kundër pranimit të tij, duke thënë: “Kushdo që përshkruhej si fotografi i preferuar i Margaret Thatcher sigurisht që nuk i përkiste agjencisë ‘Magnum’”. Në fund, Parr u pranua me një votë, një shenjë se agjencia po modernizohej ngadalë. Parr do të vazhdonte të shërbente si president i ‘Magnum’ midis viteve 2014 dhe 2017.
Në vitin 2014 ai themeloi fondacionin “Martin Parr”, i cili strehonte arkivin e tij të fotografive si dhe koleksionin e tij të madh të fotografive britanike dhe irlandeze nga artistë të tjerë.
Rene Matiq, e nominuari për çmimin ‘Turner’, i cili pati një ekspozitë në fondacionin “Martin Parr” në vitin 2023, ka thënë se Parr ishte “bujar në çdo mënyrë – me syrin, mençurinë, humorin e zgjuarsinë e tij”. “Ai besonte në mua si një krijues imazhi dhe ky besim mbeti me mua”, ka thënë ajo.
Artisti Jeremy Deller ka thënë se fondacioni i fotografit të ndjerë ishte pjesë e një “trashëgimie të madhe në rritje” që mbështet fotografinë britanike, duke e përshkruar atë si “një vend shumë bujar me një atmosferë të mrekullueshme”.
Parr nuk ishte vetëm një fotograf, por edhe një koleksionist i librave fotografik, kartolinave dhe artikuj të pazakontë që ngjallnin kujtime. Libri i tij i vitit 2019 – “Space Dogs: The Story of the Famous Canine Cosmonauts” përfshinte një sërë gjësendesh kushtuar njerëzve si Laika, Belka dhe Strelka. Koleksioni i tij i orëve të Sadam Huseinit u bë gjithashtu një libër në vitin 2004.
Por vetë fotografia ishte gjithmonë obsesioni më i madh i Parr. “Duhet të jesh i patrembur nëse do të jesh fotograf. Nuk ka kohë për t’u frikësuar”, do të thoshte ai.