Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Manifesti për pushtetin e gruas

Mary Beard. Emër i njohur në qarqet akademike të Britanisë. Njihet si klasiciste dhe historiane e Romës antike. Ata që e admirojnë thonë se po t’i kishte këshilluar Mary romakët, s’do të kishin pësuar disfatë dhe Perandoria Romake do të vazhdonte. Mary Beard ka shkruar shumë libra, ndër të fundit edhe “SPQR”, ku flet për Romën dhe gjithë nurin e saj. Po aq sa historiane konvencionale, ajo njihet edhe si historiane televizive, sepse ka bërë një numër të madh të serive dokumentare televizive me BBC e televizione tjera britanike. Disa e kanë quajtur “e shëmtuar për televizion”, për shkak të pamjes dhe paraqitjes së saj si një “plakë ogurzezë”. Por, pikërisht kjo paraqitje e ka ngritur personalitetin e saj publik.

Libri i saj i parafundit, i titulluar “Manifest për gratë dhe pushtetin” (2017) [Women and Power: A Manifesto], shpërfaq mendimin e saj për gratë dhe sferën publike dhe fokusohet kryesisht në lirinë (apo mungesën e lirisë) e fjalës së gruas. Ajo thekson se gratë janë ende “nën hijen e burrit” kur kemi të bëjmë me fjalën publike. Ajo shpjegon se kultura perëndimore është e rrënjosur në traditën greke dhe romake sa i përket heshtjes së grave dhe fjalës së tyre të lirë. Gratë s’kanë pasur mundësi të flasin të lira në sferën publike, madje as private sa duhet, që nga koha e Greqisë e Romës antike. Kjo “heshtje” e grave është riprodhuar gjatë historisë deri më sot. Pak a shumë ky është argumenti i saj. Por, pyetja shtrohet: pse Mary Beard ka botuar këto dy ligjërata si libër? Mary Beard ka shkruar një sërë veprash për jetën dhe kulturën romake, duke qëndisur argumente që dalin nga leximi i ngeshëm dhe i kujdesshëm i materialit arkivor e historiografik. Pse një “manifest” për pushtetin dhe gratë? Pse një thirrje për revolucion gjinor? Arsyet e botimit të dy ligjëratave në një libër, mund të jenë edhe punë marketingu nga shtëpia botuese. Por, disa nga arsyet e qëndrimeve ideologjike të Mary Beard-it në raport me gjininë janë më se të njohura. Ajo ka theksuar vetë së është inspiruar nga feministët si Kate Millet e Germaine Greer. Po ashtu, idetë e saj konformiste ndaj “korrektësisë politike” që ka kapluar historinë shkaktuan një lloj debati të furishëm në rrjete sociale mes saj dhe kritikëve të saj. Si thotë edhe Noel Malcolm, manipulimi i historisë sipas korrektësisë politike prezentiste është bërë normë në kulturën perëndimore. Në ngjarjet historike të treguara në mënyrë audiovizuele për masat patjetër duhet të ketë “kategori” të cilat tregojnë diversitet, ndonëse ngjarja mund të ketë qenë pikërisht kundër atij diversiteti apo thjesht ngjarje vetëm e një kategorie.

Në fakt edhe këto ligjërata të botuara si libër “manifest” vërehen se janë tendenca të “grrithjes së vellos patriarkale” duke gjetur e kritikuar pushtetin burrëror të shprehur në diskursin e shoqërisë njerëzore. Por, Beard nuk shqyrton letërsinë romantike e viktoriane, por letërsinë greke e romake, bashkë me filozofinë e prozën tjetër. Si historiane ajo synon të gjejë dhe kritikojë origjinën dhe përvijimin historik të dominimit të mashkullit në sferën publike, e kryesisht në fjalime publike. Por, në aspektin e bindjes së lexuesit, mund të konsiderojmë pa ngurrim se Mary Beard nuk ka nevojë fare të na tregojë se prej kohës kur në Odisenë e Homerit, Telemaku i thotë Penelopës, “shko nanë në dhomën tënde se unë jam i zoti i shtëpisë këtu”, ideja e ndalesës së gruas për fjalë të lirë në publik është riprodhuar në mënyrë konsistente. Këto janë gjëra që dihen. Shumica e kemi lexuar Odisenë e Homerit. Të gjithë e dimë se gratë nuk kanë pasur mundësi të barabarta, s’kanë votuar, kanë qenë të lidhura kryesisht për punët e shtëpisë, janë stereotipizuar e trajtuar si qytetare të dyta, etj. Pra, kjo është më se e njohur.


Në ligjëratën e parë, Mary Beard na thotë se fjalimi publik dhe oratoria nuk ishin gjëra që gratë nuk i bënin, si rezultat i shtypjes apo heshtjes, por ato ishin gjëra që vetëm burrat i bënin. Në fakt fjala publike dhe oratoria ishin kriteret kryesore të definimit të burrërisë. “Vir bonus dicendi peritus”, thonë romakët për “njeriun e mirë që din me fol”. Që nga antika e këndej zëri apo toni i zërit është i gjinorëzuar: gratë flasin me zë të lartë dhe të hollë, ndërsa burrat me zë të ultë dhe të trashë. Çfarëdo konsistence në këtë dikotomi kuptohet si anomali. Mary Beard merr shumë shembuj edhe nga aktualiteti dhe historia e vonë për të argumentuar se ideja e heshtjes së gruas në publik është e rrënjosur në antikë. Ajo thekson se “sa më shumë kam veneruar rastet e kërcënimeve dhe fyerjeve ndaj grave, aq më shumë duken se përputhen në modelet e vjetra për të cilat po flas. S’ka dert se çfarë udhe merr gruaja, sepse nëse hyn në territorin mashkullor, ajo abuzohet. Ajo çfarë thua nuk e cyt këtë abuzim, por, vetë fakti që flet në publik”. Natyrisht se Mary Beard thekson një të vërtetë që e hasim gjithandej. Megjithatë, shembujt që ajo përzgjedh dhe mënyra se si a e argumenton abuzimin ndaj grave në sferën publike është e ekzagjeruar. Për shembull, ajo thekson se kur gruaja flet në publik fraza më e zakonshme është “mshile gojën, moj lavire” dhe e bazon këtë mbi cicërimat nga media sociale Twitter. (Me siguri pas debatit të madh që pati shkaktuar komenti i saj në Twitter në raport me një film të vizatuar për fëmijë për Britaninë romake). Po ashtu, merr edhe shembuj se si parlamentarët afganë e heqin mikrofonin nga rryma kur flasin gratë, e kështu me radhë. Sipas saj, nuk ka shërim praktik të këtij problemi, pos kur gruaja merr udhën “androgjine” (kur gruaja ose burri duke edhe si burrë edhe si grua), që sipas saj kishte marrë Margart Thatcher, kur kishte simuluar autoritetin mashkullor duke marrë trajnime të zërit. Kjo nuk kontestohet si fakt, sepse edhe biografët e Thatcher-it e kanë theksuar këtë. Megjithatë, nuk mund të lihet pa thënë se argumenti për personalitetin publik të Thatcher-it nuk mund të arsyetohet vetëm në shembullin e trajnimit të zërit. Kjo është si pothuajse si të thuash se Churchill ka vendosur të luftojë kundër Hitlerit për arsye se ka veshur rrobe të hekurosura. Pra, shembujt për argumente të tilla janë të përzgjedhur shpejt dhe nuk e forcojnë argumentin fare.

Në anën tjetër, ideja e Beard-it se shërimi i problemit të heshtjes së grave në publik nuk mund të bëhet vetëm kur gratë kopjojnë burrat është mjaft e fuqishme. Por arsyetimi i saj historik është krejtësisht jobindës. Po aq jobindës është edhe arsyetimi i saj se ndonëse femrat kanë rritur përqindjen në pozita të larta të autoritetit (prej 4 % deputete gra në 70-tat në Britani, në 30% gra deputete tani), megjithatë kur theksohet fjala president në imazhin mental del burri. Këtë e thotë edhe për pozitën e profesorit, sepse kur u përmendka fjala “profesor” në imazh mental të shumicës del burri. Por, kjo nuk është krejt e vërtetë me shumë fjalë të profesioneve tjera që tradicionalisht janë imagjinuar me imazhe burrash. Studimet e fundit theksojnë se fëmijëve që ju thuhet vizatoje “shkencëtarin” mbi 50 % e tyre e vizatojnë një grua. Pra, gjërat kanë evoluar si rezultat i punës së vetë grave dhe mundësive të barabarta të krijuara me ligj. Nuk mohohet se në dekadat e fundit, edhe puna e komandantëve të drejtësisë gjinore, që kanë zënë pritat nëpër katedra universitare, kanë pasur efekt. Por, zhurma e tyre më shumë ka krijuar korrektësi politike, censurë gjuhësore, tribalizëm gjinor se sa që ka avancuar të drejtën për mundësi të barabarta.

Edhe Kur moda flet për pushtetin: Anna Wintour dhe Meryl Streep në një takim ikonik Showbiz 3 muaj më parë Kur moda flet për pushtetin: Anna Wintour dhe Meryl Streep në një takim ikonik

Mary Beard thotë se nëse ekziston një model kulturor që prodhon gjendjen e pushtetit të burrave mbi gratë, ne duhet ta gjejmë se prej nga vjen. Dhe synimi i saj si historiane e antikës është ta gjejë në antikë, përkatësisht në poemat e Ovidit, dramat greke si “Lisistrata” e në fragmente filozofike. Pra, një historiane eminente merret me analizë të tekstit kryesisht letrar antik. Kjo tregon edhe gulçin e Mary Beard-it në ligjëratat e saj: njëherë luan historianen psikoanaliste, tjetrën herë feministen liberale e ndonjëherë edhe zyrtaren e politikave publike.

Ajo pyet se çfarë duhet bërë që gratë të vendosen brenda qarkut të pushtetit? Ajo përgjigjet se duhet ridefinuar pushtetin. Këtu, ajo del goxha radikale. Beard-i fillon të heq mantelin e historianes kryeftohtë dhe të vesh mantelin e feministes kryezjarr. Ajo propozon se duhet rritur numrin e grave në parlament dhe zvogëluar atë të burrave. Pra, kërkon prenë utopike të gjahut të feminizmit radikal: barazinë e rezultateve. Jo barazinë e mundësive, për gratë e për burrat njësoj, por barazinë e rezultateve si mekanizëm për të shëruar plagën historike të pushtetit të burrave. Për shembull, ajo thekson se Ruanda paska 60% gra në parlament, ndërsa Britani vetëm 30 %. Pastaj, thekson se Këshilli Kombëtar i Arabisë Saudite paska më shumë gra se sa Kongresi Amerikan. Këta janë shembujt e Mary Beard-it. Kjo i lë lexuesit gojëhapur. Ndoshta profesoresha e Cambridge-it nuk e din, por tek vitin e kaluar Arabia Saudite ndryshoi ligjin që lejon gratë të vozitin. Mos të flasim për vendet tjera që kanë numra grash në parlament, por jashtë parlamenti mund t’i gjuajnë me gurë deri në vdekje ato.

A ka ndonjë argument solid te Beard-it në këtë libërth? Në secilin argument të Mary Beard-it për historinë e heshtjes, mungesën e fjalës publike për gratë, por edhe për krijimin e një ndërdijeje që furnizon vetëdijen historike për gratë si qenie që duhet heshtur, ka realitet të padiskutueshëm që është theksuar nga historianët për të kaluarën e që njihet nga antropologët në të tashmen. Edhe kur Beard-i jep leksione morale për modelin e suksesit të grave, duke çarë mes betejës së furishme të udhëhequr nga burrat, lexuesi mund të ndihet mirë dhe të pranojë edhe këtë leksion. Por, Beard shkon përtej analizës si historiane dhe shndërrohet në aparatçike të feminizmit radikal: ndrysho krejt sistemin deri sa vetë sistemi i ndryshuar nga utopia revolucionare feministe të “pushtetësojë” gratë. Kjo është lufta për barazi të rezultateve apo lufta e 50% -shit. Ja pamja: pavarësisht sa dinë e sa mundin 50% e deputeteve duhet të jenë gra, pavarësisht sa mësojnë e sa punojnë 50% e studenteve gra duhet të marrin notën e mirë në studime, pavarësisht sa dinë e sa kanë kaluar testin 50% e policeve duhet ë jenë gra, profesoresha, menaxhere bordesh në kompani publike e private, etj. Por, jo minatore me kazmë në krah, zjarrfikëse me shllaf në dorë, etj. Pra, gratë duhet të jenë të barabarta me kuota vetëm në vendet e autoritetit e pushtetit për të “korrektuar” historinë patriarkale. Kur feministët liberalë synuan barazinë e mundësive, që secila femër të jetë mundësi të barabarta në gjithçka, pak burra e gra i kundërshtuan ato. Në fakt, shumica edhe dje edhe sot e dëshirojnë këtë gjendje. Por, feminizmi nuk është më feminizmi liberal i përpjekjes për mundësi të barabarta, ose barazi gjinore në përputhje me mundësitë e barabarta. Në dekadat e fundit feminizmi ka rrëshqitur në feminizëm radikal që synon barazi gjinore në rezultate dhe këtë në emër të hakmarrjes ndaj burrave. Duhet të jesh në pushtet të barabartë me burrat vetëm se je femër. Madje, as kjo fjalë nuk është e duhura për feministët radikalë që kanë krijuar gjuhë diktatoriale për shoqërinë: pardon moi, duhet të themi “grua” e jo “femër”. Kjo sepse gjinia është konstrukt total social, thonë feministët radikalë. “Shoqëria e ka bërë gruan”, thonë ata, sikur të mos kishte fare determinizëm biologjik në evolucionin e njeriut. Kjo tingëllon si sintagmë religjioze: Zoti e ka bërë njeriun para 5 mijë viteve dhe kaq. Natyrisht se edhe shoqëria ka konstruktuar “gruarësinë” e gruas. Goxha shumë. Natyrisht se edhe Zoti i homosapiensit e ka krijuar njeriun. Goxha shumë. Por, kjo nuk duhet se njeriu nuk ka evoluar prej një gjendjeje primare biologjike.

Lirinë e shprehjes së grave dhe mundësitë e barabarta duhet t’i mbrojmë me gjithçka. Cenimet e të drejtës dhe lirive të grave e secilit duhet t’i eliminojmë sa më shumë. Por, edhe apetitin për pushtet të bazuar në rezultate të barabarta, pa meritë, rrallëkush e pranon. Mary Beard nuk përmend vetëm kuotën si mekanizëm specifik, por kërkon betejë konstante deri në fitore për të pushtuar sistemin politik e shoqëror që vetvetiu ia jep pushtetin gruas. Se cili mund të jetë ky sistem utopik, këtë nuk na e thotë as ajo. Më herët, një feministe radikale kryezjarr pati rekomanduar se duhet luftuar për të arritur revolucionin seksual dhe përmes teknologjisë duhet të detyrohen edhe burrat të lindin si gratë. Ajo ishte Shulamith Firestone.

Edhe Media është vetë mesazhi apo metafora e realitetit? Shtojca për Kulturë 5 d. më parë Media është vetë mesazhi apo metafora e realitetit?

Mary Beard është historiane dhe profesore e Cambridge-it. Ajo nuk jep recetë, por thotë se duhet të krijohet një recetë për marrjen e pushtetit nga gratë dhe krijimin e një gjendjeje të re agjinore. Po ta kishte dëgjuar Jul Cezari nuk do të thoshte më “Burrat besojnë çfarë dëshirojnë”, por do të kishte thënë: “Mary Beard shkruan çfarë dëshiron, por shumica e grave nuk i beson.”

(Arsim Canolli, antropolog e profesor universitar)