Kulturë

“Manifesta 2022” kërkon katër koordinatorë

Ngjarja e rëndësishme e bienales evropiane të artit bashkëkohor, “Manifesta 2022”, nikoqir i të cilit do të jetë Prishtina, është në kërkim të katër koordinatorëve. Bëhet fjalë për koordinator për produksion, për zhvillim, për hulumtim dhe për marketing e komunikim. Fillimisht të përzgjedhurit do të bëhen pjesë e një trajnimi për të mësuar më shumë për rolet e tyre. Programi intensiv 10-javësh do të mbahet nga mesi i shtatorit deri në fund të nëntorit të këtij viti në Marseille. Afati për t’u bërë pjesë e ekipit të kësaj ngjarjeje me rëndësi për kulturën është deri më 10 gusht.

Koordinatori për produksion është një nga figurat kryesore në ekipin e produksionit dhe duhet të ketë njohuritë më të mira sa u përket qytetit dhe infrastrukturës së tij. Ekipi prapa departamentit për zhvillim është i fokusuar që të gjejë fonde nga partnerët publikë, kombëtarë dhe ndërkombëtarë, kompani dhe individë. Në anën tjetër, koordinatori për hulumtime ka për të ndihmuar ekipin për të krijuar një lidhje në mes të programit kuratorial të Bienales dhe qytetarëve të qytetit nikoqir, e koordinatori për media dhe marketing do ta ndihmojë departamentin e komunikimit për të arritur objektivat dhe strategjitë e tyre. Për të katër pozitat kërkohet një shtetas i Kosovës ose ndonjë kosovar i diasporës.