Katër vjet më parë autorja dhe hartografja nga Kalifornia, Sarah Bergquist-Kosumi, do të vinte në Kosovë për të takuar familjarët e bashkëshortit të saj e krahas këtij motivi të njihej dhe me trashëgiminë e Kosovës. U ndesh me një realitet të pakëndshëm, por që do të inspironte për romanin e saj të parë grafik “The Last Free Dog”. Kryepersonazhi është deltari ilir, Lyri, tema ka të bëjë me qentë endacakë dhe ambientin. “U trondita vërtet nga deponitë e mbeturinave, numri i qenve endacakë dhe reagimi apatik i njerëzve ndaj këtyre çështjeve”, rrëfen Sarah Bergquist-Kosumi
Lyri është emri i qenit të pastrehë, të cilin autorja e bën personazh në romanin e saj grafik të titulluar “The Last Free Dog” (Qeni i fundit i lirë). Larg nga fiksioni është realiteti nga i cili ishte inspiruar Sarah Bergquist Kosumi. Do të ndeshej me një peizazh të shëmtuar të një deponie ilegale mbeturinash që ngjasonte me një kodrinë. Mu në majë të deponisë autorja do takonte një qen të vogël endacak që po kërkonte ushqim. Takimi do të shërbente si pikënisje për kalvarin e gjatë trevjeçar të autores për të hulumtuar e shkruar një rrëfenjë. “The Last Free Dog” është i destinuar për të gjitha moshat, për qëllim ka piketimin e problematikës së qenve endacakë në Ballkan e veçanërisht në Kosovë, duke ngritur vetëdijen kolektive mbi këtë çështje, krahas thirrjeve për mbrojtje të ambientit.
Por, aty nuk lihet anash as karakteri emotiv i rrëfenjës që mëton të përçojë edhe mesazhe të tjera, siç është rëndësia e lidhjeve familjare.
“Në zemër të Kosovës, një tufë këlyshësh lind, në mesin e tyre njëri ngjason me imazhin legjendar të deltarit ilir: Lyri. Krenaria dhe kënaqësia e një qeni ilir është të ruajë kopenë e tij të deleve nga ujqërit, arinjtë, madje dhe nga rrëqebujt. Megjithatë, Lyri i ri nuk ngjitet majave të larta malore, por në vend të tyre ai ngjit kodrat e mbeturinave. Lyri përballon shumë sfida në një botë që po ndryshon shpejt, ndërsa rritet nga një këlysh në një qen. Trashëgimia dhe traditat e sojit të tij i japin durimin dhe fuqinë e nevojshme për të përballuar sfidat e jetesës së një qeni të lirë”, nis romani i cili është ilustruar mjeshtërisht njëri prej pionierëve të stripit në Kosovë. Punimet e tij janë të detajuara dhe përshkruese që përkojnë me imazhe reale të peizazheve të Kosovës. Deri te portretizimi final i këtij rrëfimi ishte investuar mund në një kërkim personal e kulturor midis lidhjeve që autorja kishte me Kosovën, e ky kërkim e kishte çuar atë dhe në reflektim me realitetin në Kosovë.

“Gjatë vizitave të mia të para në Kosovë nuk isha në gjendje të komunikoja mirë, kështu që kaloja shumë kohë duke vëzhguar dhe krahasuar atë që shihja, me Kaliforninë, vendin prej nga vij. U trondita vërtet nga deponitë e mbeturinave, numri i qenve endacakë dhe reagimi apatik i njerëzve ndaj këtyre çështjeve”, është shprehur autorja në një bisedë për KOHËN duke shtuar se ky vëzhgim e kishte bërë atë kureshtare që të kuptonte mendësinë e shoqërisë kosovare. Deri në momentin kur ajo kishte mësuar më shumë rreth së kaluarës tragjike për Kosovën dhe ndërthurjen e kësaj të kaluare me problemet aktuale, si ky që ajo zgjodhi ta trajtonte artistikisht.
Interesimi për të paraqitur një zgjidhje për problemet e ndryshme shoqërore dhe synimi për të treguar se ka rrugë të ndryshme në peizazhin dhe jetën e qenve të pastrehë në Ballkan, qenë ndër shtysat kryesore për të.
“Gjatë shkrimit të librit përdora imagjinatën time për të parë se si do të dukej Kosova pa qentë e pastrehë dhe ndotjet, dhe më pëlqeu shumë ajo që pashë. E dija se edhe të tjerëve do t’u pëlqente ai imazh”, ka shtuar Bergquist-Kosumi, e cila ka përfunduar studimet bazike për gjeografi humane në California State University-Chico, ndërkaq në “NYU Center for Urban Science + Progress” mori titullin si master e shkencave aplikative urbane dhe Informatikës. Punon si inxhiniere e hartografisë. Me “The Last Free Dog” debuton si autore.
Romanet grafike ajo i sheh dhe si një mjet i cili përfshin praktikën e të mësuarit përmes materialeve vizuale dhe si i tillë është përdorur edhe si përpjekje edukative të cilën ajo e quan si çelës, karshi gjeneratave të reja të liderëve në raport me problematikat mjedisore.
“Ky libër vendos një model për atë që liderët mund të bëjnë për të zgjidhur problemet. Megjithatë, sfida për të bërë ndikim do të ishte shumë më komplekse sesa nga ajo çfarë është paraqitur në libër”, ka thënë autorja.

Romanet grafike si format rezultojnë të kenë një rritje të shpejtë të popullaritetit. Kjo si shkak i qasjes tërheqëse për lexuesit e të gjitha moshave, sepse ato i ofrojnë autorit dhe ilustruesit mundësinë të transmetojnë saktësisht se si duhet të interpretohen skenat e shkruara. Qasja më e drejtpërdrejtë e një rrëfim vizual del të jetë dhe më ndikuese pasi që njerëzit priren të rikujtojnë më shumë atë që shohin sesa atë që lexojnë. E nisur nga kjo premisë, vetë autorja e përdor këtë medium pikërisht për ndikimin që ka.
“Lexuesit lidhen më shumë me një histori kur personazhet i udhëheqin ata përmes një ideje, në vend që t’u thuhet thjesht: ‘Ky është një problem që ia vlen të rregullohet’. Krijimi i një lidhjeje dhe personifikimi me personazhet ia mundëson lexuesit ta shohë çështjen përmes syve të tyre”, është shprehur Bergquist- Kosumi.
Fokusi i saj ka qenë edhe te vetë personazhet dhe raportet e tyre të cilat mjeshtërisht paraqesin lidhjet familjare njerëzore dhe aspiratat, duke mundësuar që lexuesi të kuptojë sfidat e protagonistit më mirë dhe tërthorazi të marrë mesazhe të tjera.
“Kam zgjedhur të portretizoj këtë rrëfim duke përdorur tipare antropomorfe në përshkrimet e personazheve dhe sfidave që kalojnë qentë endacakë”, ka shtuar autorja duke treguar se rëndësi i ka kushtuar dhe gjuhës të cilën ka zgjedhur ta përdorë. Është një anglishte e thjeshtë dhe e kuptueshme nga të gjithë, ndërkaq njëjtë synon të veprojë dhe me përkthimin në shqip, i cili ende nuk është konkretizuar, sepse janë në kërkim të një shtëpie botuese në Kosovë, për ta botuar librin në gjuhën shqipe.
Perceptimi i saj për qentë e rrugës dallonte me atë të shoqërisë kosovare. Autorja këtë dallim kishte arritur ta kuptonte vetëm pas hulumtimeve të saja se çfarë kishin bërë Qeveria e Kosovës dhe organizatat joqeveritare për këtë çështje problematike. Kishte hasur në shumë iniciativa e projekte që kishin rezultuar si joefikase por, pikë kthese për të do të ishte ndeshja me perceptimet e adresuara ndaj vetë problemit.

“Kam lexuar për shumë sulme tragjike ku njerëzit dhe fëmijët janë sulmuar nga qentë endacakë. Ato raste ishin të tmerrshme, andaj bënë që unë të mendoja shumë rreth perceptimeve të ndryshme për qentë midis vendit prej nga vij, SHBA-së, në krahasim me njerëzit në Kosovë. Unë mendoj se qentë në Kosovë shihen si shumë të bezdisshëm dhe jo të besueshëm, e ky libër tenton ta ndryshojë këtë perspektivë”, ka thënë autorja duke shtuar se është e lumtur që ka përpjekje reale që problematikat si ndotja e ambientit dhe qentë endacakë të ndryshojnë në Kosovë. Ka marrë shembull “Four Paws International” dhe organizatën vullnetare “Lets Do It!”, e cila fokusohet në ambientalizëm.
Përmes këtij romani të veçantë, autorja synon që lexuesit kosovarë dhe ata ndërkombëtarë të nxiten në përfshirje më të madhe në çështjet kolektive dhe zgjidhjen e problemeve që ndikojnë te të gjithë.
“Shpresoj që lexuesit nga Kosova të ngrenë zërin e tyre më shumë për problemet rreth tyre. Shpresoj që ata të përfshihen më shumë, në çfarëdo mënyre që munden, qoftë vullnetarizëm për të pastruar ambientin, adoptimin e qenve endacakë apo mbështetjen e strehimoreve të qenve”, është shprehur ajo duke shtuar se ndryshimi është i mundshëm.
“The Last Free Dog” si një pasqyrë e lustruar e një realiteti jo të këndshëm në Kosovë mëton dashurinë ndaj kafshëve të pastreha dhe nënvizon rëndësinë e ruajtjes së mjedisit. Rrëfen një histori të qëndrueshmërisë, dashurisë dhe kapacitetit që kanë njerëzit për të bërë ndryshime pozitive me strategjitë e duhura.
“‘The Last Free Dog’ eksploron edhe rëndësinë e vlerave familjare dhe lidhjeve komunitare, duke theksuar idenë se ne jemi më të fortë kur jemi bashkë. Aty theksohet ideja se si njerëzit dhe kafshët mund të krijojnë lidhje të thella që zgjasin. Është normale të kërkosh ndihmë kur të duhet!”, ka përfunduar Bergquist Kosumi, e cila bashkë me Shpend Kadën do të jenë të pranishëm në promovimin e librit në Prishtinë, në muajin mars.