Regjisor i shfaqjeve më të mira në teatrin kosovar në dy dekadat e fundit. Ky është një prej konstatimeve që ishte bërë për Bekim Lumin në ditën e 30-të të korrikut të vitit të kaluar, kur ai vdiq. Por gjatë jetës së tij prej artisti, Lumi nuk është njohur vetëm si regjisor. Midis të tjerash ai ishte edhe studiues. Kjo pjesë tjetër e anës së tij prej intelektuali do të shpaloset edhe në njëvjetorin e vdekjes së Lumit.
Me moton “Unë besoj në teatër” – që është një prej fjalive të tij – Lumi do të kujtohet mbrëmjen e së martës në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Me rastin e shënimit të përvjetorit, pos disa pikave artistike që do të jepen në kujtim të Lumit, do të bëhet edhe përurimi i veprës studimore të tij me titull “Shakespeare-i dhe Kanuni i Lekë Dukagjinit”, shkruan sot "Koha Ditore".
Sipas një përshkrimi që i është bërë veprës nga Këshilli organizativ, bëhet fjalë për një studim krahasues i tragjedisë “Makbethi” të William Shakespeares në kontekst me kodin zakonor shqiptar “Kanuni i Lekë Dukagjinit”.
Lumi njihej si artist i veçantë në komunitetin e artistëve kosovar por edhe përtej tij. Ditët e fundit të jetës i kishte kaluar në Teatrin Kombëtar të Kosovës duke përgatitur shfaqjen “Arturo Ui”. Në ditën e 13-të të qershorit të vitit të kaluar mbajti provën e përgjithshme dhe mori pjesë në konferencë për media. E në premierë një ditë më pas nuk mundi të ishte prezent. U shtrua në spital. Në konferencë për media kishte folur më gjatë se asnjëherë më parë. Kishte thënë se zakonisht shfaqjet e rënda ua qesin regjisorëve flokët në tokë ose ua zbardhin.
“E unë meqë kam përdorur terapi të ndryshme mjekësore, në mars kur fillova provat nisën të më dalin e të më nxihen flokët. Kështu që kjo shfaqje ka treguar rezultat edhe në aspekte të tjera. Ëndërr e mistershme e gjatë dhe e rëndë”, kishte thënë me sens humori. “Arturo Ui” është përshkruar edhe si testamenti i tij... (shkrimin e plotë e gjeni sot në “Koha Ditore”)
SH.M.