Kulturë

“Luftëra të vazhdueshme me turqit në Shqipëri...”

“Beteja e Kosovës”, Petar Lubarda, teknikë e kombinuar, 1953,  172,5 me 190,5 centimetra

Në veprën “Cihân-nümâ” (Tregu esi i botës) të Mehmet Nishkriut i jepet një rëndësi e veçantë personalitetit të Gjergj II Balshës.

Kjo shprehet me mendimin e Gjergj II Blalshës, kur në shtabin e koalicionit Knjaz Llazari pyeti krerët e princave që kishin ardhur në fushën e betejës nëse e shihnin të arsyeshme që ushtrive osmane t’u bëhej natën një sulm i befasishëm. Vetëm princi shqiptar, Gjergj II Balshë e kundërshtoi, mbasi natën, theksoi ai, turqit do të përfitonin nga errësira dhe do të arratiseshin.

Jo natën, por t’i kapim të gjithë të gjallë ditën, kishte dhënë mendimin Gjergj II Balsha, princi shqiptar, i cili kishte ardhur në front, sipas Neshriut, me 90 mijë ushtarë. Neshriu zvogëlon disfatat e turqve, ose nuk flet aspak për to.

Për të zmadhuar fitoren e turqve, ai shkruan se numri i ushtarëve armiq ishte 500.000 veta, shifër që është larg së vërtetës. Në përshkrimin e vendodhjes së betejës Neshriu shkruan: “Ushtarët e pafe u mblodhën në brigjet e Moravës së Madhe”.

Pjesëmarrja e Gjergj Balshës II

Kronisti Neshriu përkundër faktit që jetoi në shekullit XVI, penda e tij e sigurt gati rekonstrukton mozaikun e ngjarjeve. Ky kronist na vë në dijeni se Evernozi e këshilloi Muratin I se çfarë strategjie duhej përdorur në këtë betejë.

Kronisti Neshriu shkruan: “Të mbërrijmë më përpara dhe të zgjedhim pozicionin më të mirë. Ai (Llazari B. M.) le të vijë mbas nesh. Pastaj ne të mos ngutemi, ai (Llazari B.M.) le ta fillojë luftën ....,”. Që në krye, ata u pajtuan për një strategji mbrojtëse, e cila do t’i fuste në kurthe kalorësit e armatosur rëndë të ushtrisë kundërshtare.

Shënime për pjesëmarrjen e Gjergj Balshës II në Betejën e Fushë Kosovës jep edhe autori tjetër osman, Idris Bitilsi, në veprën “Hest Bihist” (Tetë parajsat). Po ashtu Bitilsi flet edhe për pjesëmarrjen e Dhimitër Jonimës dhe sundimtarëve të tjerë shqiptarë në Betejën e Kosovës. Idris Bitilsi jep datën 27 gusht 1389 (4 Ramazan). Sollakzade (?-1657) jep përshkrim të hollësishëm të fillimit të Betejës 1389, ku ndër protagonistët e saj është Gjergj II Balsha. “Në qoftë se ne e sulmojmë natën ushtrinë armike ka të ngjarë që ata të mos luftojnë dhe të arratisen; atëherë ku mund të gjejmë në errësirën e natës ushtrinë islame”.

Burime shqiptare mbi Betejën e Kosovës

Mbi betejën e Kosovës dhe mbi pjesëmarrjen e shqiptarëve në koalicionin kundërosman kemi burime nga autorë shqiptarë, si vepra “Memorja” e shkruar nga fisniku i Muzakajve Gjon Muzaka, më 1510, në Itali. Ai ishte bashkëkohës dhe bashkëluftëtar i Skënderbeut.